Me vendosjen e flamurit të romëve në shtizën para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me intonimin e himnit të popullit rom dhe me pritjen solemne, sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Romëve, 8 Prilli.
Në sallën solemne të Qeverisë, përfaqësues të shquar të komunitetit rom, ndër të cilët Elvis Memeti, këshilltar për gjithëpërfshirjen e romëve në Zyrën e Kryeministrit, deputetja Latife Shikovska, drejtori i Agjencisë për Punësim Bekim Murati, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe Agim Nuhiu, zëvendësministër i Drejtësisë, në fjalimet e tyre theksuan përpjekjet për vazhdimin e aspiratave për barazi dhe drejtësi të komunitetit rom, duke e respektuar konceptin tanimë të krijuar “Një shoqëri për të gjithë”.
Pjesëmarrësit në ngjarjen e sotëm e theksuan rëndësinë e politikave thelbësore për avancimin e komunitetit rom bazuar në Strategjinë e miratuar për Gjithëpërfshirje të Romëve 2022-2030, si pjesë e politikave publike për barazimin e shkallës së përfshirjes dhe integrimit të këtij komuniteti në shoqëri.
Në ngjarjen solemne u theksua se për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë për Romët për vitin 2022, janë ndarë 73.372.000 denarë, që është një rritje prej 14.128.000 denarë në krahasim me buxhetin për vitin 2021. Fondet janë dedikuar për rritjen e potencialit ekonomik të komunitetit rom, si dhe rritjen e përfaqësimit të romëve në institucione.
Në këtë ngjarje, Rrjeti i Përfaqësimit për Zgjidhje Sistemore dhe të Qëndrueshme për Integrimin e Romëve, në të cilin anëtarë janë 15 OJQ organizata rome, ndau vlerësime për romët nga fusha të ndryshme të jetës për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e komunitetit rom.
Dita Botërore e Romëve shënohet për nder të Kongresit të parë Botëror të Romëve, i mbajtur nga 8-12 Prill në vitin 1971 në Londër dhe kjo është një nga datat më të rëndësishme në historinë e këtij kombi, kur përfaqësues të romëve nga 14 vende të botës, sollën vendime për flamurin rom dhe himnin zyrtar.
Vendimi për shpalljen e 8 Prillit Ditë Ndërkombëtare të Romëve në mbarë botën u mor në Kongresin e Katërt Botëror të Romëve të mbajtur në vitin 1990 në Poloni.