Kovaçevski: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë plotësuar kushte për negociata, nuk duhet të mbahen peng nga një shtet anëtar i BE-së

“Qytetarët maqedonas nuk duhet të mbahen peng në samitet e BE-së, nëse do të ketë datë apo nuk do të ketë datë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria të jenë peng i vetëm një vendi anëtar të BE-së”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp me kancelarin Sholc në kuadër të vizitës zyrtare të vendit tonë dhe shtoi se realizimin e pritshmërive si në të kaluarën për atë që do të ndodh në një samit nuk varet më nga ne, por vetëm nga 27 vendet anëtare që duhet të harmonizohen dhe të vendosin për fillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka për të filluar konferencën e parë ndërqeveritare. 45% i legjislacionit tonë tashmë është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe nëse i krahasojmë harmonizimet sipas kapitujve atëherë nga raportet e institucioneve evropiane është shumë e qartë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka pajtueshmëri më të madhe në kapituj të caktuar dhe nga vendet që kanë qenë duke negociuar për 10 vite ose më shumë me BE-në.Që do të thotë se nëse është një sistem i bazuar në merita gjatë aderimit në BE, Maqedonia e Veriut 100% e meriton konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski shtoi se Maqedonia e Veriut i udhëheq negociatat me Bullgarinë mbi baza parimore, mbi bazën e vlerave evropiane dhe në bazë të dispozitave të rezolutës së miratuar në Kuvendin tonë.

“Ekziston një dallim i madh mes nesh dhe Bullgarisë. Kjo çështje për ne ishte një çështje për fillimin e negociatave me BE-në dhe ne në asnjë moment si Qeveri dhe si koalicion qeverisës nuk e instrumentalizuam dhe politizuam këtë çështje për pikat politike ditore apo kryerjen e politikës së brendshme në vend. Përkundrazi, në Bullgari kjo çështje u ngrit në nivelin e politikës së brendshme dhe u instrumentalizua dhe u politizua”, tha Kovaçevski, duke shtuar se për momentin nuk ka një dokument të vetëm, të harmonizuar dhe të pranuar reciprokisht si rezultat i bisedimeve mes dy ministrive për punë të jashtme në Shkup dhe Sofje.