Zaev: Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën e tyre në luftën kundër fashizmit, përmes së cilës u ngrit shtetësia maqedonase, e udhëhequr nga parimet e drejtësisë, solidaritetit dhe barazisë

Me rastin e 9 Majit, Ditën e fitores ndaj fashizmit, në Luftën e Dytë Botërore, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bashkë me ambasadoren e SHBA-ve në vend, Kejt Meri Bërnz dhe përfaqësues të Lidhjes së Luftëtarëve është përkulur para përmendores së ngritur për nder të pesë pilotëve amerikanë, në fshatin Vratnicë, Tetovë.

Dy prej tyre jetën e humbën kur më 26 gusht në vitin 1944, aeroplani i tyre u rëzua nga forcat okupatore në Maqedoninë e atëhershme. Tre anëtarët tjerë të ekuipazhit të bombarduesit amerikan “Liberator B-24G”, me kod “Dashuria Jonë”që është qëlluar dhe ka rënë në Malin Sharr mbi fshatin Vratnicë, janë shpëtuar dhe evakuuar në vend të sigurt.

Siç theksoi Kryeministri Zaev, aksioni për shpëtimin e tyre nga ana e popullatës në Vratnicë është një shembull i radhë, i cili edhe një herë e konfirmon përcaktimin e qartë të popullit në këtë vend gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Duke qëndruar në krah të Aleancës së Forcave Progresive Antifashiste, ata jo vetëm që i dhanë fund luftës së përgjakshme botërore në fushat e betejës, por gjithashtu i dhanë fund masakrës së fashizmit që vrau miliona civilë të pafajshëm dhe njerëz në kampet e vdekjes. Përkujtimi i ngjarjes së 1944 në Vratnicë dhe përkujtimi i pesë pilotëve tashmë është pranuar si një nga momentet më simbolike të bashkëpunimit tonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Zaev.

Duke u përqëndruar në bashkëpunimin e suksesshëm me SHBA-në, ai përkujtoi në aleancën formale si anëtarë të NATO-s dhe si edhe një mirënjohje për vlerën e Marrëveshjes për partneritet strategjik nga viti 2008.

“Nder i madh, e në të njëjtën kohë edhe krenar, si vazhdues i traditave dhe si kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të përkulem para luftëtarëve, të cilët luftuan dhe ende luftojnë kundër fashizmit. I përkulem veprës së Juaj. Dhe nder është për mua që e vazhdoj veprën e Juaj, e cila për mua është amanet se lufta kundër fashizmit asnjëherë nuk do të ndalet”, tha Zaev.

Ambasadorja e SHBA-së e theksoi rëndësinë e ngjarjes së sotme dhe lokacionin ku është ngritur përmendorja.

“Ky është vendi ku njerëzit e dy vendeve tona mund të tubohen që të festojnë guximin para rreziqeve dhe konfliktive. Pikërisht në një mal në afërsi më 26 gusht të vitit 1944 u rrëzua bombarduesi amerikan B-24G, pasi e qëlloi zjarri armiqësor derisa kthehej në Itali nga Rumania. Fshatarët e eksponuar në rrezik, u ndihmuan tre anëtarëve të mbijetuar të ekuipazhit dhe i kanë nxjerrë trupat e dy të tjerëve dhe i kanë varrosur. Kjo ka qenë akt i madh human, për të cilin vendi im është falënderues”, përkujtoi Bërnz.

Ambasadorja Bërnz u përqëndrua edhe në sfidën me të cilën tërë bota po ballafaqohet më shumë se një vit.

“Së bashku do t’i ripërtërijmë ekonomitë tona, do t’i jetësojmë partneritetet tona dhe do të mësojmë nga tragjedia, njëjtë siç do i shfrytëzuam tmerret nga Lufta e Dytë Botërore për të ndërtuar një rend të ri nga rrënojat e Evropës. Ky shërben si një gur themeli i stabilitetit dhe prosperitetit për këtë kontinent, i cili mbetet një partner i qëndrueshëm për Shtetet e Bashkuara. Më e rëndësishmja është që ajo bazohet në unitet, bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë", konkludoi Bërnz.

Kryetari i bordit kryesor të Lidhjes së Luftëtarëve, Nikolla Stojanovski, në fjalimin e tij rikujtoi rolin që Maqedonia e Veriut e pati në luftën kundër fashizmit.

“Sot, kur nderojmë dhe kujtojmë sakrificat e mëdha dhe luftën e përbashkët për liri, Lidhja e Luftëtarëve është krenare që nxjerr në pah kontributin tonë për një Evropë të lirë dhe demokratike, një komunitet me të cilin kemi ndarë idealet e epokës së re. Ajo Evropë dhe ajo botë, miq të dashur, të jetë kundër neofashizmit dhe populizmit ekstrem, kundër ksenofobisë, racizmit, intolerancës fetare dhe dhuna të tjera, kundër luftërave, imponimeve hegjemoniste, terrorizmit në format e saj. Le të zëvendësojmë rrezikun me riafirmimin e parimeve të Kombeve të Bashkuara, të drejtave të njeriut, ligjit dhe drejtësisë në botë", tha Stojanovski.

Bozhin Millosavlevski, banor i fshatit Vratnicë, ritregoi historitë nga bashkëfshatarët e tij të cilët heroikisht ndihmuan në shpëtimin e pilotëve.