Plani operativ për vitin 2021 i prezantuar - për programet dhe masat aktive të punësimit. Janë ndarë 24.5 milionë euro për përfshirjen e 10.279 qytetarëve

Plani operativ i programeve dhe i masave aktive të punësimit dhe i shërbimeve të tregut të punës këtë vit arrin në 1.5 miliardë denarë dhe do të përfshijë 10.279 persona, informuan në konferencën për shtyp, zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike Fatmir Bytyqi, Ministrja e Punës dhe e Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, Drejtori i Agjencisë së Punësimit, Abdush Demiri dhe përfaqësuesja e përhershme e Programit për Zhvillim të KB-së, Narine Sahakyan.

"Me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 24.5 milion euro, Plani i ri operativ i këtij viti do të forcojë dhe mbështesë tregun e punës në vend, për të tejkaluar pasojat e krizës së Covid-19," theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi.  

Ai vuri në dukje se gjëja e rëndësishme në implementimin e Planit operativ të këtij viti është se ai do të jetë një mbështetje për ata që humbën vendet e tyre të punës gjatë kësaj krize. Kthimi i tyre në tregun e punës është gjithëpërfshirës dhe inkurajon zhvillimin e barabartë rajonal.

“Qëllimi i këtyre parimeve është që të arrihet një mbështetje e barabartë me Planin operativ, i cili nuk do të jetë selektiv dhe do të mbulojë të gjitha kategoritë e qytetarëve. Qeveria i krijon masat ekonomike për të shpëtuar çdo vend pune, por askush nuk do të mbetet vetëm. Ata që humbën punën gjatë kësaj krizë do të përfshihen në këtë Plan operativ dhe jo vetëm kjo. Për momentin, shëndeti i qytetarëve është një prioritet, gjithçka tjetër do të kompensojmë së bashku,” tha mes tjerash Bytyqi.

"Qëllimi i Planit Operativ është që kategorive të ndryshme të rrezikuara të të papunë, të rinjve, grave, njerëzve me aftësi të kufizuar, njerëzve që humbën vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, që më lehtë dhe më shpejtë të hynë në tregun e punës ", theksoi ministrja Shahpaska.

Ajo theksoi se në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit, Plani operativ i këtij viti u krijua në përputhje me nevojat e të papunëve dhe sipërmarrësve, me qëllimin e vetëm për të siguruar punësueshmëri më të madhe dhe uljen e papunësisë, si dhe nxjerrjen e qytetarëve nga rreziqet sociale.

Nëpërmjet masës "Ekonomia e kujdesit", përkatësisht Trajnimi dhe punësimi i personave për shërbime të kujdesit komunitar ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe personave me sëmundje kronike, ofrojmë trajnime për të papunët të cilët duan të përfitojnë kualifikime dhe aftësi profesionale. Në dhjetë muajt e ardhshëm, ata do të ofrojnë kujdes për personat me aftësi të kufizuar dhe personat me sëmundje kronike dhe për këtë do të marrin ndihmë mujore prej 30.780 denarë. "Kjo masë ka përfshirë 150 njerëz," theksoi Shahpaska.

“Këtë vit, Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara do të përfshihet në zbatimin e Planit operativ me një sërë masash të reja inovative të fokusuara në ekonominë e kujdesit, ku kategorive më të rrezikuara të të papunëve do t'u ofrohen mekanizma për t’i aktivizuar në tregun e punës. Përforcimi ekonomik i grave është një fushë e rëndësishme në punën e UNDP-së, dhe kjo është arsyeja pse këto aktivitete do të përfshijnë mënyra të reja për të forcuar pozicionin e grave në tregun e punës. Në të njëjtën kohë, do të ofrohen kushte më të mira sociale për më të rrezikuarit, dhe nga ana tjetër, do të hapen vende të reja pune për gratë që më parë ishin të ngarkuara me punë të papaguar,"tha Narine Sahakyan, përfaqësuese e përhershme e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në vend.

Drejtori i APRMV-së Abdush Demiri theksoi se Agjencia e Punësimit është plotësisht e përgatitur për realizimin e Planit operativ të Punësimit për vitin 2021  i cili përmban programe dhe masa që do të sigurojnë krijimin dhe mbështetjen e vendeve të punës dhe rritjen e punësueshmërisë së të papunëve.

“Duke filluar nga sot të papunët dhe punëdhënësit do të mund të aplikojnë për programet dhe masat e punësimit për të cilat këtë mëngjes APRMV-ja shpalli konkurset publike, përkatësisht për Programin e vetëpunësimit, Masën e subvencionimit të rrogave, Programin e punës praktike, Masën e trajnim në vend të punës për një punëdhënës të njohur dhe Programin e punëve publike” informoi Demiri.