Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u takua me ish-kryetarin e Selanikut, politikan dhe biznesmen, Janis Butaris, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij qëndroi në vizitë pune në Shkup, pasi që dje mori pjesë në Forumin e Parë Ekonomik në Shkup, organizuar nga Forumi Ekonomik nga Delfi, Greqi, si dhe nga Shoqata Greke e Biznesit në Maqedoninë e Veriut, në partneritet dhe bashkëpunim me kompanitë e vendit.
Në takim u theksua se Forumi i Parë Ekonomik në Shkup ka një rëndësi të jashtëzakonshme si një platformë për lidhjen e liderëve politikë rajonal dhe ndërkombëtarë, ambasadorë, sipërmarrës, figura të shquara nga sfera të ndryshme shoqërore.
Kryeministri Zaev dhe ish-kryetari u Selanikut dhe biznesmen i suksesshëm, Janis Butaris ranë dakord se është me rëndësi të veçantë që në Samit ishin të përfshira tema të zgjedhura saktësisht që i kanë në fokus çështjet më thelbësore që prekin Maqedoninë e Veriut, vendet fqinje dhe rajonin, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëpunimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm ekonomik dypalësh dhe rajonal.
Si një nga biznesmenët më të suksesshëm në industrinë e verës në Greqi dhe në rajon, Butaris e njoftoi Kryeministrin Zaev për iniciativat e reja me të cilat ka ardhur në vendin tonë për të cilat disa nga prodhuesit më të mëdhenj vendas të verës kanë shfaqur interes.
Në takim u theksua se kanë një rëndësi të madhe bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta për qasjen dhe përdorimin e fondeve të BE-së, veçanërisht ato që lidhen me bashkëpunimin rajonal.