Kompetencat e Qeverisë
Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeverisë i përkasin këto kompetenca:
- të caktojë politikën e zbatimit të ligjeve dhe rregullave të tjera të Kuvendit dhe është përgjegjëse për zbatimin e tyre;
- të propozojë ligje, Buxhetin e Republikës dhe rregulla të tjera të miratuara nga Kuvendi;
- të propozojë plan hapësinor të Republikës;
- të propozojë vendim për rezervat e Republikës dhe të kujdeset për realizimin e tyre;
- të miratojë urdhëresa dhe rregulla të tjera për zbatimin e ligjeve;
- të caktojë parime për organizimin e brendshëm dhe për punën e ministrive dhe organeve të tjera të administratës, e orienton dhe kryen mbikëqyrje mbi punën e tyre;
- të japë mendime për propozim-ligjet dhe rregullat e tjera të cilat Kuvendit ia parashtrojnë propozuesit e tjerë të autorizuar;
- të vendosë për njohjen e shteteve dhe qeverive;
- të krijojë marrëdhënie diplomatike dhe konsullore me shtetet tjera;
- të marrë vendime për hapjen e përfaqësive diplomatike dhe konsullore jashtë vendit;
- të propozojë emërimin e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit dhe të emërojë shefat e përfaqësive konsullore;
- të propozojë Prokuror Publik;
- të bëj emërime dhe shkarkime të bartësve të funksioneve publike dhe funksioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj;
- të kryejë punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
Qeveria dhe secili anëtar i saj përgjigjen para Kuvendit për punën e tyre. Vendimi për votimin për mosbesimin e Qeverisë merret me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Nëse për Qeverinë votohet për mosbesim, Qeveria është e detyruar të japë dorëheqjen.