Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqeodnisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot mnoru pjemsë dhe u drejtua në Forumin ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë që mbahet në Prishtinë, Republika e Kosovës.
Në vazhdim fjalimi integral i Kryeministrit Xhaferi:
„Sot jemi këtu për një rast të rëndësishëm dhe kisha thënë një arritje të madhe për rajonin. Për mua është nder të jem pjesë e këtij evenimenti që do të kontribuojë në realizimin e kësaj nisme të shkëlqyer, respektivisht, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gra, Paqe dhe Siguri.
Edhe ne, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, jemi fuqimisht të përkushtuar në zbatimin e agjendës Gratë, paqja dhe siguria. Si një vend aktiv anëtar i NATO-s, ne e mbështesim zbatimin e kësaj politike në tre synimet kryesore të Aleancës dhe për këtë qëllim e kemi harmonizuar edhe Planin tonë Aksionin me nismat përkatëse.
Akoma më e rëndësishme, ne edhe në mënyrë thelbësore i implementojmë të tre parimet e integrimit, gjithë përfshirjes dhe integritetit në punën tonë të përditshme dhe në politikat që udhëheqim. Sepse thelbi është ajo që na udhëheq çdo ditë në marrjen e vendimeve politike të cilat kanë një qëllim të vetëm, dhe ky është ti plotësojnë standardet drejt arritjes së barazisë gjinore.
Legjislacioni është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e këtij procesi, sepse e siguron kornizën me të cilën sigurohet përfaqësimi. I tillë është Plani i dytë nacional i Aksionit (NAP) i Republikës së Maqedonisë së Veriut për implementimin e Rezolutës 1325 të miratuar në vitin 2020, si plan strategjik pesëvjeçar për arritjen e barazisë së vërtetë gjinore, integrimit dhe transparencës në nivel nacional.
Por, legjislacioni është vetëm një segment i politikës sonë më të lartë. Është e padiskutueshme se çështjet gjinore në Maqedoninë e Veriut në masë të madhe po fitojnë hapësirë dhe po bëhen një nga prioritetet përmes reformave që Qeveria filloi të zbatojë në vitin 2017 dhe menjëherë para anëtarësimit tonë të plotë në NATO. Këto reforma, ndodhën mbi të gjitha në mënyrën në të cilën mendojmë për dimensionin gjinor dhe e inkorporojmë atë në çdo politikë.
Pa dallim nëse kjo paraqet Konventën e Stambollit, reformat sociale, Një shoqëri për të gjithë dhe një sërë politikash tjera që i zbaton kjo Qeveri, ose po fokusi orientohet drejt grave në sektorin e sigurisë, qëllimi i përbashkët i të gjithëve është përfshirja e plotë duke mundësuar një hapësirë që çon deri në barazinë gjinore.
Në këtë drejtim, mund të them se ne jemi një shembull pozitiv. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejtohet nga një ministre e shkëlqyer, të cilës i paraprinte gjithashtu një ministre tjetër e shkëlqyer e mbrojtjes. Presidenti i shtetit ka një adjutante dhe është arritur një avancim i konsiderueshëm i numrit të grave të përfaqësuara në Armatë, i cili numër është dyfishuar në 10 vitet e fundit. Në Ministrinë e njëjtë, nga numri i përgjithshëm i punonjësve administrativë të punësuar në poste drejtuese, 49% janë gra. Kemi 8 gra me gradën kolonel, që është numër që deri para një dekade ishte zero apo një.
Të nderuar të pranishëm,
Agjenda për gra, paqe dhe siguri ishte gjithashtu një nga prioritetet gjatë kryesimit tonë me OSBE-në vitin e kaluar. Për të afirmuar këtë politikë, ne organizuam disa ngjarje në nivelin më të lartë në këtë temë.
Me këtë, dua të potencoj se jemi në një rrugë të shkëlqyer. Edhe pse kemi akoma shumë për të ecur në këtë rrugë, trajektorja e lëvizjes është përcaktuar dhe zotimi im ishte dhe do të mbesë të qëndrojmë në të njëjtën.
E di se sipas një nga teoritë feministe për paqen konsiderohet se është një proces i vazhdueshëm për të cilin duhet të punohet, e jo një qëllim që duhet arritur. Edhe unë pajtohem me këtë teori dhe mbi të njëjtën e bazoj edhe barazinë gjinore në siguri.
Lufta në Ukrainë është një përkujtues i fortë i domosdoshmërisë së përfshirjes aktive të grave në të gjitha fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Kontributi i tyre është i domosdoshëm edhe në përshtatjen e politikave me realitetin e ri.
Pikërisht për këtë, ne, si një anëtare e besueshme e NATO-s, e mbështesim qasjen e Aleancës për t'i dhënë rëndësi më të madhe politikës për Gra, paqe dhe siguri. Kjo nënkupton përfaqësim dhe pjesëmarrje më të madhe të grave në operacionet dhe misionet civile dhe ushtarake të NATO-s, por edhe promovim më të madh të barazisë gjinore si shprehje e vlerave tona të përbashkëta demokratike“.