Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot në Resnjë e shënoi fillimin e manifestimit “Vjelja e mollëve 2021” me të cilën filloi vjelja e mollëve në Prespë.
Kryeministri Zaev në ngjarje, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha dhe kryetari i komunës së Resnjës, Zhivko Gosharevski, uroi që kjo vjelje të sjellë gëzim dhe kënaqësi nga puna e palodhur e kultivuesve të frutave gjatë gjithë vitit.
“Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, i krijojnë të gjitha politikat e nevojshme për mbështetjen e bujqësisë, dhe në këtë mënyrë edhe stimulimin dhe zhvillimin e pemëtarisë. Ne po e bëjmë atë vazhdimisht në dy mandatet e kësaj Qeverie. Në vitin 2018, ne i rritëm subvencionet për 20% për mirëmbajtjen e pemishteve për bujqit me kapacitet zhvillimor, ndërsa subvencioni për mollët e dorëzuara u rrit nga 2 në 3 denarë për kilogram", tha Kryeministri Zaev në deklaratë për media.
Ai rikujtoi se në vitin 2019 subvencioni për mirëmbajtjen e plantacioneve u rrit përsëri nga 33,000 denarë në 41,000 denarë për hektar, dhe përveç kësaj, për ata kultivues të pemëve që kanë nga 1 deri në 5 hektarë, mbështetja u rrit nga 39,600 në 50,000 denarë për hektar, ndërsa për pemëtarët që kanë plantacione në zonat me mundësi të kufizuara në fushat mbi 700 metra mbi nivelin e detit, subvencionet janë rritur me 15%shtesë, domethënë mbështetja është 57,500 denarë për hektar.
"Kjo qeveri nuk do t'i lërë fermerët dhe kultivuesit e pemëve dhe do të jetë gjithmonë në përputhje me nevojat dhe pritjet e tyre reale. Ne dimë të vlerësojmë dhe e vlerësojmë punën dhe kontributin e tyre për ekonominë tonë. Kjo është arsyeja pse ne marrim vendime që gjithmonë do të jenë në anën e bujqve dhe kultivuesve të pemëve", tha Kryeministri Zaev.
Kryeministri theksoi se këtë vit edhe krahas krizës me virusin korona dhe krizës globale ekonomike, shteti pagoi subvencionet për pemëtari në vlerë prej rreth 9.5 milionë euro, ndërsa për realizimin e Programit për mbështetjen financiare të zhvillimit rural për vitin 2021 ka një shkallë të lartë realizimi që nga fillimi i vitit.
"Këtë vit, startoi projekti me Bankën Botërore - Projekti për modernizimin e bujqësisë, i cili ka një vlerë totale prej 46 milionë euro dhe përmban një komponent të madh zhvillimi për bujqësinë, me një ndikim serioz pozitiv në ekonominë e përgjithshme të vendit", tha Kryeministri Zaev.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, theksoi se Ministria dhe Qeveria në vazhdimësi e mbështesin pemëtarinë dhe se një prej masave, krahas rritjen e subvencioneve, janë edhe kartelat për naftë të gjelbër.
“Konkretisht në Resnjë janë dorëzuar rreth 2.000 kartela. Përfitime shtesë kultivuesit e pemëve kanë edhe në sjelljen e masave për motivimin e bujqve të rinj dhe gratë rurale, ndërsa rëndësi të veçantë ka edhe harmonizimi i rregullores sonë ligjore me atë evropiane. Konkretisht në fushën e shëndetit të bimëve, që do të thotë zvogëlim i përdorimit të agro-kimikateve, gjegjësisht më pak pesticide, pikërisht Resnja është një shembull i mbrojtjes së suksesshme integrale të mollëve dhe përdorim më i vogël i produkteve për mbrojtjen e bimëve, i cili në 10 vitet e fundit është zvogëluar për 30% ", tha Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha.
Ministri Hoxha theksoi trendin në rritje për mollën organike, i cili përfaqëson një moment tjetër zhvillimi, veçanërisht nëse dihet se kërkesa për produkte bujqësore organike në tregun evropian po rritet nga viti në vit.
Kryetari i komunës së Resnjës, Zhivko Gosharevski theksoi faktin se në Prespë mbi 3.000 familje janë të lidhura me mollën, gjysma e të cilave varen drejtpërdrejtë nga ajo dhe se mbështetja e Qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është jashtëzakonisht e rëndësishme për kultivuesit e pemëve të Prespës.
"Fillimet e manifestimit “Vjelja e mollëve të Prespës "në komunën tonë ishin modeste, por me kalimin e viteve manifestimi bëhet brend, pas së cilit Prespa fillon të njihet si në vend ashtu edhe në rajon", tha kryetari i komunës Gosharevski, duke shtuar se me programin e tij të pasur sportiv, kulturor dhe artistik, Prespa është bërë promovuese e vërtetë e kulturës dhe traditës së Maqedonisë së Veriut.