”Po përpiqemi drejt qëllimit të njëjtë – të realizojmë pagë minimale prej 20.000 denarë, me të cilën e realizojmë edhe kërkesën e sindikatave për pagë minimale e cila është gati se 60 % prej pagës minimale, ndërsa paga mesatare neto presim të rritet deri në 34.000 denarë deri në fund të mandatit”, theksoi Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, në deklaratën për media para fillimit të takimit të sotëm me përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave.
Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria vazhdon ti ruajë parimet e drejtësisë, partneritetit dhe gjithëpërfshirjen, duke investuar në punonjësit të cilët, siç theksoi Zaev, janë forca lëvizëse e ekonomisë dhe njoftoi masa të reja në sferën e sigurisë sociale.
“Tërësisht jemi të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve me Ligjin e ri për marrëdhënie pune që do ti përmbajë tendencat evropiane dhe botërore në raportet e punës. Kontratat e punës me afat të caktuar do të jenë vetëm në kushte jashtëzakonisht objektive dhe me kohëzgjatje deri në 1 vit.
Përmes stabilizimit të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor garantojmë pagesën e rregullt dhe të qëndrueshme të pensioneve. Sjellim mundësi edhe për pensionim të parakohshëm deri në maksimum 5 vjet para realizimit të së drejtës për pension. Nuk i harruam as kategoritë më të prekshme. Do të sjellim pension shtetëror social për çdo person mbi moshën 65 vjeçare i cili në 20 vitet e fundit ka jetuar në territorin e vendit tonë dhe nuk i realizon kushtet për pension pleqërie. Gjithashtu, do të mundësojmë që popullsia më e vjetër bujqësore, me stazh prej 15 vjet dhe të vjetër deri në 65 vjeç, të shfrytëzojnë pensionin”, theksoi Kryeministri Zaev.
Duke u fokusuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave punëtore, Kryeministri Zaev nënvizoi se me përkushtim po punohet në kthim të garantuar në vendin e punës pas pushimit të lindjes të të dy prindërve për 1-3 muajt e parë të pushimit të lindjes.
Në fund, Kryeministri Zaev i siguroi përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave se në kohë pandemie me COVID-19, Qeveria do të vazhdojë ti ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e të gjithë punonjësve të saj dhe vendeve të tyre të punës.
“Kujdesi jonë për punonjësit dhe sundimi i së drejtave të punonjësve vazhdon me kontroll më të rreptë, më thelbësor dhe kontroll të rregullt të orarit të punës. Dita e diel do të jetë ditë jo pune për të gjithë që duan të jenë me familjet e tyre, ndërsa do të sigurojmë edhe realizim të tërësishëm të së drejtës për pushim vjetor. Me këtë takim edhe njëherë e konfirmojmë vullnetin tonë të fuqishëm që të jemi partner i vërtetë social për të gjitha palët e interesuara në shtetin tonë dhe të investojmë në kapitalin njerëzor”, përfundoi Kryeministri Zaev.
Në takim morën pjesë dhe ministrat e ngarkuar për resorët ekonomik, Fatmir Bytyqi , zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështje ekonomike dhe koordinim me resorët ekonomik, Fatmir Besimi, ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë, Arjanit Hoxha, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë, Jagoda Shahpaska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.