Interesi publik dhe komunikimet e qeverisë
Çfarë është interesi publik?
Edhe pse interesi publik nuk është i përshkruar në mënyrë precize me definicion, e as është rregulluar në mënyrë gjithëpërfshirëse vëllimi i tij, ai paraqitet si kriter shumë i rëndësishëm në
legjislativin dhe politikat publike në shtet.
Interesi publik mund të kuptohet si shumë e të drejtave dhe obligimeve, të cilat ndikojnë në tërë popullatën e një shteti. Vëllimi i interesit publik përcaktohet nga shteti përmes së drejtës. Ai
përfshin një varg të fushave, të cilat prekin në sfera të ndryshme të shoqërisë dhe në jetën e njeriut, si për shembull: të drejtat e njeriut dhe siguria, rritja ekonomike, standardi jetësor, vlerat
kulturore dhe religjioze e të tjera.
Interesi publik është interesi i bashkësisë më të gjerë si tërësi, e cila ka përparësi para nevojave individuale dhe të drejtave të individëve. Kjo zakonisht reflektohet në obligimet të cilat
qytetarët duhet t’i përmbushin ndaj shtetit, siç janë pagesa e tatimeve ose respektimi i shenjave të komunikacionit, sepse konsiderohet se respektimi i këtyre rregullave dhe i obligimeve të
individëve është në interes më të mirë të qytetarëve. Së këtejmi, interesi publik mund të shihet si shumë e të drejtave dhe obligimeve të individëve dhe komunitetit ndaj shtetit, si dhe i
obligimeve të institucioneve shtetërore për mbrojtje dhe avancim të të drejtave të caktuara të parapara në dispozitat juridike.
Parimet e komunikimeve qeveritare dhe fushatave qeveritare me interes publik
Relevancë – në pajtim me kompetencat qeveritare, politikat dhe përgjegjësitë prioritare:
Çështje konkrete që duhet të jenë lëndë e publicitetit qeveritar duhet të jenë ato për të cilat Qeveria ka kompetenca të drejtpërdrejta dhe thelbësore. Në mënyrë përkatëse është e nevojshme që Qeveria t’i shpjegojë dhe arsyetojë politikat dhe vendimet e veta dhe, kur ka nevojë, të informojë, këshillojë ose t’ia tërheqë vërejtjen opinionit. Qeveria ka përgjegjësi dhe të drejtë ta shfrytëzojë publicitetin për ta nxitur sjelljen e cila është me “interes publik”.
Komunikim objektiv dhe informativ, paanim ose polemikë:
Trajtimi i informacionit duhet të jetë sa është e mundur më objektiv. Informacionet qeveritare ose aktivitetet për publicitet duhet gjithmonë të synojnë drejt informimit të opinionit, madje edhe kur qëllimi është të ndikohet në sjelljen e personave ose të grupeve të caktuara (për shembull: mesazhe për mbrojtje shëndetësore ose për siguri). Duhet të shmanget personalizimi i problemeve ose ndërtimi i imazhit personal.
Komunikime jo-partiake:
Nuk është përkatëse të arsyetohen ose mbrohen politikat me shfrytëzimin e mesazheve që janë tipike për partitë politike, të promovohen aktivitete partiake ose drejtpërdrejtë të sulmohen politika dhe mendime të partive opozitare dhe të grupimeve (edhe pse mundet ndonjëherë të jetë e nevojshme t’u përgjigjet të njëjtave në mënyrë konkrete dhe korrekte). Duke e pasur parasysh sistemin politik shumë partiak në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është e mundur fushatë e vendosur mirë publike që të krijojë kredi politike ose dëm për partitë nga pushteti ose nga opozita, por kjo nuk guxon të jetë qëllim as i drejtpërdrejtë e as i tërthortë i informacioneve qeveritare ose i aktiviteteve publike që janë të paguara me mjete publike.
Ekonomitet, proporcionalitet dhe racionalitet:
Shpërndarja e informacioneve me publikun duhet të jetë e organizuar në mënyrë ekonomike dhe përkatëse, ndërsa për shpenzimin e parave publike duhet të informohet në mënyrë transparente. Qeveria është transparente ndaj Parlamentit për atë se në çfarë mënyrë i shfrytëzon resurset publike ose shpenzimet. Fushatat informative me karakter publik të Qeverisë duhet të garojnë për vëmendje nga opinioni me aktivitete të tjera në shoqëri. Për të qenë efektive, ato duhet të jenë të prezantuara në mënyrë profesionale, përkatësisht në mënyrën, me të cilën opinioni merr mesazh të qartë. Me këtë rast, prezantimi i keq mund të thotë shpenzim joefikas të mjeteve publike, duke mos i arritur rezultatet e pritura. Do të kishte qenë kundër produktive nëse shkalla e shpenzimit të mjeteve për fushatë publike e pengon komunikimin e mesazhit që duhet të transmetohet. Nevojitet planifikim i qëllimeve të sakta të komunikimit, të masave dhe sistemeve për vlerësim për çdo komunikim që përfshin shpenzime për resurse me qëllim të sigurimit të efektivitetit dhe të rezultateve në realizimin.