Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot morri pjesë në Prespa Forum Dialog organizuar me rastin e manifestimeve në nder të shënimit të 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Grubi me këtë rast ka thënë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në transformimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke e bërë dhe kthyer në një demokraci funksionale multietnike dhe duke u kthyer në faktor kyç për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi gjithashtu para të pranishmëve ka thënë se roli i bashkësisë ndërkombëtare në lehtësimin dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka qenë i madh dhe më se i nevojshëm dhe që pa ndihmën e partnerëve europian dhe miqve amerikan vendi vështirë se do të lëvizte përpara.
Grubi u ka bërë ftesë liderëve të vendeve fqinje por edhe më gjerë që të shfrytëzojmë këtë Marrëveshje unike me qëllim të tejkalimit dhe zgjidhjes së çështjeve të brendshme ose rajonale të hapura.
Në vazhdim ua sjellim fjalimin e plotë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi:
Zonja dhe zotërinj, të dashur miq të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
I nderuar z. Richard Le Roy, përshëndetje dhe mirësevini në Maqedoninë e Veriut,
I dashur Ambasador, mirë se erdhët përsëri në qytetin tuaj të preferuar,
I dashur Edward, kënaqësi të ju kemi përsëri me ne.
Kur vendi im aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2004, miku ynë i dashur Javier Solana shpalosi një maksimë të pranuar gjerësisht në diskursin tonë dhe marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian, duke deklaruar se "Rruga për në Bruksel kalon përmes Ohrit".
Dhe me të vërtetë kështu u bë.
Mbaj mend fytyrën e buzëqeshur të Erwan-it, me pallton e tij të bardhë dhe shallin ngjyra ngjyra, disa ditë pas marrjes së mandatit të tij, duke sjellë një shishe Champaign me qëllim që të festojmë, edhe atë në fund të Dhjetorit të vitit 2005 kur vendi ynë mori statusin kandidat për anëtarësim në BE, pikërisht si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Sot herët në mëngjes, një telefonatë nga z. Ahmeti, i cili është i pranishëm sot këtu me ne, më ndryshoi fjalimin që kisha ndërmend ta mbaj.
Pikërisht 37 vjet më parë, po në këtë ditë, ai u detyrua të largohej dhe të kërkonte azil në Zvicër për të mos parë familjen e tij për më shumë se një dekadë.
Pasi u arrestua dy herë si student nga shërbimi sekret jugosllav pas demonstratave të vitit 1981, ai arriti t'i shpëtonte përpjekjes së tretë dhe u arratis në Zvicër nga ku dhe vazhdoi përpjekjet e tij për demokraci dhe liri.
Që atëherë, shpërtheu lufta në Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, qindra mijëra vdiqën, kurse miliona njerëz u shpërngulën.
Kur i rikthehemi asaj që kemi kaluar të gjithë ne në tre dekadat e fundit dhe ku jemi sot, i bëj pyetje vetes, PSE?
Pse të identifikoni interesin e kombit tuaj në dëm të kombeve tjera?
Nacionalizmi, miqtë e mi të dashur verboi disa prej nesh dhe solli shkatërrim duke bërë që të humbim dy dekada nga jeta jonë.
Për të luftuar atë verbëri masive, duheshin burra dhe gra të guximshëm që të ngriheshin në këmbë dhe të thoshin MJAFT.
Dhe atyre burrave dhe grave u duhej mbështetja e botës së lirë me qëllim që të arrihet paqja.
Burra dhe gra të tillë ishin ata që nënshkruan Marrëveshjen Paqësore të Ohrit 20 vjet më parë dhe marrëveshjen e Prespës para dy viteve.
Nevojitet guxim më i madh për të dhënë fund mosmarrëveshjeve se për të hapur probleme të reja.
"Të bekuar janë paqëbërësit".
Prandaj, unë do të doja të rrisja rëndësinë e barazisë dhe besnikërisë.
Barazia është kusht i të qenit i barabartë në një shoqëri, veçanërisht në status, në të drejta ose mundësi si dhe në obligime dhe besnikëri si lojalitet i një individi ndaj një kombi të tërë, kauze, filozofie, vendi, grupi ose personi.
Sa më shumë të barabartë të ndjehen qytetarët, aq më kohezive dhe e drejtë bëhet shoqëria.
