Investojmë në shëndetin publik

Kriza ka treguar se sa i rëndësishëm është shëndeti publik. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e vendosur ta drejtojë zhvillimin e mëtejmë të sistemit shëndetësor në pajtim me përgjigjen ndaj kërkesave kombëtare dhe ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e shëndetit publik dhe kontrollin e sëmundjeve infektive dhe jo infektive masive, me qëndrueshmëri financiare të sistemit, ngritje të cilësisë dhe disponueshmërisë së shërbimeve shëndetësore, solidaritetit dhe ndershmërisë së sistemit shëndetësor, me qytetarët në qendër të sistemit dhe përfshirjen e tyre të plotë. Do të vazhdojmë me investime në sistemin shëndetësor, si në infrastrukturë, ashtu edhe në burime njerëzore, pajisje dhe metoda dhe terapi më të avancuara. Deri në fund të vitit 2020, do ta definojmë strategjinë dhjetëvjeçare për ndarjen dhe investimin në shëndetësi dhe do të kërkojmë mbështetje të gjerë parlamentare për të - sistemit shëndetësor i nevojitet investim i qëndrueshëm dhe më i lartë.

Qeveria do t'i zbatojë politikat në vijim: 

  • Çdo vit do t'i rrisim rrogat e punonjësve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë deri në 10%. Qëllimi ynë është që rroga më e ulët e teknikëve dhe infermierëve shëndetësorë ta arrijë rrogën mesatare në vend deri në vitin 2024.
  • Nga viti 2021 do ta trefishojmë numrin e specializimeve në fushat e përcaktuara saktësisht. Do të shpallim dhe caktojmë specializime shtesë në bashkëpunim me profesionistët shëndetësorë, duke marrë parasysh mungesën e specialistëve në më shumë degë të mjekësisë;
  • Shans për çdo mjek të ri të diplomuar me licencë pune. Do të sigurojmë stazh pune të paguar për çdo mjek të ri, por edhe kompensim monetar si stimulim;
  • Të gjithë mjekët në specializim që banojnë jashtë Shkupit dhe të cilët nuk e kanë zgjidhur çështjen e strehimit, do të marrin subvencion prej 12,000 denarësh në muaj;
  • Do të nënshkruajmë një kontratë strategjike me Spitalin Universitar të Frankfurtit për edukimin e mjekëve të rinj dhe infermiereve, me rotacion;
  • Do t'i hapim kapacitetet e institucioneve publike të shëndetit (sallat e operacionit) për shfrytëzimin e specialistëve në pajtim me kriteret e përcaktuara saktësisht, të cilat do të realizojnë të ardhura shtesë për ISHP -në;
  • Do të zhvillojmë model për ndryshime sistemore në mënyrën e pagesës së kujdesit shëndetësor parësor, tek i cili do të vlerësohet vëllimi dhe cilësia e shërbimeve që do të ofrojnë mjekët amë. Në atë drejtim, për herë të parë do të vendosen standardet e parandalimit dhe ndjekjes së kushteve dhe sëmundjeve të caktuara, të përshtatura për nivelin parësor të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu, ndryshimet në mënyrën e pagesës do t’i nxisin investimet në edukim, në burime teknike dhe materiale. Do të nxitet përfshirja aktive e infermieres në realizimin e kujdesit shëndetësor;
  • Do të prezantojmë sistem të edukimit të vazhdueshëm të infermiereve, me qëllim të rritjes së kompetencave dhe njohurive të tyre në fushën përkatëse ku ato punojnë.
  • Më pak burokraci, shërbim më i shpejtë shëndetësor. Në lidhje të plotë shëndetësore-informative, "ecja" e pacientit do të shmanget plotësisht për shkak të arsyeve administrative në relacionin mjeku amë-specialist-mjeku amë-farmaci. Qeveria do të prezantojë plotësisht shëndet elektronik të plotë, pa shfrytëzimin e dokumenteve në formë të letrës.
  • Aplikacionin "Shëndeti im" do ta prezantojmë deri në fund të vitit 2020. Me të do të sigurohen të dhëna të lidhura në mënyrë elektronike dhe histori të diagnozave dhe terapive për çdo qytetar. Me këtë, qytetarët do të kenë kontroll dhe kujdes më të mirë për shëndetin e tyre.
  • Forcim të kapaciteteve të shëndetit publik (rajonalizimi) nëpërmjet lidhjes funksionale të të gjitha niveleve të mbrojtjes shëndetësore (parësore, sekondare dhe terciare).
  • Do t'i përfshijmë plotësisht shoqatat e pacientëve në krijimin dhe ndjekjen e politikave shëndetësore dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Kështu do ta forcojmë rolin e pacientëve në komunikimin me publikun profesionist në miratimin e rregulloreve dhe zgjidhjeve ligjore nga mbrojtja shëndetësore.
  • Deri në fund të mandatit, do t'i bëjmë  të gjitha spitalet dhe shtëpitë e shëndetit efikase në energji dhe do t'i rinovojmë të gjitha pikat e vaksinimit dhe repartet më të vjetra në spitale.
