Ministri i Shëndetësisë, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se në vendin tonë janë regjistruar 53 pacientë të shëruar, në Shkup - 25, Kumanovë - 13, Prilep - 5, Strugë - 1, Manastir - 4, Ohër - 1 dhe Koçan - 4.
„
“Në raport me testimet e fundit, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 289 teste, janë regjistruar 13 raste të reja në: Shkup – 4, Kumanovë – 5, Prilep – 2 dhe Tetovë -2. Numri i përgjithshëm i këtyre rasteve nga fillimi i epidemisë është 1.399 persona, gjegjësisht 781 raste aktive”, potencoi ministri Filipçe.
Sipas informacioneve të ministrit të Shëndetësisë, në Klinikën për Sëmundje Infektive, kanë vdekur dy pacientë, paciente 58 vjeçare nga Zhelina, Tetovë, e pranuar më 21 prill me formë të rëndë të sëmundjes dhe paciente 81 vjeçare nga Kumanova, e mjekuar prej më 15 prill. Të dyja pacientet ishin me sëmundje të mëhershme. Në SPQ “8 Shtatori” ka vdekur një pacient nga Kumanova në moshën 47 vjeçare, e pranuar për mjekim spitalor më 3 prill dhe për një kohë më të gjatë i kyçur në aparat respirator. Ka vdekur edhe një pacient nga Manastiri, i cili mjekohej në spitalin e Manastirit, në moshën 66 vjeçare, në gjendje të rëndë me probleme shtesë të sëmundjes së zemrës dhe mëlçisë.
“Në Klinikën për Sëmundje Infektive është pranuar edhe një pacient, i hospitalizuar, ose gjithsej 61. Prej tyre, 18 janë me pasqyrë më të rëndë klinike, ndërsa pesë janë në ventilim mekanik. Në spitalin “8 Shtatori” ka tetë pacientë të rinj, në aparat respirator janë shtatë, ndërsa katër janë me pasqyrë më të rëndë klinike. Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar shtatë, ndërsa ndiqen edhe tetë. Në Shtip dy ndiqen, ndërsa edhe nëntë janë në mjekim shtëpiak. Në repartin Infektiv në spitalet në Kumanovë, Prilep dhe Veles janë hospitalizuar edhe 50 pacientë, të konfirmuar, pjesë e tyre të dyshimtë, i presin rezultatet e mostrave”, deklaroi ministri Filipçe.
Ministri Filipçe iu falënderua ndërmarrjes publike për varrim “Butel” për uljen e çmimeve të shërbimeve për varrim. Siç njoftoi ministri, ata kanë biseduar dje me drejtorin dhe sot kanë publikuar kumtesë.
Në raport me Qendrën për Shëndet Publik – Veles, Filipçe informoi se janë kryer të gjitha analizat dhe është bërë analizë e detajuar për raportin për vlerësimin e informacioneve më të reja që arritën nga më shumë anë. Gjatë ditës së nesërme ose pasnesër në Qendrën do të emërohet drejtor i ri, duke pasur parasysh lëshimet, që u detektuan në punën e QSHP në Veles.
“Prej sot në spitalin “8 Shtatori” është dërguar aparati për të ashtuquajturën ozonoterapi, ozonim i gjakut, që është një metodë që përdoret për trajtimin e këtyre pacientëve, para së gjithash për pacientët në gjendje më të rëndë. Ka publikime dhe përvoja nga vendet tjera, në bazë të atyre përvojave, ekipi i anesteziologëve nga spitali “8 Shtatori” ka kryer analizë të detajuar të literaturës me të vërtetë të gjerë dhe erdhi në përfundim që ia vlen të tentohet që kjo masë e terapisë të aplikohet te këta pacientë, kështu që këto ditë fillon edhe ky aplikim. Praktikisht bëhet fjalë për metodë, me të cilën kryhet ozonim i një sasie të caktuar të gjakut që largohet dhe më pas e njëjta kthehet në qarkullimin e tij. Nesër është caktuar ekstrakti i plazmës, i cili gjithashtu do të përdoret për trajtimin e këtyre pacientëve në Institutin i Mjekësisë së Transfuzionit”, informoi ministri Filipçe.
Në konferencën e rregullt për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe përsëri apeloi deri te qytetarët ti respektojnë masat për mbajtjen e pajisjes mbrojtëse.
“Ka qytetarë të cilët me të vërtetë i respektojnë këto masa, mbajtja e distancës dhe mbajtja e pajisjes mbrojtëse për fytyrë, maskës, por ka edhe fotografi në media dhe në rrjete, nga qytetarë, të cilët nuk u përmbahen masave. Dua të përmend se është shumë me rëndësi në këtë periudhë kur ka numër të rritur të orëve të lejuara për lëvizje gjatë ditës, se vetëm me këtë masë – mbajtja e mbrojtjes për gojë dhe hundë ose maskë, ne mund të përfundojmë përhapjen e virusit”, potencoi Filipçe.