Asnjë fëmijë nën moshën tre vjeç nuk jeton më në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Me hapjen e sotme të pesë shtëpive të vogla në grupe në Manastir, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me partnerët e saj ka filluar procesin e transformimit të plotë të “Majçin Dom” dhe të gjithë 27 fëmijët tashmë janë zhvendosur në ambiente që i ngjajnë një shtëpie të ngrohtë familjare.
“Jam shumë e kënaqur që sot nga Manastiri mund të ndajë këtë lajm të bukur dhe edhe një herë të konfirmoj angazhimin e Qeverisë që çdo fëmijë është i rëndësishëm për ne dhe duhet të ketë një fillim të barabartë në jetë, të marrë vëmendjen e nevojshme, kujdesin dhe dashurinë. Procesi i nxjerrjes së të gjithë fëmijëve nga institucionet do ta përfundojmë një vit përpara afatit të paraparë. Në vitin 2017 kur filluam procesin kishim 180 fëmijë në institucione. Tani na kanë ngelur vetëm 11 fëmijë mbi moshën tre vjeç, dhe ata, gjithashtu, deri në fund të vitit do të strehohen në ambient të ngrohtë. Ne vazhdojmë të kujdesemi për fëmijët me shumë përkushtim dhe dashuri, sepse zhvillimi i hershëm i fëmijës është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të fëmijëve”, tha ministrja Carovska në hapjen e një prej pesë shtëpive të vogla në grup në Manastir.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Galuej, theksoi se procesi i de-institucionalizimit dëshmon se me përkushtim të rregullt mund të ndërtojmë shoqëri pozitive dhe inkluzive që bazohen të vlera.
“Ky proces është pjesë e përkushtimit të përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen dhe përmirësimin e politikave dhe praktikave për kohezion social dhe pranim të diversiteteve në Maqedoninë e Veriut. Në Manastir është institucioni i katërt me radhë që i de-institucionalizon fëmijët nga institucionet e mëdha. Ky është një përparim i madh në përpjekjet e Qeverisë që t’i vë fund kujdesit institucional për fëmijët nën moshën 18 vjeç deri në fund të vitit 2020”, theksoi Galuej.
Përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks, theksoi se përkushtimi i Qeverisë është thelbësor në suksesin e kësaj reforme.
“Fëmijët janë të programuar biologjikisht që nga lindja të vendosin raport me prindin apo kujdestarin që do të sigurojë mbrojtje, përkujdesje dhe dashuri. Kur kjo mungon, ka pasoja të thella në mirëqenien e fëmijës. Prandaj, asnjë vendim tjetër i Qeverisë nuk ka ndikim më të madh ndaj jetës së një individi se sa vendimi rreth asaj se çfarë do të bëjë me fëmijën kur nuk ka përkujdesje prindërore. Urime Qeverisë për këtë reformë historike – për herë të parë në historinë më të re nuk ka asnjë foshnje apo fëmijë nën moshën 3 vjeç që është vendosur në institucion të madh. Por, për t’u mbajtur suksesi i kësaj reforme do të duhet angazhim i përhershëm dhe mjete”, theksoi Perks.
Drejtoresha e “Majçin Dom”, Elena Nikollovska, theksoi se aktualisht qëndrojnë 27 fëmijë dhe për ta 24 orë përkujdesje dhe mbështetje do të sigurojnë 30 edukatorë dhe 4 bashkëpunëtorë profesionalë. Asnjë person nuk mbeti pa punë, përkundrazi numri i të punësuarve do të rritet. “Kjo formë e kujdesit nuk do të thotë vetëm kushte më cilësore hapësinore dhe fizike në të cilat jetojnë fëmijët. Por, puna në shtëpinë në grup do t’u mundësojë kolegëve qasje individuale ndaj secilit fëmijë, në përputhje me dëshirat dhe nevojat e tij. Interaksioni personal intensiv dhe përkushtimi i punonjësve do të nxisin zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve tanë dhe do t’u sigurojnë bazë të barabartë për sukses në jetë sikurse të gjithë fëmijëve që rriten në ambiente familjare”, deklaroi Nikollovska.
Kryetarja e Komunës së Manastirit, Natasha Petrovska, e përshëndeti procesin e de-institucionalizimit dhe theksoi se një pjesë e ish shtëpi-së do të shndërrohet në kopsht të fëmijëve.
“Sot është ditë me diell për Manastirin, sepse kujdeset për një kategori të ndjeshme. Posaçërisht dua ta falënderoj Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, UNICEF-in, Ambasadën Britanike dhe punonjësit në Shtëpinë e Fëmijëve pa Prindër. Sidomos dua ta falënderoj Ministrinë që na liroi një pjesë të Shtëpisë që të mund të shfrytëzohet për kopsht fëmijësh. Kapacitetet e kopshteve janë shumë të nevojshme për këtë periudhë”, theksoi Petrovska.
Shtëpia në Manastir nuk mbyllet, por ajo do të transformohet për ofrimin e shërbimeve të reja bashkëkohore sociale. Në fillim të vitit 2020 do të fillojë të funksionojë Qendra për mbështetjen e familjeve përkujdesëse, si dhe shërbime tjera të parapara me Ligjin për mbrojtje sociale.
Me hapjen e 5 shtëpive të vogla në grup në Manastir, në Maqedoninë e Veriut janë hapur gjithsej 17 sosh.