  • Në vitin 2020 do të sigurojmë 70 automjete të reja për ndihmë urgjente mjekësore dhe rinovim të rregullt të autoparkut çdo vit deri në fund të mandatit.
  • Do të krijojmë tri pika të reja për ndihmë urgjente mjekësore në zonën e qytetit të Shkupit. Koha e reagimit e ndihmës urgjente mjekësore do të jetë deri në 10 minuta në qytet dhe deri në 20 minuta në zonat rurale.
  • Do të fillojmë ndërtimin e një qendre të re, moderne dhe funksionale klinike universitare në Shkup, e cila do të sigurojë shërbime shëndetësore me cilësi të lartë për popullatën në gjithë vendin.
  • Do të vazhdojmë me rindërtim, zgjerim dhe pajisje (përfshirë edhe personelin e nevojshëm) të spitaleve klinike në Tetovë, Manastir dhe Shtip dhe do t'i analizojmë nevojat dhe mundësitë për avancimin e tyre në klinikat universitare, duke marrë parasysh vendndodhjen, kapacitetet dhe vlerën e investimeve të qendrës së re klinike universitare.
  • Do t'i bëjmë këto qendra mjaft efikase dhe të arritshme për qytetarët duke prezantuar projektin "Telemedicina" ku udhëton informacioni dhe jo pacienti, i cili do të lidhë Qendrën Klinike Universitare në Shkup me tre spitalet klinike në Manastir, Tetovë dhe Shtip.
  • Do të bëjmë furnizim me pajisjet e nevojshme mjekësore për modernizimin e institucioneve jashtë Shkupit, përkatësisht "Shën Erasmus" - Ohër, Spitali i Përgjithshëm - Strumicë dhe Qendra Emergjente në Tetovë.
  • Do të investojmë në kapacitetet e reja dhe të zgjeruara ekzistuese të spitaleve ditore në të cilat pacientëve gjatë ditës do t'u ofrohen shërbime diagnostikuese ose terapeutike (mjekësi interne, kirurgji, pediatri) shërbime për të cilat shtrimi në spital nuk është i nevojshëm.
  • Do të krijojmë kapacitet për trajtim dhe kujdes afatgjatë të të sëmurëve kronikë, veçanërisht për të moshuarit dhe personat e palëvizshëm në gjendje të rëndë, për të cilët kujdesi në shtëpi nuk është i përshtatshëm. Objektet spitalore të papërdorura do t'i shndërrojmë  në shtëpi për të moshuar.
  • Do të krijojmë shërbim paramjekësor në ndihmën urgjente mjekësore.
  • Do ta riekipojmë shërbimin e patronazhit në të gjitha rajonet e vendit, bazuar në përvojën e rekrutimit të kuadrit në tre vitet e fundit.
  • Cilësia e kujdesit shëndetësor varet edhe nga cilësia e kuadrit që udhëheq politikën shëndetësore, veçanërisht në aspekt të ekonomisë shëndetësore dhe menaxhimit në shëndetësi. Prandaj do të formojmë këshill për vlerësimin e teknologjisë shëndetësore gjatë furnizimit me pajisje të reja mjekësore ose marrje të barnave të reja në listën pozitive.
  • Do të marrim masa dhe aktivitete për të zvogëluar morbiditetin, paaftësinë dhe vdekshmërinë e parakohshme të shkaktuar nga sëmundjet kronike më të shpeshta joinfektive (sëmundjet kardio dhe cerebrovaskulare, sëmundjet malinje dhe diabeti). Nga viti 2021 do të prezantojmë program të ri parandalues për skanim të kancerit të lëkurës (melanoma).
  • Në pajtim me protokollet europiane dhe udhëzuesit klinikë, do të rritet disponueshmëria e skanimit mamografik nëpërmjet furnizimit me mamografi shtesë dhe mamograf të lëvizshëm (mobil) për ta përmirësuar shkallën e zbulimit të kancerit të gjirit në fazën më të hershme të mundshme.
