Të nderuar qytetarë, afaristë, përfaqësues të mediave,
Në prag të festave të fund vitit dhe përfundimit të vitit kalendarik 2021, më lejoni që në këtë konferencë shtypi të bëj një retrospektivë dhe të prezantoj disa programe të rëndësishme të Qeverisë dhe organeve të tjera të administratës shtetërore me të cilat, në këtë vit përplot sfida, arritëm të mbështesim ekonominë vendase dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në rimëkëmbjen sa më të shpejtë të ekonomisë nga pasojat e krizës së Covid-19, por edhe të mundësojmë kushte për rritje dhe zhvillim të më të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik.
Në prezantimin tim do të fokusohem në tre aspekte kryesore, nga mbështetja përmes Planit të rritjes ekonomike, gjegjësisht masave të Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve dhe instrumenteve të Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, si dhe mbështetjen e kompanive që ofron Drejtoria për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, të gjitha në përputhje me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore.
Dua të theksoj se këtë vit janë paguar 19,5 milionë euro për ekonominë në formën e ndihmës direkte shtetërore nga buxheti, nëpërmjet Ligjit për kontrollin e ndihmës shtetërore nga qeveria dhe nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, përmes instrumenteve të Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik janë paguar gjithsej 16 milionë euro, ndërsa për masat sipas Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve janë paguar 13 milionë euro. Në total, përmes këtyre masave mbështetëse, vetëm në vitin 2021 ekonomia vendore mbështetet me 48,5 milionë euro. Dua të theksoj se vetëm këto ditë në ekonomi janë injektuar 16,8 milionë euro.
Tani do të doja të ndalem në marrëveshjet sipas Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve, të cilat janë pjesë e portofolit të kabinetit tim. Nëpërmjet këtij ligji, në katër vitet e kaluara, derisa është duke u zbatuar, janë nënshkruar marrëveshje për mbështetje me 353 kompani. Këtë vit kemi pranuar 225 kërkesa për pagesa nga kompanitë, të cilat i kemi procesuar për pagesë, kurse vlera mjeteve për mbështetjeështë 800 milionë denarë ose rreth 13 milionë euro.
Këto kompani, vetëm në vitin 2020, që nuk duhet harruar se është një vit pandemik, kishin realizuar investime mbi 70 milionë euro. Edhe këtë vit, sikurse dhe një vit më parë, ndihma shtetërore për kompanitë do të paguhet 100%.
Gjatë këtij viti janë bërë ndryshime në ligj, përmes të cilave, janë inkorporuar masa afirmative, për të cilat kompanitë marrin stimulim shtesë për zhvillim të barabartë rajonal, gjegjësisht përqindje më e lartë e mbështetjes u jepet atyre kompanive që kanë investuar në rajonet planore më pak të zhvilluara. Vetëm për zhvillim të barabartë rajonal, kompanitë këtë vit do të marrin mbështetje në vlerë të përgjithshme prej 91,6 milionë denarë, gjegjësisht 1,5 milionë euro, që është 11,5% e mbështetjes totale.
Të gjitha këto forma të mbështetjes së mësipërme janë një tjetër dëshmi e fortë se kjo Qeveri, si asnjë e mëparshme, është e përkushtuar për të mbështetur ekonominë në drejtim të zhvillimit të barabartë rajonal dhe zhvillim teknologjik, inovacioneve dhe digjitalizimit të proceseve, të cilat kontribuojnë në rritje të produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së kompanive në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare.
Të nderuar qytetarë,
Për katër vjet e gjysmë kemi treguar se si duhet të kujdesemi për ekonominë, si të kujdesemi për ndërmarrjet. Ne nuk shpenzuam shuma të mëdha për kosto joproduktive, përkundrazi u fokusuam në atë se si të stimulojmë kompanitë të zgjerohen dhe të përmirësohen, për të mbajtur ritmin me flukset moderne ekonomike. Ne i eliminuam dallimet ndërmjet kompanive vendase dhe të huaja, sot të gjitha kompanitë që operojnë në vendin tonë janë tonat, kompani vendase, me të njëjtat kushte dhe mundësi për të marrë mbështetje nga shteti.
Marrja e ndihmës shtetërore nuk negociohet më në "katër sy", por i gjithë procesi është i hapur dhe transparent dhe të gjithë e dinë paraprakisht se çfarë lloj mbështetjeje mund të presin kur bëjnë një investim. Kjo krijon parashikueshmëri dhe stabilitet për të bërë biznes në vendin tonë.
Në portofolin e kabinetit tim për këto katër vite kemi 353 marrëveshje të mbështetjes shtetërore, të cilat janë marrëveshje njëvjeçare deri në pesëvjeçare, që nëse krahasohen me 30-të e mëparshëm, do të pajtoheni se janë pakrahasueshëm më . Gjithashtu, përmes Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, përmes instrumenteve të ndryshme mbështetëse, janë mbështetur gjithsej rreth 780 projekte. Në kushtet e krizës më të madhe, në vitin 2020, për konkurrencë më të madhe të kompanive, siguruam mbështetje direkte prej 17,5 milionë euro, me të cilat mbështetëm projektet zhvillimore të saktësisht 400 kompanive. Në të njëjtën kohë ne kryejmë mbështetjen e rregullt të kontratave që kemi me 35 kompani që operojnë në Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike dhe më gjerë.
