Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, në intervistën për televizionin “Sitel”, tha se si shtet dhe si qytetarë kemi bërë shumë që të arrijmë deri në datën për fillimin e negociatave.
“Kemi marrë vendime të vështira që janë të drejta dhe strategjike dhe BE-ja ka për obligim të përmbushë premtimin e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne e dimë se vendimet në BE merren me konsensus, që do të thotë se të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen dhe të aprovojnë kornizën negociuese për çdo shtet dhe kështu edhe për shtetin tonë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Ai tha se ka qenë gjithmonë optimist se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do t’i fillojë negociatat e aderimit me BE-në, por se lidhshmërinë me data konkrete e vlerëson si mosmirënjohëse, sepse zgjidhja e këtij problemi nuk varet nga njëra anë.
“Kjo do të thotë se siç kemi ndërtuar një konsensus në koalicionin qeverisës dhe në shoqëri, që dëshirojmë të jemi pjesë e BE-së në bazë të vlerave evropiane, në bazë të ruajtjes së dinjitetit të institucioneve tona, qytetarëve tanë, gjithashtu edhe Republika e Bullgarisë duhet të ndërtojë një qëndrim të tij se dëshirojnë të kenë vend fqinj që do të jetë dhe duhet të jetë anëtar i BE-së”, tha Kovaçevski .
Kryeministri në intervistën për TV Sitel, tha se anëtarësimi në BE mbetet angazhimi ynë kryesor strategjik, duke pasur parasysh se jemi një vend në të cilin 45% e legjislacionit është në harmonizim me legjislacionin e BE-së, gati 80% e tregtisë sonë të jashtme është me BE-në, investimet e huaja të drejtpërdrejta në pjesën më të madhe janë nga vendet e BE-së, si dhe pjesa më e madhe e shkëmbimit të punës.
Kovaçevski përfundoi se pavarësisht nga vetoja bullgare, bisedimet do të vazhdojnë dhe ato bisedime duhet të bazohen në vlerat evropiane, në respektin e ndërsjellë ndërmjet politikanëve, institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve.
“Nëse i përmbahemi këtyre vlerave, që janë vlera evropiane, nëse i përmbahemi parimeve të respektit dhe dinjitetit, atëherë besoj se mund të arrihet një zgjidhje që do të jetë themeli për marrëdhëniet e mira fqinjësore, por edhe për përparimin e shpejtë të vendit në negociatat me BE-në", tha Kryeministri.