Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në ngjarje organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, bujqve që ishin prezent ua shpërndau marrëveshjet për mbështetje financiare për masën për furnizim të sistemeve për ujitje “pikë pas pike” dhe konstruksionin e bunarëve nga Programi për zhvillim rural.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo masë për mbështetje financiare për bujqit është vetëm një nga shumë të përfshira në Programet për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Duke pasur parasysh se ujitja është një parakusht i rëndësishëm për produktet bujqësore konkurruese, kjo mbështetje financiare është një impuls i fuqishëm për nxitjen dhe modernizimin e prodhimit bujqësor. Kjo për ju është një përfitim i madh dhe me investime të tilla merrni pjesë në të gjitha aktivitetet tona të përbashkëta për ta bërë bujqësinë një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike. Fillimisht, më lejoni të përgëzoj të gjithë përfaqësuesit e ekonomive bujqësore, nënshkruese të kontratave për furnizimin e sistemeve të ujitjes nga Programi për zhvillim rural. Me aplikimin tuaj të suksesshëm dhe të miratuar për thirrjen publike, ju keni mundësinë të shfrytëzoni mbështetjen financiare për blerjen e sistemeve të ujitjes, pajisjeve, softuerit për menaxhimin dhe kontrollin e sistemit të ujitjes, përgatitjen e studimeve dhe elaborateve”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria vazhdon të investojë në çdo segment, në gjithçka që në këtë krizë globale do të kontribuojë për prodhim më të madh vendor dhe nxitje të ekonomisë.
“Fokusohemi fuqishëm në bujqësinë si një nga shtytësit e ekonomisë vendore. Në kushtet e një prej krizave më të mëdha botërore të historisë më të re, Qeveria po bën përpjekje maksimale për të ulur shpenzimet e bujqve, por për të rritur prodhimin vendor të produkteve strategjike bujqësore. Për herë të parë kemi përgatitur “Planin nacional të prodhimit të ushqimit” në vlerë prej 400 milionë denarë”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se plani përmban masa intervenuese për përkrahjen e bujqve, por edhe masa që në afat të mesëm dhe afatgjatë kontribuojnë për prodhim më të madh të produkteve bujqësore dhe ushqimore dhe për të reduktuar importin.
“Çdo pjesë toke të punueshme e kemi vënë në funksion të rritjes së prodhimit ushqimor. Me shpalljen e thirrjes së posaçme për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore, bujqve do t'u vihen në dispozicion 6.000 hektarë për prodhimin e grurit, misrit, elbit dhe lulediellit”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se janë shpallur pesë thirrje publike në mandati i ri i qeverisë për të mbështetur fermerët në blerjen e traktorëve, kapanoneve, pajisjeve të prodhimit të duhanit, mbështetje financiare për gratë rurale dhe shumë masa të tjera që përforcojnë bujqësinë dhe që pavarësisht krizës globale, subvencionet u paguhen rregullisht bujqve.
“Për herë të parë kemi vendosur për kultivuesit e pemëve dhe nga viti i ardhshëm për degët tjera bujqësore. Sipas rregulloreve evropiane, me paradhënie bujqit do t'i marrin subvencionet atëherë kur do t'u duhen më shumë, për të pasur një prodhim fitimprurës. Përveç mbështetjes financiare, ne vazhdimisht investojmë në projekte kapitale, të cilat kanë vlerë të qëndrueshme dhe në afat të gjatë mundësojnë prodhim të qëndrueshëm bujqësor”, konkludoi Kryeministri Kovaçevski.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski, tha se interesi për këtë thirrje publike ishte shumë i madh, janë nënshkruar 322 marrëveshje me shumë prej 75 milionë denarë.
“Ky është numri më i lartë krahasuar me vitet e kaluara, në vitin 2016 ka pasur vetëm 25 marrëveshje, në vitin 2018 janë nënshkruar 41, ndërsa sot kemi një numër rekord prej 322 marrëveshjeve. Interesimi i madh konfirmon se masa është e suksesshme dhe të gjitha përpjekjet tona për modernizimin e sektorit të bujqësisë japin rezultate të dukshme. Nga sot kemi 322 ekonomi të reja bujqësore që do ta zgjidhin përgjithmonë problemin e ujitjes”, tha ministri Nikollovski dhe sqaroi se bashkëfinancimi është 50% i shpenzimeve të miratuara, pra 55% për bujqit e rinj, 60% për zonat me mundësi të kufizuara, 65% për bujqit e rinj që kanë prodhim në zonat me mundësi të kufizuara dhe 75% në komunitete rurale të paqasshme.
“Më gëzon ajo që marrëveshjet e nënshkruara janë nga të gjitha rajonet, në mbarë vendin, do të kemi ujitje efikase, ndërsa bujqit do të kenë shpenzim racional të burimeve ujore, do të zvogëlohen shpenzimet dhe do të rrisin rendimentin”, konkludoi ministri Nikollovski.
Drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Nikica Baçovski tha se Agjencia njëkohësisht është duke punuar edhe me kërkesat për subvencione të dorëzuara vitin e kaluar, aplikacioni për Programin për pagesa të drejtpërdrejta për vitin 2022 po ecën pa probleme, ndërsa pagesat tashmë janë duke u realizuar nga fondi i krijuar për ndërhyrje nga i cili është paguar mbështetja financiare për sektorin e bujqësisë së shpendëve.
Sistemi “pikë pas pike” është teknologjia më bashkëkohore për ujitje efikase dhe rritje të rendimenteve, që kursen ujë, kohë dhe para.