Me rastin e shënimit të 24 qershorit, Ditës ndërkombëtare të egjiptianëve të Ballkanit, Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Oliver Spasovski, pranoi në takim delegacionin e përbërë nga kryetarët e mëparshëm të Shoqatës së egjiptianëve, të themeluar para 30 viteve në vendin tonë, kryesuar nga deputeti Rubin Zemon.
Shoqata e themeluar më 24 qershor të vitit 1990 në Ohër, është organizata më e vjetër shoqërore-politike e këtij komuniteti në Gadishullin Ballkanik, e cila ka për qëllim të mbrojë dhe avancojë kulturën dhe identitetin e egjiptianëve në RMV, zhvillimin e arsimit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, si dhe përfshirjen më të madhe të pjesëtarëve në këtë shoqatë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Kam nderin që sot jam këtu dhe veçanërisht jemi krenarë që si Qeveri krijuam dhe vazhdojmë rrugën e respektimit të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”, duke i respektuar të gjitha komunitetet, veçanërisht ato që janë në numër më të vogël”, tha Kryeministri Spasovski duke uruar Ditën ndërkombëtare të egjiptianëve të Ballkanit, si dhe përvjetorin prej 3 dekada nga themelimi i Shoqatës së egjiptianëve në Maqedoninë e Veriut.
Spasovski theksoi se çdo komunitet është i rëndësishëm në shtet dhe Qeveria do të vazhdojë në drejtim të sigurimit të barazisë, të drejtës sociale, mundësive të barabarta, përfshirje dhe pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve në vendim marrje dhe arritje të kohezionit shoqëror.
Pjesëmarrësit në delegacionin e komunitetit të egjiptianëve, duke falënderuar për takimin, Kryeministrit Spasovski i shprehën mbështetje për politikat konstruktive të Qeverisë për gjendjen dukshëm të përmirësuar për dallim nga gjendja e trashëguar me e shoqërisë së ndarë, gjuhës së urrejtjes dhe krimin me urrejtje ndaj “tjetrit”.
Përfaqësuesit e komunitetit të egjiptianëve shprehën mbështetje për politikat e ndërmarra, veçanërisht për zmadhimin e përfaqësisë politike të egjiptianëve në procesin e marrjes së vendimeve.