“Kuzhina popullore komunale është shembull ku mund të pasqyrohen edhe komunat e tjera ku jeton popullsi me rrezik social. Veçanërisht dua të theksoj rolin e vullnetarëve në kuzhinën kombëtare, kuzhinierët dhe ata që shpërndajnë ushqimin e përgatitur për bashkëqytetarët e tyre. Dua t’u uroj të gjithë kompanive dhe fondacioneve me përgjegjësi shoqërore të cilët marrin pjesë me donacionet e tyre që kuzhina popullore për çdo ditë ta përmbush misionin humanitar. Ata janë një shembull frymëzues që të përfshihen sa më shumë kompani, afaristë, politikanë me kontributin e tyre në projekte të tilla me përgjegjësi shoqërore", tha Kryeministri Zaev gjatë vizitës së sotme në kuzhinën e popullore në Shuto Orizare, e cila për çdo ditë gatuan 320 deri në 380 vakte të nxehta në kuzhinën “Kopshti i Fëmijëve 8 prilli”.
Në kuadër të vizitës, Kryeministri Zaev bashkë me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska inspektuan fazën e dytë të ndërtimit të kopshtit të fëmijëve dhe qendrën e fëmijëve të rrugës.
“Rinovimi i tërësishëm i kopshtit “8 Prilli” dhe Qendrës për fëmijët e rrugës, që ishin kapluar nga zjarri në vitin 2017, është faza e dytë, pasi në të parën përfundoi pjesa e parë e kopshtit, e cila tashmë ka kapacitet për t’u kujdesur për 150 fëmijë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale merr pjesë në pajisjen e kopshtit në vlerë prej 6.5 milionë denarë, përderisa aktivitetet ndërtimore janë realizuar me 1.5 milionë dollarë nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd përmes UNDP-së”, sqaroi Kryeministri Zaev dhe shtoi se janë siguruar kushte sipas standardeve më të larta për efikasitet energjetik, si dhe standarde për qasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të pasur qasje të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre.
Ministrja Shahpaska mirëpriti iniciativën e Komunës Shuto Orizare për hapjen e kuzhinës popullore, e cila siguron vakte për personat me rrezik social. Gjë që gjithashtu paraqet reflektim të politikave të pushtetit qendror në nivel lokal. Një gjest human dhe fisnik që nënkupton ngritjen e vetëdijes shoqërore për kujdes ndaj personave me nevojë.
“Krahas kujdesit për më të rrezikuarit, një çështje e lartë në agjendën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është edhe kujdesi për më të rinjtë. Sot vizituam kopshtin “8 prilli”, i cili është një nga projektet e përbashkëta dhe të partneritetit me Mbretërinë e Norvegjisë dhe UNDP. Qëllimi jonë është të ndërtojmë pjesën e dytë, e cila do të mbulonte gjithsej 306 fëmijë, 70 prej të cilëve janë në çerdhe. Kjo gjithashtu nënkupton mundësimin e nënave për t'u përfshirë në tregun e punës", tha Shahpaska.
Ndërtimi i Qendrës për Fëmijët e Rrugës është planifikuar të përfundojë në muajin maj të këtij viti, me të cilin sigurohet kapacitet për t’u kujdesur për 100 fëmijë të rrugës në moshë prej 5 deri në 13 vjet me qëndrim të plotë nën kujdesin e 8 punonjësve profesional.
Kryetarja e Këshillit Komunal të Shuto Orizares, Fatima Osmanovska, theksoi se vizita e sotme i inkurajon dhe jep një sinjal pozitiv për përfshirjen e institucioneve në zbatimin e kuzhinës popullore dhe falënderoi Kryeministrin për donacionin personal të produkteve, të cilët siç tha, duhet të shërbejnë si shembull për përgjegjësi personale për ta kthyer në komunitet.