Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, morën pjesë në lëshimin në përdorim të sallës së re për operacione në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
“Mbetet përcaktimi edhe në vitin 2020, përkundër mjeteve materiale-teknike, të investojmë edhe në potencialin njerëzor. Me vetë faktin që disa herë u rritën pagat për më shumë përqind për mjekët dhe punonjësit shëndetësor dhe ajo që ishte detyra jonë në klinikat universitare, paga e mjekëve të arrijë në 100.000 denarë dhe të rriten pagat e infermierëve dhe të punësuarve, në përgjithësi, kontribuon që të përforcohet motivimi dhe të investohet maksimalisht për të ndihmuar shtetin dhe qytetarët”, theksoi Kryeministri Spasovski.
Spasovski theksoi se në periudhën e ardhshme vazhdon zbatimi i politikave të cilat mundësojnë shëndetësi cilësore dhe moderne për të gjithë qytetarët në RMV.
Mes tjerash, ai shtoi se mbetet përcaktimi i Qeverisë të përmirësojë kushtet për motivimin e stafit mjekësore që të qëndrojë këtu dhe ata të cilët janë larguar të kthehen në vend.
“Do të tregoj edhe një kuriozitet. Arritëm që në këtë Klinikë të kthejmë një ekspert të lartë i cili ishte larguar dhe punonte në Emiratet e Bashkuara Arape dhe duke i parë këto procese, dëshironte që të kthehej dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij që të jetë përsëri pjesë e Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare”, tha ministri Filipçe, duke informuar se sipas anketave mbi 60 % e studentëve të cilët janë në fazën përfundimtare të fakultetit të mjekësisë kanë dëshirë dhe të ardhmen e shohin këtu në vend.
Drejtori i Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare, Nexhati Jakupi informoi se salla e re për operacione është një nga sallat më bashkëkohore për operacione në shtetin tonë dhe në rajon dhe i plotëson standardet më të larta për ofrim të shërbimit cilësor shëndetësor për qytetarët.
Të pranishmit konstatuan se vizita e sotme në sallën bashkëkohore për operacione tregon se projektet e suksesshme janë të mundshme dhe këtë e dëshmon edhe fakti që në dy vitet e kaluara janë rinovuar 15 reparte dhe objekte mjekësore.