Kovaçevski: Potenciale të reja për bashkëpunim me Vatikanin në fusha me interes të ndërsjellë

Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë, në kuadër të programit për shënimin e 24 Majit – Ditës së iluministëve mbarësllav të Shën Kirilit dhe Metodit, Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani u takuan me sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë, Pjetro Parolin dhe sekretarin për marrëdhënie me shtetet Poll Riçard Gallager.

Në takim u theksua se marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Vatikanit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë duke u zhvilluar vazhdimisht me një nivel të lartë të besimit, mirëkuptimit dhe miqësisë së ndërsjellë.

Kurorë e dinamikës së fortë të marrëdhënieve të ndërsjella miqësore, u tha në takim, ishte vizita monumentale e Papa Françeskut në Republikën e Maqedonisë së Veriut në maj të vitit 2019, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe për rajonin.

Bashkëbiseduesit theksuan se lidhjet shpirtërore përmes trashëgimisë civilizuese të Nënë Terezës dhe shenjtorëve Kirili dhe Metodi, përkthehen në marrëdhënie miqësore politike me Vatikanin, të cilat vitet e fundit janë konfirmuar nga dinamika në rritje e takimeve dypalëshe në nivelin më të lartë.

Në takim u bisedua edhe për përgatitjet e të dyja palëve për nënshkrimin e marrëveshjes, gjegjësisht konkordatit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e statusit të Kishës Katolike në vendin tonë, që do të hapë potenciale të reja për bashkëpunim në më shumë fusha me interes të përbashkët.

Në ditën e iluministëve mbarësllav Shën Kirili dhe Metodi, kremtimi vazhdoi gjatë ditës me vendosjen e një kurore lulesh në pllakën përkujtimore në gjuhën maqedonase në bazilikën papale të Santa Maria Maxhore. Programi me rastin e kremtimit të vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi vazhdon pasdite me koncertin e tenorit me famë botërore Bllagoj Nacoski.