Bytyqi për buxhetin për vitin 2021 – Ekonomija është prioritet i Qeverisë, mbi 70 milijard denar për aktivitete ekonomike

Të dashur qytetarë të Republikës së Maqedonisë  së Veriut,

 Të nderuar përfaqësues të mediave,

 Të nderuar drejtorë,

 Si Qeveri e përgjegjshme, e hapur dhe llogaridhënëse prezantojmë Projekt Buxhetin për vitin 2021, secili prej ministrave në resorin e vet dhe kompetencat e tyre.

Të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën kalon shoqëria jonë dhe ekonominë e brendshme, pikërisht për këtë ky buxhet është përpiluar për t'iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet ekonomia dhe qytetarët, si pasojë e krizës socio-ekonomike nga Kovid 19, por njëkohësisht për të mundësuar zhvillimin dhe për të ndikuar në konsolidimin gradual dhe stabilizimin e ecurisë ekonomike.

 

Më lejoni të shpalos informacionet bazë për buxhetin e vitit 2021. Buxheti është parashikuar me  247.5 miliardë denarë ose rreth 4 miliardë euro. Kjo është 2.1 pikë përqindje më pak se buxheti i vitit 2020. Njëkohësisht presim  rritje të ndjeshme të të ardhurave, me rreth 8.3%, e cila pritet të jetë 212.6 miliardë denarë ose 3.45 miliardë euro, me çka deficiti buxhetor prej 8.5%, siç do të jetë në vitin 2020, do të bjerë në 4.9% të PBB-së. Kur përmenda që ky buxhet do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm, do të thotë që ne kemi një plan, në 5 vitet e ardhshme, pra në 2025, për të ulur deficitin buxhetor në 2.5% të PBB-së.

 

Buxheti i vitit 2021 ka tre qëllime kryesore:

 

1. të siguroj mbështetje dhe avancim të mëtejshëm të sektorit shëndetësor, i cili mbetet një nga prioritet kryesor, kryesisht për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së të gjithë qytetarëve tanë;

 

2. të mbështes rimëkëmbjen ekonomike, përkatësisht të ndihmojë  të gjitha ato ndërmarrje mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha, të cilat si pasojë e pandemisë do të kenë nevojë për ndihmë për tu mëkëmbur, por edhe për t’i stimuluar kompanitë që punojnë me sukses, të zhvillohen më tej, të zgjerojnë, rrisin prodhimin dhe eksportin dhe kështu  të përshpejtojmë rritjen ekonomike dhe

 

3. të ruajmë dhe avancojmë funksionet themelore të shtetit dhe të mundësojmë zbatimin efikas të reformave të nevojshme për integrimin euroatlantik, me fokus të veçantë në reformën gjyqësore.

 

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve të planifikuara, ne presim që me këtë buxhet të sigurojmë rritje të prodhimit të brendshëm bruto prej 4.1%, për të stimuluar eksportin, i cili presim të rritet me 14.4%, njëkohësisht të rriten investimet bruto me 8.4 % Si një nga përbërësit më të rëndësishëm në formimin e PBB-së është konsumi privat për të cilin kemi një parashikim të rritjes prej 3.8%, dhe mobilizimi i aktivitetit ekonomik, besojmë se do të çojë në rritje të numrit të të punësuarve me rreth 2%.

 

Buxheti për 2021 është pjesë e Strategjisë sonë për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar në periudhën 2021-2025, është një plan që në fazën fillestare do të sigurojë rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë me Kovid 19, dhe paralelisht, në vitet e ardhshme më intesivisht do të nxit rritjen ekonomike të përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të forcojë konkurrencën e sektorit privat, si dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe mundësive të barabarta për qytetarët. Me këtë buxhet dhe ato të ardhshëm, ne presim që të kthehemi në nivelin e para krizës të PBB-së në gjysmën e dytë të vitit 2022, dhe tashmë në vitin 2025, ekonomia jonë të rritet me një normë prej 5.9%. Pa dyshim, nevojiten shkallë më të larta të rritjes, që do të thotë një vëllim më i madh i prodhimtarisë, krijimi i prodhimeve me vlerë të shtuar më të lartë, zgjidhje inovative dhe e gjithë kjo do të rezultojë me një standard më të lartë jetese për qytetarët.

 

Siç deklaruan kryeministri Zaev dhe M inistri i financave në prezantimin fillestar të projekt buxhetit, 70.2 miliardë denarë, ose 1.14 miliardë euro, janë planifikuar për aktivitetet ekonomike në vitin 2021, të cilat kur merren parasysh grupet e tjera të shpenzimeve të jetë shuma e dytë më e madhe pas transferimeve sociale. Kjo do të thotë që ne kemi shumë shpresë në ekonomi dhe se me të vërtetë do ta mbështesim.

 

Ne do të vazhdojmë me realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, komunale dhe energjetike, do të ndërtojmë, rehabilitojmë dhe pajisim ambiente në shëndetësi, arsim, kulturë, sport, do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural, duke ruajtur dhe përhapjen rajonale të ekuilibruar, dhe do të punojmë drejtpërdrejt për të mbështetur të gjitha kompanitë.