Nëse i përmbledhim të gjitha të dhënat, kjo është një mbështetje direkte për mbi 1570 kompani nga vendi ynë, shumica prej tyre janë kompani të industrisë prodhuese dhe përpunuese, të cilat krijojnë vlerë të shtuar. Ata janë ambasadorët tanë në tregjet ndërkombëtare dhe më vjen mirë që gjithnjë e më shumë kompani vendase e ndërmarrin këtë hap, të investojnë në zhvillimin e tyre dhe kështu të bëhen më konkurruese ndërkombëtarisht. Kjo është rruga drejt qëndrueshmërisë, kjo është rruga për të arritur një zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu po punohet për avancimin e mëtejshëm të komunikimit me kompanitë dhe ofrimin e informacionit të shpejtë, të saktë dhe të thjeshtë për të gjitha format e ndihmës shtetërore.
Këtë vit filluam krijimin e Asistentit të parë Digjital AI për ndihmën shtetërore. Ky asistent do të bazohet në inteligjencën artificiale, do të vë në dispozicion të gjithë informacionet, thirrjet, procedurat për marrjen e ndihmës shtetërore dhe në fazën tjetër do të komunikojë një pjesë të kujdesit të konsumatorëve për ata që tashmë e marrin atë.
Po digjitalizojmë ndihmën shtetërore për të gjithë investitorët, gjë që do ta bëjë të gjithë procesin transparent, të shpejtë dhe efikas dhe ajo që është e rëndësishme për mua, informacionet do të jenë të disponueshme për të gjithë, gjë që do të parandalojë të gjitha manipulimet dhe abuzimet.
Asistenti do të flasë në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht dhe është vetëm hapi i parë nga të shumtët që pasojnë për digjitalizim, me të cilin Qeveria mbështet drejtpërdrejt inovacionet dhe komunitetin e startapeve në vend.
Paraqitja e Planit të rritjes ekonomike, sipas të cilit realizohet mbështetja shtetërore për zhvillimin e kompanive, para katër vitesh ishte një hap i madh dhe tashmë po shohim rezultatet pozitive për ekonominë vendase.
Resorët ekonomik të cilat unë i koordinoj dhe sigurisht angazhimi im personal në periudhën e ardhshme do të jetë i fokusuar në efektivitetin dhe efikasitetin e mjeteve që ndahen.
Çdo denar i qytetarëve është i rëndësishëm, ndaj angazhimi im i plotë do të synojë ristrukturimin e ekonomisë vendase në një ekonomi të re zhvillimore të bazuar në vlerën e shtuar të prodhimit, përpunimit, kërkimit dhe zhvillimit ose në sektorë që krijojnë vlerë të shtuar më të madhe.
Në drejtim të përkrahjes, rritur dhe zhvillimt tuaj, tashmë kemi filluar të punojmë për masat për rifokusimin në investime në krijimin e zinxhirëve të fortë të vlerave të kompanive në vendin tonë, por edhe lidhjen me të gjithë rajonin.
Ky është avantazhi ynë konkurrues, të cilin duhet ta përdorim për të dalë më të fortë dhe më të qëndrueshëm në periudhën pas Covid-it.
Tashmë po flasim për krijimin e masave stimuluese dhe afirmative që do të nxisin zhvillimin e dëshiruar ekonomik përmes forcimit dhe sinergjisë së zinxhirit të vlerës për të shfrytëzuar dhe kapitalizuar potencialin e plotë që na hapet përmes “Near shoring” ose afrimit të zinxhirëve të furnizimit më afër kompanive të mëdha, fillimisht kompanive evropiane dhe pastaj edhe botërore.
Të gjitha këto do t'i bëjmë bashkë, përmes një partneriteti, ashtu siç kemi bërë deri tani. Për gati se një vit e gjysëm, kabineti im dhe i gjithë ekipi im ishin të hapur dhe të gatshëm për dialog të hapur dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Tashmë jemi në fund të vitit 2021 dhe në të kemi tejkaluar sprova dhe sfida të shumta, mësuam shumë, por mbi të gjitha të jemi pozitivë, pragmatikë, të ndihmojmë dhe të bashkëpunojmë dhe më e rëndësishmja, të ruajmë optimizmin!
Në emrin tim dhe në emër të ekipit tim, Ju uroj që në vitin 2022 të ruani shëndetin dhe mirëqenien, të besoni në vlerat e juaja dhe të gëzoheni çdo ditë të vitit.
Viti 2022 qoftë i gëzuar dhe i begatshëm!
Ju faleminderit.