Shteti juridik funksional
Demokracia bazohet në sundimin e së drejtës dhe pavarësinë gjyqësore, ndërkaq zbatimi i ligjeve duhet t'i shërbejë nevojës për drejtësi. Të gjithë kemi nevojë për sistem të drejtësisë që mbron liritë dhe të drejtat tona dhe sistem të përbashkët vlerash.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është fuqimisht e përkushtuar për reforma të thella dhe thelbësore në gjyqësor. Vetëm në atë mënyrë do të mundësojmë sundimin e së drejtës e jo të fuqishmit dhe luftës së qëndrueshme kundër krimit në vend. Do të zbatojmë vazhdimisht Strategjinë e reformave në drejtësi, e cila do të jetë investimi ynë në negociata efikase dhe të suksesshme me Bashkimin Europian.
Qeveria ka konsensus të plotë se “pastrimi” efektiv dhe objektiv i gjyqësorit është i domosdoshëm. Hapi i parë i vetingut tashmë është ndërmarrë me kompetencën e KSHPK-së për të shqyrtuar pasuritë e gjykatësve dhe prokurorëve publikë. Këshilli Gjyqësor, nga ana e tij, në pajtim me ligjet e reja, njoftoi një rishikim të hollësishëm të punës së gjykatësve, veçanërisht në lidhje me procedime të caktuara në lëndë, që u sollën në vjetërsim nga vonesa, seanca të rralla dhe të ngjashme. Kontrolli mund të përfshijë formimin personal dhe profesional, ekspertizën dhe qëndrueshmërinë e grupeve të interesit.
Këto kontrolle nga institucionet ekzistuese dhe bazat ligjore të vendosura tashmë shpallin që rezultatet mund të jenë të shpejta dhe efikase dhe të sigurojnë funksionimin e sundimit të së drejtës dhe zgjidhjen e problemeve sistemore, që kanë mbetur prej kohësh në gjyqësorin vendas.
Qeveria do të angazhohet për të siguruar mbikëqyrjen e BE-së për lëndët gjyqësore me korrupsion të lartë sa më shpejt të jetë e mundur. Ishim vendi i parë në rajon që i kërkuam BE-së të fillojë menjëherë iniciativë për të mbikëqyrë lëndët gjyqësore të korrupsionit të lartë. Komisioni Europian e mbështeti këtë dhe njoftoi fillimin e shpejtë për këtë instrument. Besojmë se ky hap do të rrisë përgjegjësinë e prokurorëve dhe gjykatësve, do të forcojë luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu do ta rrisë besimin e qytetarëve në vendin e tyre dhe institucionet e tij.
Qeveria gjithashtu do të propozojë një detyrim ligjor për të publikuar dhe aksesuar publikisht regjistrimet audio të të gjitha gjykimeve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Publiku është aleati ynë më i fortë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Prandaj, do të krijojmë detyrim ligjor për të publikuar audio regjistrime të të gjitha gjykimeve, për të cilat ka interes më të gjerë publik, si pengesë shtesë për vullnetarizmin, paragjykimin dhe parregullsitë në zhvillimin e procedurave gjyqësore.
Qeveria, si në mandatin e mëparshëm, do të mbështesë krijimin e komisioneve anketuese ose fillimin e mbështetjes dhe të mbikëqyrjes ndërkombëtare për raste të caktuara, që krijuan mosbesim ndëretnik dhe tensione të tilla si: Alfa, Monstra, Lagjja e Trimave, etj.
Gjithashtu do të propozojmë detyrime ligjore me të cilat PP-ja do të duhet të informojë rregullisht dhe vazhdimisht publikun për punën e saj dhe progresin në rastet që ndiqen nga qytetarët. Vetëm me punë transparente do të merremi me krimin dhe korrupsionin, por edhe me mosbesimin ndaj shtetit juridik që e kanë qytetarët.
Qytetarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut shpesh heqin dorë nga mbrojtja gjyqësore e të drejtave të tyre për shkak të tarifave të larta gjyqësore. Do ta ulim tarifat gjyqësore, sepse tarifat e larta gjyqësore e bëjnë drejtësinë të paarritshme për qytetarët. Në procedurat gjyqësore, në të cilat shteti paditet për shkelje të të drejtave të qytetarëve, tarifat gjyqësore do të paguhen vetëm pas përfundimit të procesit, nëse gjykata konstaton se nuk ka pasur shkelje.
Sistemi AKKMIS duhet të jetë i centralizuar ndërkaq gjykatat të lidhen vertikalisht dhe horizontalisht. Komunikimi i tyre me njëri-tjetrin duhet të jetë pandërprerë elektronik, kurse qendra e informacionit në Gjykatën Supreme duhet të jetë me staf të fuqishëm dhe të forcuar teknikisht për të siguruar sigurinë e të dhënave. Kështu, do të prezantohet komunikimi elektronik me prokuroritë publike, komunikimi i detyrueshëm elektronik me avokatët, përmbaruesit, noterët, ndërmjetësit, Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Patundshme, Regjistrin Qendror, Avokaturën e Shtetit dhe subjektet e tjera.
Qytetarët humbin besimin në sistem kur vazhdimisht dëgjojnë për akuza penale dhe hetime për veprime të caktuara kriminale dhe më pas nuk shohin ndonjë veprim ose rezultat. Ata kanë ndjenjën se e vërteta humbet më lehtë në labirintin e prokurorit publik. Nga ana tjetër, PP-ja përballet me teknologji shumë të dobët dhe të vjetruar të informacionit dhe përpunimit të të dhënave në prokuroritë publike. Aktualisht ka kompjuterë dhe program për të punuar në prokuroritë publike (Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve), por baza ligjore duhet të specifikohet në mënyrë që të përcaktohet funksionimi i detyrueshëm i këtij sistemi, të përcaktohet përgjegjësia dhe të eliminohet mundësia e abuzimit. Kështu, me llojin e AKKMIS në prokuroritë publike, do të jetë e qartë se ku përfundon çdo akuzë penale, çfarë është ndërmarrë, kush ka qenë përgjegjës në raste specifike, etj.
Qeveria do të propozojë model të ri, që do të parandalojë abuzimet me sistemin e jurisë duke ndryshuar metodën e zgjedhjes, dispozitat mbi konfliktin e interesit, forcimin e përgjegjësisë së anëtarëve të jurisë dhe procedurat e veçanta të votimit në vendimmarrje. Për më tepër, do t'i përfshijmë ato në ligjet dhe rekomandimet e Raportit të Mbikëqyrjes së OSBE-së për raste të caktuara.
Në 3 muajt e parë, Qeveria do të rishikojë sistemin për ekzekutimin e masave alternative, të vendosur nga Kodi Penal, i cili provoi të ishte jofunksional në praktikë. Kjo do të sigurojë mbikëqyrje efektive të personave të cilët janë liruar me kusht ose janë dënuar me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, ekzekutimin e suksesshëm të arrestit shtëpiak dhe masën e arrestit shtëpiak (mbikëqyrja elektronike e personave të cilëve janë dënuar), si dhe parandalimin e arratisjes së tyre nga shteti.