Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në margjinat e Samitit për Investime për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, u takua me drejtoreshën për Evropë në Njësinë për Hulumtim të “Ekonomist” (Economist Intelligence Unit) Xhoan Hoje, e cila menaxhon me Indeksin e demokracisë në botë që zbatohet çdo vit.
Sipas këtij hulumtimi për vitin e kaluar, që u publikua para do kohe, Maqedonia e Veriut doli nga zona e shteteve me “regjim hibrid” dhe hyri në rrethin e demokracive funksionale si “demokraci me mangësi”.
Indeksi i demokracisë së Maqedonisë së Veriut sipas “Ekonomist” është përmirësuar për pesë vende, që është sukses i madh në një kohë kur demokracia shënon rënie në kuadër botëror. Për vetëm një vit vendi ynë ka bërë përmirësim për pesë vende dhe tashmë është radhitur në vendin e 73-të.
Kryeministri Kovaçevski në bisedën me redaktoren e “Ekonomist” Xhoan Hoje, theksoi se renditja e “Ekonomist” për Qeverinë dhe qytetarët e saj është një nxitje për të mbajtur përkushtimin për avancimin e standardeve demokratike të institucioneve.