Kryeministri Zaev në ceremoninë e ngritjes së flamurit të NATO-s para Qeverisë: Arritëm sukses, e ardhmja nuk është më fati ynë, për të vendosim vetë

Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e cila së shpejti do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, sot u mbajt ceremoni solemne e ngritjes së flamurit të NATO-s, në të cilën mbajti fjalim Kryeministri Zaev.

Duke i përshëndetur përfaqësuesit e pranishëm të Qeverisë, Kuvendit, Armatës, bashkësitë fetare, përfaqësuesit e korit diplomatik dhe atashetë ushtarakë, si dhe mysafirët e institucioneve civile, politike, shtetërore, mediat dhe qytetarët e interesuar, Kryeministri Zaev theksoi se sot, me siguri tregojmë se atdheu ynë arriti sukses, se është në rrugën e duhur drejt progresit dhe zhvillimit të papengueshëm.

 

 

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Zaev në mënyrë integrale:

“Arritëm sukses. Nga rruga sekondare e Ballkanit, ku kemi pritur me dekada, u kthyem në autostradën kryesore kah Evropa. Të gjithë mund të jemi krenarë që po jetojmë epokën e re, epokë e ndërtimit të shoqërisë demokratike të qytetarëve të barabartë të cilët synojnë t’i përfitojnë vlerat evropiane. Në periudhën që vijon do të jemi pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në periudhën historike më të rëndësishme që nga pavarësia e shtetit, në të cilën vetë do të vendosim për ardhmërinë tonë, por edhe për shpejtësinë me të cilën do t’ia arrijmë qëllimit. Të nderuar qytetarë: e ardhmja nuk është më fati ynë. Ne morëm fatin në duart tona dhe përcaktuam ardhmërinë. Kështu ne pranojmë edhe përgjegjësinë për të realizuar qëllimin historik. Këto ditë e fillojmë fazën e ardhshme komplekse për ndërtimin e shtetit tonë, sipas standardeve evropiane. Askush tani më nuk do të na bllokojë nga jashtë. Me vendimet e Kuvendit tonë dhe Parlamentit të Republikës së Greqisë dhe me ftesën e anëtarëve të Aleancës së NATO-s, ne tani më marrim pjesë në punën e aleancës më të fuqishme në botë. Mund të jemi të qetë dhe tërësisht të sigurt se me përfundimin e ratifikimeve në të gjitha parlamentet e aleatëve tanë, vendi ynë, i cili së shpejti do të mbajë emrin gjeografikisht të saktë Maqedonia e Veriut, zyrtarisht bëhet anëtare e 30-të e plotfuqishme e NATO-s, me të drejtë vote. Me këtë akt bëhemi vend i sigurt. Bëhemi të zotë të vetvetes.

Me këtë rast, sot këtu e ngremë flamurin e NATO-s, i cili së bashku me të BE-së dhe me flamurin tonë përcakton të ardhmen tonë dhe të gjeneratave tona.

Për këtë sukses të madh, ju përgëzoj Juve, gjithë qytetarëve, nga të gjitha  vendet e Republikës sonë. Merita juaj është më e madhe sepse me guxim keni bërë hap përpara dhe kërkuat ardhmërinë që populli ynë e meriton. Pjesa dërmuese e qytetarëve ishin të vendosur PËR anëtarësimin në aleancën e NATO-s. Ju të nderuar qytetarë, që nga dita e parë e pavarësisë keni njohur rolin e NATO-s si garantuesin më të madh për të tejkaluar rrezikun e destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit. Ky rrezik tashmë është i kaluar, falë mbështetjes tuaj të fortë. Ne tashmë jemi në tryezë të përbashkët me 29 aleatët tanë në NATO.

Më lejoni, me këtë rast, të shpreh respekt dhe falënderim të veçantë për kontributin e madh që dhanë ushtarët e rënë dhe paqeruajtës në misionet paqeruajtëse të NATO-s në të cilat mori pjesë vendi ynë. I shpreh falënderim të madh  Kryetarit të shtetit, Boris Trajkovski i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij humbën jetën në një aksident avioni, pikërisht gjatë shërbimit dhe misionit të tyre për ta bërë vendin tonë të respektuar, të integruar dhe të sigurt. Kryetarin Trajkovski dhe bashkëpunëtorët e tij nuk duhet t’i harrojmë, kanë përfunduar një nga punët më të rëndësishme në kohë të vështira dhe të konflikteve kur me punën dhe guximin e tyre me vendosmëri e afruan Republikën e Maqedonisë pranë aleancës së NATO-s dhe i hapën gjerësisht dyert e bashkëpunimit.

Në një tjetër mision paqeruajtës në një aksident me helikopter në afërsi të Shkupit humbën jetën 11 ushtarë të Armatës, gjithashtu paqeruajtës të cilët  ktheheshin nga misioni Altea. Dhe jeta e tyre është në zemër të këtyre momenteve historike. Jetët e tyre janë në themelet të këtyre momenteve historike.

I kemi borxh një falënderim të madhe edhe Kryetarit të parë dhe Komandant Suprem të Armatës, Kiro Gligorovit, i cili edhe përpara pavarësisë së vendit tonë, me angazhimin e tij të vendosur për paqen, u përcaktua për integrimet euroatlantike si opsionin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të saj. Marrëveshja për largimin paqësor të Ushtrisë Jugosllave dhe taktika e Kryetarit Gligorov është frymëzim i madh dhe shembull i Maqedonisë për zgjidhjen e situatave në konflikt dhe shmangien e rrezikut të luftës. I madh ishte edhe kontributi i Kryetarit Cërvenkovski për të cilën i shprehim mirënjohje.

Shpreh falënderim dhe respekt të madh për Kombet e Bashkuara dhe ndërmjetësin Methju Nimetz, i cili me profesionalizmin e tij të lartë dhe me këmbëngulje të madhe udhëhoqi procesin e negociatave edhe kur nuk kishte asnjë perspektivë për një zgjidhje të pranueshme.

Të nderuar qytetarë, mysafirë të respektuar,

I kemi borxh falënderim të madh organit më të lartë legjislativ, Kuvendit të Republikës dhe deputetëve, veçmas nga kjo përbërje dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha sistemet të cilët kanë miratuar të gjitha vendimet e nevojshëm edhe që kanë mundësuar  t’i afrohemi NATO-s dhe BE-së. Shpreh falënderim qeverive dhe institucioneve të sistemit dhe një numri të madh personaliteteve publike, ekspertëve, organizatave civile, bizneseve, medieve dhe gazetarëve, të cilët gjatë dekadave të kaluara kanë punuar me përkushtim për realizimin e këtij përcaktimi strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë, i cili së shpejti do të quhet Maqedonia e Veriut...