Filloi skriningu dypalësh si pjesë e fillimit zyrtar të negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në

Republika e Maqedonisë së Veriut sot pasdite në Bruksel filloi procesin e skriningut  dypalësh.  Maqedonia e Veriut, që nga pavarësia e saj në vitin 1991, shprehu qartë dhe pa mëdyshje përcaktimin e saj strategjik për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe BE dhe me gjithë kapacitetin e saj administrativ dhe social ishte e përkushtuar që t’i arrijë këto qëllime.

Në takimin e sotëm fjalim mbajtën zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Zëvendëskryeministri Mariçiq theksoi se 21 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit dhe 17 vjet si vend kandidat për BE, me takimin e sotëm për  fillimin e procesit të skriningut më në fund  hyjmë në fazën e fundit të rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE.

“Si zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, bashkë me institucionin tim, Sekretariatin për Çështje Evropiane, si organ kryesor koordinues për procesin e negociatave në Maqedoninë e Veriut,  do t'i drejtojmë përpjekjet tona në sigurimin e rrjedhës së lirë të procesit të negociatave në të gjithë aspektet e saj përmes mobilizimit administratës sepse ajo konsiderohet si  shtyllë e këtij procesi. Në javët në vijim do të finalizojmë rishikimin e akteve të strukturës negociuese të vitit 2019 dhe do ta operacionalizojmë.  

Fillimi i skriningut, rrugëtimin që sot e nisim bashkë me Republikën e Shqipërisë nuk do të jetë i lehtë.

Procesi i aderimit kërkon angazhim të tërësishëm, por e dimë se nuk do të jemi vetëm në këtë rrugëtim. Llogarisim në mbështetjen e Komisionit dhe shërbimeve të tij, si partnerë tanë të cilët do të ofrojnë udhëzime dhe këshilla në proces dhe  ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të siguruar rrjedhë të lirë  të procesit të negociatave në të gjitha aspektet e tij”, tha Mariçiq.

Në fjalimin e tij në takimin inaugurues për procesin e skriningut ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, theksoi se  fillojmë fazën finale për arritjen e prioritetit të parë të politikës së jashtme të vendit tonë – anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

“Rruga e deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, por sot nuk do të kthehemi në të kaluarën, por vështrimi ynë është i kthyer drejt së ardhmes dhe detyrave që duhet t’i  përmbushim gjatë procesit të negociatave.

Më në fund, nga pozicioni i fillimit e fillojmë garën dhe tani e tutje do të varet nga forcat dhe aftësitë tona – t’i mobilizojmë të gjitha burimet tona njerëzore dhe të punojmë me përkushtim deri në plotësimin e kushteve të nevojshme për hyrje në familjen evropiane të cilës i takojmë në aspektin qytetërues, me vlerë dhe kulturor”, tha Osmani.

Qeveria beson se Metodologjia e re, e miratuar në mars 2022, do t'i japë një shtysë të re negociatave të anëtarësimit dhe do të konfirmojë përkushtimin e Bashkimit ndaj politikës së zgjerimit bashkë me angazhimet e dhëna  në agjendën e Selanikut dhe deklaratat pasuese nga Sofja, Zagrebi dhe Bërdo.

Në të njëjtën kohë, presim që Metodologjia e re të tregojë dhe të vërtetojë në vepër qëllimin e saj kryesor - dinamizmin e negociatave të anëtarësimit, transformimin e përshpejtuar dhe të pakthyeshëm të shoqërive tona në demokraci plotësisht funksionale të barabarta me anëtarët e Unionit, konvergjenca e ekonomive tona dhe zvogëlimi i dallimeve në krahasim me ato të vendeve anëtare të BE-së, në nivel rajonal  dhe atë shtetëror.

Për këtë qëllim, Qeveria sot në mbledhje propozoi  që të organizohen takime shtesë në nivel teknik me përfaqësues nga administrata e Maqedonisë së Veriut, ku shërbimet evropiane në detaje do t’i prezantojnë se si do të zbatohet metodologjia e re e aderimit.

Skriningu është një operacion formal dhe teknik i kryer nga Komisioni Evropian, me qëllim të përgatitje së negociatave të anëtarësimit dhe paraqet prezantim analitik i ligjit të BE-së dhe situatës në vendin kandidat në lidhje me të. Më konkretisht, si proces synon nga njëra anë  t’i njohë vendet kandidate me trashëgiminë ligjore të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë t’i përgatisë për negociatat. Nga ana tjetër, qëllimi është t'i mundësohet Komisionit dhe vendeve anëtare të vlerësojnë shkallën e përgatitjes së vendeve kandidate, që të informohen për planet e tyre të ardhshme dhe të marrin udhëzime paraprake për çështjet që do të jenë më aktuale në negociata.  Në takimin për skriningun dypalësh,  si pjesë e  delegacionit zyrtar, morën pjesë  edhe  ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministrja  e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, dhe ministri i  Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.