Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i shoqëruar nga zëvendëskryetarët e Qeverisë, Spasovski dhe Osmani dhe ministrat Filipçe dhe Fazliu, sot ishin të pranishëm në Mbledhjen komemorative të organizuar nga Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në shenjë dhe nder të qytetarëve të vdekur të këtij qyteti në aksidentin e tmerrshëm të komunikacionit, në të cilin deri më tani 14 persona kanë humbur jetën. Kryeministri Zaev dhe delegacioni qeveritar u nënshkruan në librin e zisë.
Në vazhdim ua përcjellim në mënyrë të plotë fjalimin e Kryeministrit Zaev:
“Të nderuar më të afërt të viktimave të aksidentit tragjik të komunikacionit, anëtarë të familjeve, farefise, miq, shokë, të njohur, të nderuar të pranishëm në Komemoracionin e sotëm, i nderuar Kryetar, i nderuar Kryetar i Komunës së Gostivarit, të nderuar këshilltar të Këshillit, ministra të Qeverisë, bartës të funksioneve zyrtare
Ndajmë dhimbjen e madhe me ju. Shpirti na dhemb, për çdo jetë të humbur.
Dhe pikëllimi është i përbashkët.
Fjalë për ngushëllim në çaste të tilla vështirë gjenden, pasi që nuk ka ngushëllim për zemrat që vajtojnë për të dashurit e tyre.
Jemi të vetëdijshëm se fjalët nuk mund të prekin shpirtin që dhemb. Por, ndoshta më tej, do të jenë udhëzues të dikujt përmes dhimbjes, e cila nuk kalon, por njeriu mësohet të jetojë me të.
Të nderuar miq dhe bashkëqytetarë, njeriu, përderisa ka njerëz rreth tij, nuk është fare i vetëm.
Dhe erdha t’u them se humbja është e pazëvendësueshme, por nuk jeni vetëm dhe nuk do t’u lëmë të vetëm.
Shpirtërisht jemi me ju. Dhe me ju do të jemi edhe në të ardhmen. Marrim për obligim t’u ndihmojmë familjeve me mundësi dhe për këtë personalisht do të angazhohemi.
Gjithashtu, si Qeveri dhe si organe kompetente, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka t’i ndriçojmë shkaqet për aksidentin tragjik.
Ditën e sotme dhe të nesërme i shpallëm ditë zie në tërë mbarë shtetin dhe lutjet e të gjithë qytetarëve në vendin tonë u drejtohen prehjeve të viktimave.
Le të prehen në qetësi të dashurit tuaj dhe bashkëqytetarë tanë.
Shpreh ngushëllim të thellë dhe të sinqertë për ngjarjen tragjike në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal. Zoti le t’i bekojë”.