Kovaçevski: Gjuha maqedonase do të jetë një nga gjuhët zyrtare të BE-së, fitojmë stabilitet dhe mbështetje evropiane për ekonominë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski - edhe nga foltorja e Kuvendit, në seancën parlamentare në Kuvend, uroi të gjithë qytetarët për fillimin e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim të plotë në BE.

“Zgjodhëm një të ardhme të ndritur për vendin dhe qytetarët pa e rrezikuar gjuhën dhe identitetin maqedonas. Pas 17 vitesh kompromise të vështira, më në fund po hapet procesi për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që kemi arritur, sepse për të realizuar këtë qëllim strategjik morëm vendime të vështira që kërkonin lidership dhe guxim, mençuri dhe përgjegjësi Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të madhe për të gjithë deputetët që me votën “po” mbështetën konkluzionet e propozimit evropian dhe na dhanë dritën jeshile për të udhëtuar drejt Brukselit. Më 19 korrik në Bruksel hapëm një kapitull të ri për gjendjen e zhvillimit të përshpejtuar, prosperitetit dhe stabilitetit”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski tha se bisedimet fillojnë me gjuhën dhe identitetin e garantuar maqedonas.

“Gjuha maqedonase do të jetë një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa sqarime, shtesa apo fusnota. Edhe sot nga foltorja e Kuvendit dua të konfirmoj se bisedimet për anëtarësim të plotë me BE-në i kemi filluar me identitetin dhe gjuhën maqedonase të ruajtur plotësisht,të cilat aspak nuk janë aspak pjesë e kornizës negociuese, por janë çështje dypalëshe, pjesë e protokollit dypalësh me Bullgarinë. Falë punës së koordinuar dhe të përkushtuar të disa palëve të interesuara në pothuajse dy dekadat e fundit, tani kemi një kornizë negociuese në të cilën mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas, ndërsa çështjet historike janë jashtë të njëjtës. Secili që ndoqi diskutimin, që u përfshi në konsultimet për propozimin evropian që na lejoi të vazhdonim rrugën evropiane, pati mundësi të dëgjonte për një mbështetje të fuqishme dhe të garantuar për identitetin dhe veçorinë tonë nacionale, për një të tashme stabile, por më së shumti nga të gjitha, për një të ardhme më të mirë, për përparim, për zhvillim.

Sado që dikush të dojë të shtrembërojë të vërtetën, të manipulojë popullin me skenar të errët, fillimi i bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE nënkupton ruajtjen dhe përforcimin e identitetit maqedonas, të gjuhës maqedonase, të kulturës, të të kaluarës historike, veçorisë - brenda dhe jashtë vendit, kudo në botë", tha Kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi edhe përfitimet tjera për qytetarët dhe shtetin nga fillimi i procesit të integrimit evropian.

“Sa i përket asaj që marrim nga fillimi i bisedimeve me BE-në, do të thoja shkurt – stabilitetin e shtetit, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme. Nga ky proces, qytetarët dhe ne të gjithë së bashku do të dalim më të fortë, më të qëndrueshëm dhe do të ecim përpara me shpejtësi drejt një të ardhmeje më premtuese së bashku. Gjithashtu pres ndihmë të vazhdueshme dhe të shtuar, të cilën Bashkimi Evropian do ta ofrojë në periudhën e ardhshme. Kjo ndihmë do t'u mundësojë qytetarëve dhe ekonomisë maqedonase të marrin mbështetje konkrete dhe reale, në mënyrë që ne ta jetojmë realitetin evropian sot dhe në mënyrën e duhur dhe do të jetë e një rëndësie të paçmueshme në kohën e një prej krizave më të mëdha ekonomike që bota dhe ne po përballemi”, shtoi Kryeministri.

Kryetari i Qeverisë Kovaçevski tha se “ne me vendosmëri vazhdojmë të ndjekim rrugën evropiane, sepse nuk ka patriotizëm më të madh se vizioni dhe plani i qartë për të ardhmen, duke u përkushtuar për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve”.