Sa më besnik është shteti ndaj qytetarëve të tij dhe të gjitha komuniteteve, aq më shumë qytetarët dhe komunitetet janë besnik ndaj shtetit.
Çfarë humbi vendi im nga lëvizja dhe realizimi i barazisë së plotë për të gjithë ne dhe nga zbatimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit?
Çfarë humbi vendi im nga të qenit më besnik ndaj të gjithë qytetarëve?
Nuk humbi asgjë, fitoi shumë.
Sot, unë jam krenar që përfaqësoj vendin tim, Maqedoninë e Veriut dhe që mbroj barazinë dhe qëllimin tonë të përbashkët, përpiqem që të dëshmojë që ne i përkasim shoqërisë euro-amerikane kur bëhet fjalë për vlera.
Kolegu im Talati me krenari udhëheq Kuvendin, Bujari kryeson me diplomacinë e vendit, me financat udhëheq Fatmiri, të paktën pesë lojtar shqiptar mbanin me krenari fanellën kombëtares gjatë kampionatit europian të futbollit, znj. Besa shkëlqyeshëm udhëheq me Gjykatën Supreme, e kështu me radhë e kështu me radhë.
Ne jemi më besnik qëkur shteti nisi të promovoj barazinë dhe besnikërinë ndaj të gjithëve njëlloj dhe në mënyrë të barabartë.
Dhe e gjithë kjo u arrit në partneritet të ngushtë me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-në dhe OSBE. Është një histori e përbashkët suksesi të cilën bashkë do ta festojmë dhe shënojmë më 13 Gusht.
Unë do të doja të shprehja vlerësimin tim më të thellë për të gjithë liderët kombëtarë dhe miqtë nga bashkësia ndërkombëtare, disa sot edhe të pranishëm bashkë me ne dhe shumë të tjerë nuk janë në mesin tonë, por ne të gjithë lëvizëm në këtë rrugë të vështirë, së bashku 20 vjet më parë dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë bashkë në udhëtimin e paqes, prosperitetit, zhvillimit dhe integrimit. Një udhëtim ky i cili ka akoma shumë punë për tu bërë.
Negociatat, arritja dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit dhe rregullimet e reja që solli, janë pjesë e rrugëtimit tonë kolektiv nga dështimet e së kaluarës, drejt një të ardhme të barabartë. Kjo është arsyeja pse Marrëveshja e Ohrit shënon fundin e një epoke, që në fakt është më tepër një start i ri, një fillim i ri.
Një brez i tërë është rritur që nga viti 2001.
Ohri ka transformuar thellësisht Maqedoninë e Veriut dhe pas kësaj mbetet ylli ynë udhëzues drejt të ardhmes.
Ndoshta, nëse nuk do të realizohej Marrëveshja e Ohrit, nuk do të ishte realizuar as Marrëveshja e Prespës.
Kjo është arsyeja pse unë inkurajoj, në veçanti miqtë tanë nga rajoni që të përdorin si shembull Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës me qëllim që tu qasen kontesteve që kanë me plot guxim, pasi guximi shpaguhet dhe garanton për brezat që do të vijnë.
Një lider udhëheq dhe nuk udhëhiqet, merr vendime për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e radhës.
Unë e kam të qartë dhe e di plotësisht përgjegjësinë që mbajmë tani mbi shpatullat tona me qëllim që të mbrojmë këtë arritje të jashtëzakonshme dhe për të përkrahur përparimin e 20 viteve të kaluara. Të ndërtojmë një vend që plotëson nevojat e së nesërmes dhe që është i përshtatshëm për të ardhmen tonë mbi baza të barazisë, drejtësisë dhe respektit për dallimet tona.
Ne vazhdojmë të përballemi me sfida të mëdha, por fryma e Marrëveshjes së Ohrit na jep besimin, guximin dhe optimizmin për të përballuar së bashku sfidat që do na dalin përpara në të ardhmen.
Udhëtimi ynë është ende i papërfunduar. Misioni ynë tani është që të ndërtojmë 20 vitet e ardhshme.
Bashkë.
Të gjithë keni qenë shumë të sjellshëm me vëmendjen tuaj dhe ju falënderoj për këtë.