  • Do t'i forcojmë programet preventive për përmirësim të shëndetit oral;
  • Mjekët e kujdesit shëndetësor parësor në vendet ku ka mungesë të mjekëve, do të jenë në gjendje të punojnë dhe të ofrojnë shërbime (kujdestari, ndihmë urgjente, pika vaksinimi dhe patronazhe) për të cilat do të paguhen shtesë. Gjithashtu, mjekët e shtëpive të shëndetit do të mund t'i regjistrojnë pacientët si mjekë amë;
  • Stimulim të mjekëve të rinj që të punojnë në mjediset rurale, duke dhënë grante për mjekët e rinj të cilët duan të hapin ordinanca në mjediset rurale;
  • Sigurim të shërbimeve gjinekologjike nëpërmjet kapaciteteve të disponueshme të sistemit shëndetësor në nivelin dytësor;
  • Sigurim të shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues në mjediset rurale, duke angazhuar klinika gjinekologjike të lëvizshme (mobile);
  • Mjekët në spitalet nga fusha e gjinekologjisë dhe pediatrisë në vendet dhe rajonet ku ka mungesë të mjekëve amë, do të mund të regjistrojnë të siguruar si mjekë amë nga këto fusha;
  • Mjekim falas në spitale (përjashtim të disa kategorive shtesë të të siguruarve shëndetësorë nga participimi) krahas grupeve të cenuara të liruara deri më tani;
  • Kapacitete të reja dhe të zgjeruara ekzistuese të spitaleve ditore brenda institucioneve shëndetësore në të cilat pacientëve gjatë një dite pune do t'u ofrohen shërbime të caktuara diagnostikuese ose terapeutike (mjekësi interne, kirurgji, pediatri) për të cilat shtrimi në spital nuk është i nevojshëm;
  • Zhvillim të kapaciteteve për mjekim dhe kujdes afatgjatë të pacientëve me sëmundje të caktuara kronike, veçanërisht për të moshuarit dhe personat e palëvizshëm në gjendje të rëndë, për të cilët kujdesi në shtëpi nuk është i përshtatshëm;
  • Krijim të qendrave të kujdesit paliativ (bujtinat) - ripërshtatje të kapaciteteve ekzistuese shëndetësore;
  • Revizion të Rrjetit të Stomatologjisë Dytësore (protetikë, kirurgji orale dhe ortodontikë), me qëllim që të ndryshohen  kriteret e larta të rrjetëzimit të cilat janë në modelin e tanishëm;
  • Revizion të listës së çmimeve të shërbimeve dhe vendosje të shërbimeve të reja në trend me kohën e re në stomatologji, në kujdesin dytësor shëndetësor stomatologjik.
  • Riorganizim të Qendrës Klinike Emergjente në Shkup (mjekësi interne) në institucion shumë të specializuar dhe modern që do të kujdeset për të sëmurët në gjendje kritike, duke përshtatur hapësirën, pajisjet dhe stafin;
  • Vendosje të metodave të reja në secilën prej klinikave duke sjellë ekspertë të huaj për ta avancuar njohurinë e mjekëve tanë dhe për të ulur shpenzimet e mjekimit jashtë vendit;
  • Vazhdim të trendit të rënies së morbiditetit dhe vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve, me tendencë për t'iu afruar mesatares europiane;
  • Vendosje të shërbimeve të telemjekësisë në mbulimin e aktiviteteve të caktuara në shëndetësi (kardiologji, radiologji, kujdes mjekësor urgjent) me qëllim të rritjes së disponueshmërisë dhe avancimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor;
  • Do të iniciojmë ndryshime thelbësore në organizimin e veprimtarisë stomatologjike me një studim epidemiologjik serioz të përmbajtur për shëndetin oral të popullatës, prej nga do të rezultojnë ndryshime thelbësore në organizimin e shërbimit stomatologjik.
  • Do të vazhdojmë me politikën "Barna në çdo kohë dhe për çdo pacient", pra pa kuota që rrezikuan shëndetin e qytetarëve dhe krijuan ankth dhe frikë në pjesën më të madhe të muajit. Kjo politikë do të garantojë barna të sigurta edhe në barnatore edhe në spitale çdo ditë të muajit.
  • Do të vazhdojmë ta përditësojmë listën pozitive të barnave dhe të shtojmë terapi të barnave më të mira dhe më moderne, në kurriz të zëvendësimit të terapive të vjetra.
  • Do të vazhdojmë me sistemin e sigurimit të citostatikëve të përshtatshëm dhe më të mirë dhe terapive novative për sëmundjet malinje.
  • Siç kemi treguar në rastin e insulinës dhe heqjen e importeve paralele, do të vazhdojmë me politikën e barnave moderne ekskluzivisht me certifikatë të cilësisë. Do t'i avancojmë procedurat të cilat lidhen me kontrollimin dhe analizimin e cilësisë së barnave, me qëllim që të garantojmë cilësinë e tyre për shfrytëzuesit përfundimtarë.
  • Do të shpallim regjistër të pajisjeve mjekësore të regjistruara në mënyrë që qytetarët të mund ta vërtetojnë cilësinë e pajisjeve mjekësore.
  • Njëkohësisht, do të bëjmë sistem për ndjekjen e konsumit të barnave duke kontrolluar çdo kuti të barnave me sistemin cloud. E gjithë kjo me qëllim që të shfrytëzohen në mënyrë racionale barnat si dhe të kontrollohen dhe të përcaktohen rezervat ekzistuese të barnave në vend, me qëllim të parandalimit të mungesës së barnave të caktuara dhe zëvendësim të tyre në kohë,  në mënyrë që të rritet qasja deri te pacientët. 
  • Atë do ta arrijmë nëpërmjet menaxhimit elektronik të të dhënave, lidhjes dhe integrimit të plotë të të gjitha sistemeve të cilat funksionojnë me të dhëna që lidhen me barnat dhe shërbimet shëndetësore. Kështu, do të ketë ndjekje të plotë të proceseve të cilat lidhen me barnat dhe pajisjet mjekësore.