Fillimi i punëve për rikonstruimin dhe rehabilitimin e drejtimit rrugor Kriva Pallankë-Deve Bair, gjegjësisht deri te kalimi kufitar me Republikën e Bullgarisë, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme sepse ky drejtim rrugor është vetëm një pjesë e Korridorit 8, njëri nga korridoret më të rëndësishëm që lidh boshtin Lindje-Perëndim në jug të kontinentit evropian.
“Modernizimi i Korridorit 8 është përcaktim strategjik i vendit tonë dhe për shkak të lidhjes rajonale dhe bashkëpunimit, si një nga aspektet më të rëndësishme të integrimit në BE. Projekti, duke përfshirë edhe mbindërtimin e hekurudhës në këtë Korridor, ka për qëllim të lidh Detin e Zi me Detin Adriatik. Më gjerë, ky është Korridor i cili përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i lidh Lindjen e Afërt dhe Azinë me BE-në”, theksoi Kryeministri Spasovski, me rastin e fillimit të punëve ndërtimore në aksin rrugor në Kriva Pallankë.
Në ngjarjen në të cilën morën pjesë ambasadorë të BE-së në vendin tonë, Samuel Zhbogar, drejtori i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shkup, Andi Aranitasi, si donatorë të një pjese nga mjetet për rikonstruimin dhe rehabilitimin, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov, kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Borjanço Micevski, si dhe përfaqësues të Fondit për Investime për Ballkanin Perëndimor dhe kompanisë “Granit”, si realizues të punëve, Kryeministri Spasovski, theksoi se për përkushtimi në Korridorin 8 flet edhe fakti se nga ky moment ka edhe aktivitete ndërtimore.
Përgatitet sanimi për drejtimin rrugor nga kalimi kufitar Qafë Thanë deri në Strugë, në mënyrë intensive zhvillohen punët ndërtimore në autostradën Ohër-Kërçovë, përfundoi rehabilitimi i autostradës Shkup-Kumanovë, ndërsa në periudhën e ardhshme do të fillojë rehabilitimi i aksit rrugor Kumanovë-Stracin në gjatësi prej rreth 32 km. Paralelisht zhvillohet rehabilitimi i rrugës rajonale ekzistuese Rankovcë – Kriva Pallankë, e cila pritet të përfundojë deri në mars të vitit 2020.
Me vendosjen e këtij Korridori, tha Spasovski, do të zhvillohet sistem për transport që do të kontribuojë drejt rritjes së shkëmbimit tregtar, në funksion të përmirësimit të konkurrencës dhe zhvillimit të ekonomisë dhe komunikimit me vendet evropiane.
“Edhe një arsye që e bën këtë ngjarje dhe këtë ditë të veçantë për vendin tonë. Është roli i partneritetit të BE-së dhe institucionet e saj financiare. Partneriteti konfirmon se integrimi evropian i RMV-së dhe Ballkanit Perëndimor është i njohur si investim gjeostrategjik për Evropë stabile, të fuqishme dhe të bashkuar, të bazuar në vlera dhe standarde të përbashkëta”, potencoi Kryetari i Qeverisë, Oliver Spasovski.
Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, rikonstruimi i rrugës rajonale nga Kriva Pallanka deri në kalimin kufitar Deve Bair është projekt i rëndësishëm për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin e ekonomisë në rajon.
“Ky drejtim rrugor është një nga ato në të cilat shohim lidhje të rëndësishme për eksportin e prodhimeve të Maqedonisë së Veriut. Drejtimi rrugor Pallankë – Deve Bair është më i frekuentuar në komunikacionin transportues, sepse transporti i mallrave drejt dhe nga Bullgaria fqinje të shumtën e rasteve kalon nëpër këtë rrugë. Për këtë shkak punojmë në mënyrë të përshpejtuar për ndërtimin e hekurudhës deri në Beljakovcë dhe presim deri në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, e njëjta të përfundojë”, tha ministri Sugareski në fjalimin e tij.
Drejtori i NP për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov theksoi se Realizuesi i GD Granit do të ketë afat prej 24 muaj që të realizojë projektin dhe në rrugën e zgjeruar do të mund të qarkullohet më së voni deri në fillim të vitit 2022.
Ambasadori i BE-së në vend Samuel Zhbogar, gjatë fjalimit të tij theksoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të komunave nga të dyja anët e kufirit, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dhe për vetë rajonin.
“Ky proces i lidhjes filloi në kuadër të Procesit të Berlinit dhe BE beson në fuqinë e tij pasi që përmes këtyre projekteve realizohen lidhje të fuqishme. Kjo sot është pjesa e parë e realizimit të këtij projekti, në të cilin duhet të shihet si pjesa që mungon për lidhje më të mirë mes Shkupit, Sofjes, Tiranës dhe Durrësit në kalimin e Korridorit 8”, tha ambasadori Zhbogar.
Drejtori i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shkup, Andi Aranitasi, tha se BERZH mbetet partner i përkushtuar i Qeverisë së RMV-së dhe në të gjitha projektet e ardhshme, veçanërisht në mbështetjen e nismave kapitale infrastrukturore.