Kovaçevski: Me 49,7 milionë euro nga programi TAV realizojmë projekte infrastrukturore për nevojat reale të qytetarëve

Kryeministri Dimitar Kovaçevski bashkë me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi vizituan Komunën e Sarajit, me rastin e rindërtimit të rrugës Bukoviq-Raoviq, e cila është një nga 94 projektet infrastrukturore të programit TAV në vlerë prej 49.7 milionë euro.

Rruga Bukoviq-Raoviq është në fazën përfundimtare të realizimit, është gjashtë kilometra e gjatë dhe lidh dy fshatrat. Shuma e investimit është 748 mijë euro. Kryeministri Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë Grubi, bashkë me udhëheqësinë e kompanisë “TAV Maqedoni”, me vetëqeverisjen lokale, kontraktuesit, si dhe me qytetarët e Komunës theksuan rëndësinë e realizimit të projekteve infrastrukturore që lehtësojnë jetën e përditshme në vendbanimet.

“Projektet infrastrukturore për komunat kanë rëndësi të madhe, për këtë arsye Qeveria në bashkëpunim me TAV realizon projekte infrastrukturore në të gjithë vendin, në të gjitha rajonet e planifikimit. Vlera e përgjithshme për të gjitha 94 projektet  infrastrukturore është 49.7 milionë euro. Një pjesë e madhe e projekteve kanë përfunduar, një pjesë janë në fazë përfundimtare dhe duhet të realizohen këtë vit, ndërsa afati i fundit për përfundimin e të gjitha projekteve është viti 2023. Këto janë projekte reale për nevojat e përditshme, reale të qytetarëve.

Lidhen vendbanimet, të gjithë të kenë ujësjellës cilësor dhe të vazhdueshëm, rregullohen shtretërit e lumenjve, rrjetet e kanalizimit, objektet e shkollave, qendrat e të rinjve, shtëpitë e pleqve, qendrat kulturore, zonat e qytetit dhe komunës janë rregulluar në katin përdhes që qytetarët të kenë një jetë më të mirë në vendet ku jetojnë. Vëllimi i tillë i projekteve, të cilat janë për nevojat reale të qytetarëve dhe të cilat realizohen në një kohë, deri më tani nuk kanë ndodhur.  Për rëndësinë e këtyre projekteve, flet mbështetja dhe promovimi i tyre nga ana e të gjithë kryetarëve të komunave. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë për jetë cilësore dhe Qeveria është e përkushtuar që të përmirësojë atë që me dekada nuk është bërë. Investojmë në atë që kanë nevojë qytetarët. Me këto projekte investohet në infrastrukturën komunale në rrugica dhe rrugë, ujësjellës, ndërtohen  ura, lidhen  vendbanime", tha Kovaçevski, dhe shtoi se nga vetëm 5 projekte më të rëndësishme, duke përfshirë  programin TAV, Qeveria ka mbështetur investime prej mbi 250 milionë euro në komuna.

Zëvendëskryeministri i Parë Grubi, theksoi se është e rëndësishme që mjetet për ndërtimin e kargo-aeroportit në Shtip janë rialokuar për nevojat reale të qytetarëve për ndërtimin e projekteve infrastrukturore.

“Prandaj jam krenar që jam pjesë e asaj Qeverie që mbështet projekte për të mirën e qytetarëve. Kryetarët e komunave kanë dorëzuar deri te Qeveria projekte për të mirën e qytetarëve. Konkretisht të gjitha projektet nga Komuna e Sarajit janë miratuar, ky është projekti i dytë që realizohet në kuadër të programit TAV, i dërgoj urime kryetarit të komunës dhe kontraktuesit për realizimin e suksesshëm dhe të hershëm të projektit. I inkurajoj që edhe në të ardhmen të paraqesin projekte për përmirësimin e kushteve për qytetarët”, tha Grubi.

Metin Batak, drejtori i përgjithshëm i kompanisë “TAV Maqedoni”, tha se vlera e këtij projekti është 748 mijë euro, ndërsa shuma e përgjithshme e investimit të TAV për 94 projekte është 49,7 milionë euro.

“Jemi të kënaqur që këto fonde po shfrytëzohen për të përmirësuar dhe avancuar infrastrukturën lokale. Për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, shkollave dhe objekteve të tjera. Me këtë ne si TAV së bashku me Qeverinë dhe komunat krijojmë vlera sociale, për të mirën e qytetarëve. Në menaxhimin me aeroportet maqedonase, me mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë dhe palëve të prekura, kemi krijuar një histori suksesi. Në vitin 2019, gjegjësisht 10 vjet nga marrja e aeroporteve të Maqedonisë nga ana jonë, qarkullimi i pasagjerëve u rrit katërfish. Por më pas në vitin 2020 ndodhi pandemia dhe shkaktoi krizën më të rëndë në historinë e industrisë së aviacionit, kur patëm një rënie prej mbi 70% të numrit të udhëtarëve në aeroportet maqedonase. Por përkundër krizës, ne jemi krenarë që vitin e kaluar nënshkruam marrëveshje me Qeverinë dhe komunat dhe se po i përmbushim premtimet tona për këto 94 projekte që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi Batak.

Kryetari i komunës, Blerim Bexheti falënderoi Qeverinë për pranimin e këtij projekti, i cili siç tha ai është shumë i rëndësishëm për komunën.
 

“Kjo rrugë ishte mjaft e rrënuar dhe ishte vërtet e nevojshme që të realizohet  ky projekt. Pushteti vendor në komunikim me qytetarët përcakton rëndësinë e projekteve dhe për këtë kemi aplikuar me këtë projekt. Kjo rrugë përveç që është e rëndësishme për qytetarët, për jetën e tyre të përditshme, mund të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit rural, sepse ura ku përfundon rruga, ka një lokacion shumë të rëndësishëm dhe atraktiv për t'u vizituar”, tha kryetari i komunës Bexheti dhe nënvizoi se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për qytetarët, i cili pa mbështetjen e Qeverisë nuk do të realizohej.