Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot ishte mysafir në përvjetorin e parë të Agjencisë për Siguri Nacionale (ASN).
Me këtë rast, Kryeministri Zaev u drejtua para të pranishmëve dhe më pas mbajti fjalim para medieve, të cilin e përcjellim në tërësi në vazhdim të kësaj kumtese:
“Sot bashkë me të punësuarit e Agjencisë për Siguri Nacionale shënojmë përvjetorin e parë nga themelimi i Agjencisë për Siguri Nacionale. Dëshiroj që çdo 1 shtator në të ardhmen ta shënojmë në emër të realizimit të suksesshëm të mëtejshëm të detyrave të ndërlikuara të sigurisë.
Me fillimin me punë të Agjencisë për Siguri Nacionale, pikërisht para një viti, u bë hapi i fundit në reformën e sektorit të sigurisë në vendin tonë, me të cilin Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila në periudhën e kaluar ishte keqpërdorur për interesa personale dhe grupore, përfundimisht hyri në histori.
Me reformat qeveritare në sistemin e shërbimeve të sigurisë, paraprakisht themeluam Agjencinë Operative Teknike, me të cilën thyem monopolin, gjegjësisht përqendrimin e fuqisë që ish UÇK-ja e kishte në sistemin e ndjekjes së komunikimeve me të cilin u bënë keqpërdorime të rënda dhe ndërhyrje serioze në privatësinë e qytetarëve.
Procesi i reformës së sistemit të inteligjencës së sigurisë u plotësua me themelimin e Organit për koordinim të bashkësisë së inteligjencës së sigurisë me fushëveprimi të përcaktuar saktësisht të punës, përbërjes, mënyrës së punës dhe marrjes së vendimeve, si dhe aspekte konkrete në lidhje me punën e tij në funksion të zbatimit të koordinimit efikas të bashkësisë të inteligjencës së sigurisë.
Tani kemi Agjenci e cila punon tërësisht në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore, siç i ka hije një shërbimi të sigurisë të një vendi anëtar të NATO-s. Shërbim me koncept zhvillimi për avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të sistemit të sigurisë, që të mund me sukses të merret dhe ballafaqohet me kërcënimet dhe rreziqet bashkëkohore të sigurisë nacionale dhe ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, Agjencia do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Qeveria, por edhe institucionet e tjera në vend. Në këtë mënyrë, bashkë me urimet për përvjetorin, uroj që të gjithë në Agjencinë për Siguri Nacionale me guxim të vazhdojnë të punojnë edhe më të motivuar dhe me këmbëngulje të punojnë në ndërtimin e një shërbimi bashkëkohor të sigurisë që tërësisht do të jetë në funksion të mbrojtjes së interesave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj”.