Publikohet thirrje e re publike nga IPARD II, në vlerë prej 9.6 milion eurove, që është në dispozicion për projektet përmes masës 7

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arijanit Hoxha, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Nikica Baçovski, sot njoftuan thirrjen e re nga programi IPARD II.

Bëhet fjalë për Thirjen Publike për masën 7 "Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit të vogël" përmes së cilës në periudhën e ardhshme, 9.6 milion euro do të jenë në dispozicion për ndërmarrjet mikro dhe të vogla për realizimin e investimeve në disa sektorë.

"Fondet nga kjo thirrje publike kanë për qëllim të mbështesin investime të cilat do të kontribuojnë në stimulimin e zhvillimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale dhe në turizmin rural. Mbështetja totale financiare në kuadër të kësaj thirrje publike është 9.6 milion euro, me mundësinë e rritjes së shumës përgjatë thirrjes publike. Fondet për këtë janë të siguruara me mbështetje prej 75% nga fondet e BE dhe 25% si bashkëfinancim nga shteti, kurse kostot totale të pranueshme të investimit nuk do të kalojnë kufirin prej 65%. Me realizimin e kësaj thirrje publike, në mënyrë plotësuese do t'i shfrytëzojmë fondet që janë në dispozicion për ne, si shtet, nga Programi IPARD II”, tha Ministri Hoxha. Ai shtoi se shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Evropian në bujqësi dhe zhvillim rural janë në nivelin më të lartë të mundshëm që nga fillimi i Programeve IPARD në vendin tonë. Ne qëndrojmë në krye të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përfitues të Programit të IPARD. Pas monitorimit, Komisioni Evropian në raportin e fundit për zbatimin e programeve të reformës ekonomike veçoi Republikën e Maqedonisë së Veriut si më të suksesshme, ku për sa i përket shkallës së shfrytëzimit të IPARD II, kemi marrë indeksin më të lartë të performancës krahasuar me vendet e rajonit. Ky vit është i treti me radhë, në të cilin kemi arritur që të shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha fondet dhe nuk do të kthejmë prapa mjete të pashfrytëzuara.

Drejtori i AMFBZHR, Nikica Baçovski, theksoi se qëllimi kryesor i kësaj mase është të inkurajojë punësimin dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në zonat rurale, përmes zhvillimit dhe promovimit të turizmit rural, ruajtjen dhe zhvillimin e aktiviteteve artizanale dhe motivimin e ndërmarrjes rurale.

"Sektorët me përparësi të mbështetur nga kjo masë janë investime në prodhimin alternativ bujqësor, investime në prodhimin e produkteve ushqimore dhe jo-ushqimore, investime në zanate, investime në shërbime për popullatën rurale dhe investime në turizmin rural. Si shfrytëzues të masës 7 mund të jenë edhe persona fizikë e juridikë që i përkasin kategorisë së ndërmarrjeve mikro dhe të vogla. Shuma e mbështetjes financiare varion nga 1,500 deri në 1.000.000 euro, duke mos përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar, kurse kthimi i investimit është deri në 65% të kostove totale të pranueshme. Buxheti i parashikuar për këtë masë është 9.6 milion euro, me mundësi zgjerimi. "Këto janë asete serioze që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e atyre ekzistuese, si dhe hapjen e ndërmarrjeve të reja të vogla dhe mikro, të cilat janë motorët kryesorë të ekonomisë së vendit.", - tha drejtori i AMFBZHR, Baçovski.

Në thirrjen e fundit, përmes Masës 7, janë nënshkruar 80 kontrata me një mbështetje totale prej 8.5 milion euro. Këto kontrata janë fillimi i investimeve të reja në bujqësi, në kapacitetet e reja industriale në zona rurale, në akomodim dhe në komplekse të reja hotelierike që do pasurojnë gamën e ofertave të brendshme turistike.

Deri më tani, 30% e fondeve të Programit janë paguar plotësisht, kurse marrëveshjet për pothuajse 80% të fondeve, tashmë janë të nënshkruara.

Në rrjedhë të zhvillimit janë edhe aktivitetet për përgatitjen e Programit të ri IPARD 2021-2027 ose IPARD III, përmes të cilit RMV pritet të marrë 60% më shumë fonde krahasuar me IPARD II.

Ne jemi liderë në rajon për sa i përket programimit të Programit të ri IPARD III, nga i cili presim që të zgjerohet edhe me katër masa shtesë. Në lidhje me dokumentin e programit dhe për masta e parashikuara, tashmë kanë filluar konsultimet. Ndërkaq, Komisioni Evropian në dhjetor të këtij viti pritet të miratojë Programin e ri IPARD 2021-2027 për vendin tonë në dhjetor të këtij viti.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 22 gusht 2021. Të gjithë palët e interesuara mund të shkarkojnë dokumentacionin e nevojshëm nga faqja në internet e Agjencisë www.ipardpa.gov.mk.