U mbajt mbledhja e Komisionit për partneritet publiko-privat - Të gjitha temat e rëndësishme për ekonominë diskutohen drejtpërdrejt me përfaqësuesit e odave ekonomike

Sot, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt mbledhja e rregullt mujore e Komisionit për dialog publiko-privat, me të cilën bashkëkryesoi zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ku morën pjesë edhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave Arianit Hoxha, zëvendësministri i financave Dimitar Kovaçevski, zëvendësministri i ekonomisë Zoran Manevski, zëvendësministri i punës dhe politikës sociale Enver Husejin, si dhe kryetarët e drejtorët ekzekutivë të katër odave më të mëdha ekonomike, anëtarët e Platformës së partneritetit publiko-privat (Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriore, Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe MASIT).

Në mbledhjen e sotme u diskutua procesi i vaksinimit të të punësuarve në sektorin real, matja e tregtisë së jashtme kur bëhet fjalë për produktet dhe shërbimet e industrisë së TIK, Ligji për subvencionimin e kontributeve për pagesën e rrogave më të larta deri në 6.000 denarë, Ligji për shitje e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, mbështetje për përpunuesit e grurit, procesi i zvogëlimit ose heqjes së taksave parafiskale dhe reformat e sistemit tatimor.

Ministri i shëndetësisë Filipçe informoi se procesi i vaksinimit po zhvillohet pa pengesa, ka mjaft vaksina për të gjithë ata që aplikojnë për vaksinim, kurse po punohet në prokurimin e sasive të reja të vaksinave, në mënyrë që ky proces të jetë i pandërprerë. Ai shtoi se sasi të reja të vaksinave "Pfizer", "Sinovak" dhe "Astra Zeneka" do të arrijnë shumë shpejt, kështu që do të sigurohet një proces i vazhdueshëm i vaksinimit për qytetarët, përfshirë të punësuarit e kompanive që janë anëtare të odave.

Në lidhje me Ligjin për subvencionimin e kontributeve në rast të pagesës së rrogës më të lartë deri në 6.000 denarë, zëvendëskryeministri theksoi se aplikimi i kompanive për mbështetje përmes kësaj mase është shumë i thjeshtë dhe bëhet në mënyrë që të mos ngarkohen kompanitë me obligime administrative shtesë, e kompanitë do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë përfitimet e ligjit deri më 31 tetor të vitit 2022. Përmes këtij Ligji, i cili u miratua në vitin 2019, kompanitë u stimuluan për të mbajtur të punësuarit e tyre dhe për të rritur rrogat e tyre, ndërsa nuk kishin barrën e rritjes së kontributeve për shtetin, gjë që do të ishte një stimul shtesë për të punësuarit. Zëvendësministri i punës dhe politikës sociale, Enver Husejin informoi se për këtë masë deri më tani janë paguar gjithsej 2 miliardë e 880 milionë denarë për gjithsej 1.888,383 të siguruar deri më tani.

Në këtë takim u theksua nevoja për futjen e standardeve për matjen e eksporteve dhe importeve të shërbimeve nga vendi, me ç’rast u theksua se është thelbësore që këto të dhëna të diversifikohen qartë nga pjesa tjetër, në mënyrë që të harmonizohen hulumtimet e brendshme statistikore me standardet ndërkombëtare.

Në mbledhje u bisedua gjithashtu edhe për përdorimin e potencialit të tokës së punueshme shtetërore, që të arrihet efekti më i madh i bujqësisë, si një nga degët kryesore ekonomike, dhe u hap tema e gjetjes së zgjidhjeve sistemore për të mbështetur përpunuesit e grurit për të stimuluar edhe këtë pjesë të industrisë përpunuese.

Pjesëmarrësit diskutuan edhe për procesin e vazhdueshëm të heqjes ose zvogëlimit të taksave parafiskale, si dhe idetë për disa reforma tatimore që do të miratoheshin në konsultim dhe bashkëpunim të gjerë me të gjithë palët.

Mbledhjet e Komisionit për dialog publiko-privat mbahen rregullisht, zakonisht një herë në muaj në javën e fundit të muajit, në to diskutojnë të gjitha çështjet dhe kërkesat e odave, si dhe aktivitetet që janë të rëndësishme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik.