Investojmë te qytetarët tanë
Në mandatin e kaluar Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut tregoi se me rroga më të larta kemi punonjës më të kënaqur dhe produktivitet më të lartë. Në këtë mandat do të vazhdojmë me këtë politikë. Për rritje dhe zhvillim janë të nevojshme njohuria dhe punonjësit e kënaqur, të cilët e dinë se janë të shpërblyer dhe të vlerësuar me të drejtë për vlerën që e kanë krijuar në shtetin tonë.
Politika e Qeverisë në këtë mandat do të jetë vazhdimi në mënyrë paralele e zvogëlimit të papunësisë dhe stimulimi i rritjes së rrogës, siç është përmendur më lart.
Qëllimi i Qeverisë do të jetë arritja e zvogëlimit të papunësisë për 3% në nivel vjetor. Në kohë të krizës së shkaktuar nga kovidi, do të mundohemi për secilin vend të punës, ashtu siç e kemi treguar gjatë valës së parë. Atë do ta bëjmë nëpërmjet:
- Sigurimit të 2 miliardë denarëve çdo vit për masat aktive për mbështetje për punësim dhe vetëpunësim;
- Mbështetjes së sektorëve, të cilët janë më të prekur nga kriza e epidemisë nëpërmjet mbështetjes për ruajtjen e vendeve të punës;
- Vazhdimit të subvencionimit të kontributeve të firmave, të cilat do t’i risin rrogat e të punësuarve të tyre nga 600 deri në 6.000 denarë;
- Rregullimit të punës sezonale në drejtim të rritjes së periudhës së punës sezonale si dhe rritjes së lirisë së kontratave, gjegjësisht mundësisë që punëdhënësi të paguajë kontributet ose kompensimet për punonjësit sezonal në periudhën josezonale;
- Krijimit të sistemit të kuponit për pagimin e kontributeve sociale për punonjësit sezonal, me çka drejtpërdrejt do të ndikojmë në uljen e ekonomisë gri (ekonomisë joformale) dhe mbrojtjen e “punonjësve të padukshëm” të cilët kryejnë punë, por nuk mund të realizojnë asnjë beneficion (përfitim) dhe asnjë mbrojtje ligjore;
- Në sektorin publik do të shfuqizohet mundësia e punës pas moshës 64 vjeçare, përveç për kuadrin deficitar (si për shembull punonjësit shëndetësorë dhe kuadri i profesorëve në universitete). Në këtë mënyrë do të hapen më shumë mundësi për të rinjtë për punë në sektorin publik, por edhe zvogëlimin e administratës nëpër resorët ku nuk ka nevojë të ruhet vendi i punës;
- Do ta ofrojmë konceptin e orarit fleksibil të punës të premten dhe mundësinë për zvogëlimin e numrit të orëve të punës brenda javës, me qëllim që të sigurohet një baraspeshë më e madhe midis jetës profesionale dhe familjare.
Krijimi i politikave përkatëse ekonomike dhe sociale kërkon pamje të plotë dhe të qartë të gjendjeve ekonomike-sociale konkrete në nivel shtetëror dhe lokal. Për këtë qëllim, realizimi i regjistrimit të popullsisë është vendimtar në afat sa më të shkurtër kohor. Fokusi kryesor duhet të jetë te të dhënat ekonomike-sociale të cilat mungojnë, ndërsa besimi në proces dhe rezultate do të ndërtohet nëpërmjet përfaqësimit të drejtë të të gjitha bashkësive etnike në procesin e regjistrimit.
Në këtë fushë, detyra kryesore e kësaj Qeverie do të jetë ta kthejmë besimin e të rinjve për të ardhme të qartë dhe të sigurt në shtetin tonë dhe për këtë do të ndjekim edhe politika targetuese për rritjen e punësimit të tyre:
- Vazhdimi i pagesës prej 3.000 denarëve në muaj si shtesë rinore për të rinjtë e punësuar deri 23 vjeç, të përfunduar së paku arsimin e mesëm të cilët punojnë në prodhim;
- Kthimi i tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë të punësuarit e ri nën 30 vjeç, në dy vitet e para mjetet do të kthehen drejtpërdrejt në llogarinë e tyre;
- Përjashtimi nga pagimi i tatimit të të gjitha ndërmarrjeve private të sapo krijuara, që janë të formuara nga të rinjtë deri 30 vjeç ose femrat, përderisa qarkullimi është nën 3 milion denarë;
- Mbështetja e drejtpërdrejtë e ndërmarrjeve rinore dhe femërore nëpërmjet granteve në shumë prej 5.000 deri 15.000 euro për fillim të biznesit personal dhe të ri;
- Do të formojmë fond të të rinjve ku do të bëjmë thirrje që të përfshihen edhe të rinjtë të cilët kanë shkuar jashtë shtetit dhe që e kanë dëshmuar veten dhe kanë arritur rezultate në shkencë, biznes dhe në fusha të tjera. Të njëjtit do të angazhohen si mentorë të fëmijëve dhe të rinjve të vendlindjes;
- Ligji i Garancisë Rinore, i cili do të institucionalizojë këtë formë të mbështetjes së të rinjve në punësim;
- Formimi i fondit të bursave për të rinjtë për nevojat në zejtari;
- Mësimi praktik i përforcuar në shkollat e mesme profesionale, nëpërmjet modeleve të bashkëpunimit me shoqatat e odave ekonomike dhe vetëqeverisjeve lokale, si dhe gara rinore për sipërmarrje;
- Bashkëpunimi i të aq. triple helix, ku universitetet, komuniteti i biznesit dhe qeveria së bashku, t’i përgatisin programet mësimore, të cilat do të jenë përgjegjësi e vërtetë për nevojat dhe kërkesat e tregut të punës;
- Ligji i Mbështetjes së Sipërmarrjes Sociale, me fokus te të rinjtë dhe femrat dhe me hapjen e tri qendrave për mbështetje të ndërmarrjeve sociale;
- Hapje të mundësive që studentët e rregullt të mund të hynë në marrëdhënie pune të rregullt, numër të caktuar të orëve – opsion i cili u është në dispozicion studentëve në shumicën e vendeve europiane.