Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, përmes profilit të tij në Facebook, dënoi ashpër ngjarjet e pakëndshme të protestave të djeshme, duke apeluar qytetarët që të shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike. Ai gjithashtu u bëri thirrje aktorëve politikë që të mos i përfshijnë qytetarët në protesta të dhunshme, duke u dhënë premtime të rreme dhe siguroi se Qeveria asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase dhe se është detyrë e saj të ruaj dinjitetin e qytetarëve.
Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Kovaçevski:
Të nderuar qytetarë,
Dënoj ashpër ngjarjet e djeshme, të cilat për fat të mirë nuk rezultuan fatale për qytetarët. Asnjë revoltë nuk mund të justifikojë përdorimin e armës të zjarrit nga civilët, gjuajtjet me gurë, dëmtimin e pronave shtetërore, rrezikimin e jetës.
Shprehja e pakënaqësisë përmes protestave paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe kjo Qeveri ka treguar dhe dëshmuar disa herë se demokracia është në duart e qytetarëve dhe askush nuk do t'ua mohojë këtë të drejtë.
Por urrejtja dhe dhuna nuk ishin zgjidhje dhe asnjëherë nuk do të jenë zgjidhje për asgjë. Nga zhvillimet e fundit dhe sjellja huligane në rrugë ka vetëm një humbës, ajo është Republika e Maqedonisë së Veriut.
U bëj thirrje aktorëve politikë që të mos i përfshijnë qytetarët në protesta të dhunshme, duke u dhënë premtime të rreme. Skenarët e tillë tashmë janë të njohur për të gjithë ne. Dje pamë një shembull të tmerrshëm politikanësh që kishin një tendencë për të luajtur rolin e viktimës, për shkak të dëshirës së madhe për pushtet. “Lojërat” e tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të atyre që fshihen pas popullit. Një ditë i inkurajojnë në radikalizëm, ditën tjetër tërhiqen dhe distancohen nga qytetarët që më parë i manipuluan. Dua t'u them atyre - skenat e përgjakshme në shtëpinë ligjvënëse, në rrugët anembanë vendit, janë një epokë e kaluar që është pas nesh dhe në të cilën nuk do të lejoj kurrë të kthehemi.
E tashmja na tregon prioritete të tjera, ato janë harmonia dhe prosperiteti. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut institucionet funksionojnë, prandaj çdo problem, çështje zgjidhet me dialog. Kështu funksionon një vend anëtar i NATO-s, kështu funksionon një vend, e ardhmja e të cilit është BE-ja, kështu funksionon edhe Maqedonia e Veriut.
Të nderuar qytetarë, në asnjë moment si Qeveri nuk e kemi vënë në dyshim identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Është detyrë e jona të ruajmë dinjitetin e qytetarëve dhe këtë po e bëjmë. Ne jemi një qeveri evropiane dhe mbrojmë vlerat evropiane.