 

Kur bëhet fjalë për projektet kapitale, unë do të përqendrohem vetëm në fondet e planifikuara të buxhetit për zbatimin e tyre, të cilat vlejnë 23 miliardë denarë (374 milion euro) dhe janë 20% më të larta se rebalanci i dytë i buxhetit për vitin 2020. Krijimi i Njësisë Qendrore për Mbikëqyrjen dhe Realizimin e Investimeve Kapitale, është risi me të cilën do të sigurohemi me nivel të lartë të realizimit të tyre. Unë, personalisht, besoj se investimet kapitale, edhe këto nga buxheti dhe ato që ne i realizojmë përmes huamarrjeve, duhet të jenë me dinamikën më të shpejtë të mundshme, ato do të jenë një element i rëndësishëm për rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomisë, por jo vetëm kaq, ato do të jenë investim për të ardhmen, një parakusht për një zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

 

Me buxhetin për vitin 2021, kemi planifikuar fonde me vlerë prej 3 miliardë denarë, ose rreth 50 milion euro, për masat e mundshme në të ardhmen për t'u ballafaquar me krizën Kovid, të cilat do të mbështesin ekonominë dhe qytetarët.

 

 

Fokusi im sot do të jetë në programet që do të stimulojnë investime të reja, vendase dhe të huaja, në objektet e prodhimit, avancimin e kompanive ekzistuese, mbështetjen e konkurrencës dhe sjelljen e inovacioneve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe paga më të larta për punëtorët.

Kjo mbështetje në Projekt Buxhetin për vitin 2021 ndahet në disa programe që së bashku kanë një vlerë të parashikuar prej 7.1 miliardë denarë ose 115.5 milion euro.

 

Më lejoni të prezantoj secilin program veçmas:

 

Një nga programet më të mëdha të veçanta është nxitja e punësimit, i cili këtë vit do të arrijë në 1.9 miliardë denarë dhe do të sigurojë mbështetje për formimin e kompanive të reja, përmes vetëpunësimit dhe punësimit të personave të tjerë të papunë, por edhe trajnim për të papunët për të ndihmuar në procesin e rikualifikimit dhe përsosjes të stafit në dispozicion për të tejkaluar hendekun midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.

 

Në vitin 2021, ne vazhdojmë të zbatojmë masat e Planit të Rritjes Ekonomike, përkatësisht mbështetjen e kompanive përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve dhe Programit për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të Fondit për Inovacionet dhe Zhvillimin Teknologjik.

 

Sipas Planit të Rritjes Ekonomike, me të cilin në 3 vitet e kaluara, kemi ofruar mbështetje për mbi 200 ndërmarrje vendase përmes masave të Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve dhe 550 ndërmarrjeve përmes masave të FIZhT-së , në vitin e ardhshëm janë parashikuar mbi 2.5 miliardë denarë ose rreth 41.1 milion euro.

 

Këto fonde do të përdoren për investime në ndërtimin e sallave dhe furnizimin e makinerive të kompanive vendase dhe të huaja në Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, por edhe jashtë tyre, për të mbështetur zhvillimin e qendrave kërkimore, për të pushtuar tregje të reja, zhvillimin teknologjik dhe inovacionet, thjeshtë të nxisim dhe përshpejtojmë veprimtaritë afariste të kompanive.

 

 

Në këta disa muaj,  do të punojmë për ndryshime dhe plotësimet të Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, në mënyrë që të lehtësojmë kriteret për aplikimin e kompanive, d.m.th për t'i përshtatur ato në përputhje me situatën me Kovid 19.

 

Nga këto 41 milion euro që përmenda, një pjesë e mirë, pra, rreth 11.4 milion do të ndahen për programet e Fondit për Inovacionet dhe Zhvillimin Teknologjik, dhe 2 milion euro shtesë do të sigurohen me mbështetjen e Bankës Botërore. Kjo do të thotë se vazhdojmë  me kontinuitet të mbështesim kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme, diçka që në të kaluarën nuk ishte aq shpesh por, edhe duke inkurajuar zhvillimin teknologjik, digjitalizimin, përfshirjen e inovacioneve. Vetëm kështu mund t'i ndihmojmë kompanitë tona të zhvillojnë konkurrencën e tyre në tregjet e brendshme e sidomos në tregjet e huaja.

 

Do doja të theksoj se vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me investime në infrastrukturën e zonave të zhvillimit teknologjik-industrial, për të cilat janë planifikuar 496 milion denarë, ose 8 milion euro, për të krijuar kushte edhe më të mira për investitorët.

 

Vazhdojmë të mbështesim edhe zhvillimin e balancuar rajonal përmes programit përkatës të  Ministrisë së  e Vetëqeverisjes Lokale, ku këtë vit do të ndajmë 453 milion denarë, ose rreth 7.5 milion euro, që është 33% më shumë se në vitin 2020.

 

Me fonde buxhetore do të financojmë një pjesë të investimeve në infrastrukturën hekurudhore, gazifikimin, zhvillimin e hidro-sistemit Zletovica, zhvillimin e projekteve të energjetikës, si dhe turizmin lokal dhe rajonal.

 

Të dashur bashkëqytetarë,

 

Siç e përmenda në fillim, buxheti për vitin 2021 është i dimensionuar dhe i dizajnuar për të përmbushur nevojat reale të shtetit, ekonomisë dhe qytetarëve. Ekonomia është një nga përparësitë kryesore. Vetëm me investime në ekonomi, ne do të sigurojmë konsolidim më të shpejtë të shoqërisë, dhe pastaj rritje dhe zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

 

Ky buxhet është për qytetarët, për ekonominë, për të gjithë ne.

 

Faleminderit për vëmendjen!