Çmimi i blerjes së rrushit këtë vit shënoi rritjen më të madhe prej 30%. Rrushi i llojit smederevka sivjet do të shitet për 13 denarë për kilogram, ndërsa çmimi i blerjes së vranecit do të jetë 15 denarë për kilogram, që është për 3 denarë më shumë në krahasim me çmimin e blerjes së rrushit të vitit të kaluar.
Rritja e çmimit të blerjes së rrushit është rezultat i marrëveshjes së arritur pas konsultimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave me kantinat e verës dhe kultivuesit e rrushit.
Vreshtaria si degë e orientuar drejt eksportit merr mbështetje serioze përmes një sërë masash të krijuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, të cilat nuk munguan as në kushtet e krizës botërore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Përmes masës për mirëmbajtjen e sipërfaqeve ekzistuese me vreshta, kultivuesit marrin subvencionim prej 40.000 denarë për hektar, gjegjësisht 48.000 denarë për hektar për fermat me sipërfaqe të regjistruar për mbështetje financiare nga minimumi 1 hektar deri në maksimum 10 hektarë.
Për të pasur prodhim të qëndrueshëm dhe shpenzime më të ulëta, kultivuesit marrin mbështetje në formën e subvencioneve për vajin e gjelbër, i cili ka arritur deri në 100%, ndërsa dhe në kushte krize mbështetet edhe përmes masave intervenuese.
Edhe në kushtet e krizës shëndetësore të shkaktuar nga virusi Kovid, në vitin 2020 dhe vitin 2021, përmes disa masave janë paguar gjithsej 649 milionë denarë në ndihmë të kultivuesve. Përkrahje është dhënë edhe për kantinat në vlerë prej 67,6 milionë denarë përmes masave që kanë ndihmuar transportin gjatë eksportit të verës.
Këto masa japin rezultate pozitive në zhvillimin e vreshtarisë dhe verëtarisë. Prodhimi mesatar vendor i rrushit është stabilizuar në rreth 270 mijë tonë në vit. Ndërsa prodhimi mesatar vjetor i verës është rreth 100 milionë litra.
Eksporti i verës për të tretin vit radhazi ka shënuar rritje, si në sasi ashtu edhe në vlerë.
Paralelisht po rritet edhe numri i kantinave të verës, i cili në gusht 2022 është 139, me kapacitet total prej rreth 200 milionë litra. Me këtë, kapaciteti i përgjithshëm për përpunimin e rrushit në verë është pothuajse dyfishi i prodhimit vjetor të verës. Mbështetja financiare deri në 10 mijë euro u mundësua për kantinat e vogla familjare për blerjen e pajisjeve të prodhimit, masë që shkaktoi interes të madh.
Mbështetja e kësaj dege të bujqësisë nga Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave vazhdon edhe në periudhën e ardhshme, si një sektor strategjik, eksportet e të cilit ndikojnë pozitivisht në përforcimin e ekonomisë së vendit.