Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, iu drejtua sesionit të 65-të të Komisionit për Statusin e Grave të Kombeve të Bashkuara, që mbahet nga dt. 15 deri më 26 mars të vitit 2021 me temën “Pjesëmarrja e plotë dhe efektive e grave në vendimmarrje në jetën publike dhe fuqizimi i grave”.
Në fjalimin e saj, ministrja Shahpaska theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut bashkohet me deklaratën e Bashkimit Evropian në lidhje me statusin e grave, deklaratë kjo që është dhënë në fillim të debatit të përgjithshëm.
“Barazia gjinore është detyrim dhe përparësi e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe, si e tillë, është pjesë e Programit të Qeverisë 2020-2024 dhe Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm në vitin 2030, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal”, theksoi Shahpaska.
Ajo theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes mekanizmave të saj në periudhën e mëparshme arriti disa rezultate domethënëse në arritjen e barazisë gjinore. U miratua Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, i cili është plotësisht i harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna kundër grave dhe dhuna në familje, i harmonizuar plotësisht me Konventën e Stambollit. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka filluar procesin e hartimit të Strategjisë së re për Barazinë Gjinore 2021-2026.
“Në periudhën e ardhshme, fokusi i punës sonë do të orientohet në përgatitjen e Ligjit të ri për barazinë gjinore, i cili pritet të përmirësojë mekanizmat për barazinë gjinore në nivelin kombëtar dhe lokal, si dhe krijimin e një Qendre Trajnimi për buxhetim të përgjegjshëm gjinor e që do të jetë një edukim i vazhdueshëm për të gjithë makinerinë gjinore në vend”, potencoi ministrja.
Më tej, ajo theksoi se Ministria do të vazhdojë të punojë në krijimin e politikave dhe masave të punësimit që do të zvogëlojnë pasivitetin e grave në tregun e punës, në politika që rregullojnë pushimin prindëror, mbrojtjen e vendit të punës, orarin fleksibil të punës dhe punën me orar të shkurtuar dhe vendet për nënat, si pjesë e ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për marrëdhëniet e punës.
“Në fund, dua të theksoj përkushtimin e fuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vazhdimin e ndërmarrjes së hapave seriozë që orientohen në avancimin e barazisë gjinore dhe, me këtë, edhe në përafrimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian, si dhe arritjen e barazisë gjinore si prioritet i Qeverisë”, porositi ministrja Shahpaska.