Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot mbajti fjalim në hapjen zyrtare të Panairit të parë ndërkombëtar të verës, ushqimit dhe turizmit “Vizioni i Verës së Ballkanit të Hapur” në Beograd. Panairi mbahet nën patronazhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë nga data 1 deri më 4 shtator.
Në vazhdim është fjalimi integral i Kryeministrit Kovaçevski.
“Të nderuar Aleksandar dhe Edi – President i Republikës së Serbisë, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, e nderuar Ana Bërnabiq, i nderuar shoku im Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.
Të nderuar ministra nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut,
Të nderuar kryetarë të odave ekonomike, të nderuar mysafirë dhe mbi të gjitha ekspozues të respektuar të verërave në këtë panair madhështor.
Të nderuar përfaqësues ndërkombëtarë: diplomatë, nga Këshilli Atlantik, agjencitë e turistike dhe nga institucionet kulturore që janë sot të pranishëm këtu.
Mirëserdhët edhe nga unë në Panairin e parë ndërkombëtar për verë, ushqim dhe turizëm "Vizioni i Verës së Ballkanit të Hapur", pjesë e iniciativës rajonale Ballkani i Hapur.
Më vjen shumë mirë që jemi këtu së bashku për të parë sesi funksionojnë në praktikë iniciativat si Ballkani i Hapur, qëllimi kryesor i të cilave është inkurajimi i zhvillimit ekonomik të rajonit. Shumë pyesin nëse Ballkani i Hapur, është një organizatë politike dhe ne e kemi përsëritur vazhdimisht se Ballkani i Hapur, është kryesisht një iniciativë ekonomike dhe sot e kemi konfirmuar këtë.
Këtu sot ne lidhim ekonomitë tona, hapim tregje të reja për to, plasmane të reja, ofrojmë hapësirë për shkëmbimin e ideve të reja, teknologjive, qasjeve ndaj punës. Ballkani i Hapur sot tregon se çfarë do të thotë integrim, qasje e lehtë, zbatim praktik i politikës së dyerve të hapura dhe fqinjësi e mirë.
Ky Panair është një mundësi për të vendosur një dinamikë të re në marrëdhëniet rajonale dhe për të siguruar prosperitet ekonomik për qytetarët dhe kompanitë tona.
Për herë të parë, përfaqësues të 42 kantinave të verës dhe 3 distileri nga Maqedonia e Veriut do të marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ushqimit, Verës dhe Turizmit, me mbështetjen e vendit të tyre, të cilët do të prezantojnë më shumë se 300 verëra dhe raki të ndryshme dhe mbi 10 prodhues ushqimesh.
A është e mundur të ketë një Panair të tillë vetëm në Maqedoninë e Veriut apo vetëm në Shqipëri apo vetëm në Serbi? Është e pamundur. Sepse një numër kaq i madh ekspozuesish është i mundur vetëm nëse e bëjmë së bashku.
Sot, të gjithë kanë një shans të barabartë për të prezantuar produktet e tyre në Panair para qindra mijëra të pranishmëve dhe për të bërë plasmane, tregje dhe kontakte me kompanitë e pranishme.
Për të gjitha kompanitë e pranishme, ky Panair në kuadër të Ballkanit të Hapur do të thotë shanse të hapura për kontakte biznesi në nivel ndërkombëtar, mundësi të hapura për vendosje të reja, por edhe mundësi për hyrje të reja fondesh, nëpërmjet zhvillimit apo zgjerimit të prodhimit dhe investimeve të reja. Në mënyrë domethënëse, ky Panair është i pari i këtij lloji, i cili besoj se do të kthehet në një traditë, do të thotë mundësi të reja për të siguruar jetesën - për veten tuaj ose për kompanitë dhe punonjësit.
Në këtë Panair kryqëzuam rrugët e verës në Ballkan, duke takuar në një vend prodhues dhe blerës dhe distilues nga rajoni. Çdo lloj asociacioni rajonal është i dobishëm, sepse rrit konkurrencën në tregun botëror.
Vera maqedonase është e një cilësie të njohur botërore. Maqedonia e Veriut, sipas renditjes së fundit, është eksportuesi i dytë më i madh i verës në rajon dhe eksportuesi i 29-të më i madh i verës në botë.
Për të tretin vit radhazi, eksporti i verës nga vendi ynë është në rritje - si në sasi ashtu edhe në vlerë edhe në strukturë, sepse eksporti i verës me shumicë është në rënie dhe eksporti i verës në shishe është në rritje.
Vitin e kaluar, kantinat e verës maqedonase shënuan rritje prej 19% të eksportit në krahasim me vitin 2020. Në Maqedoninë e Veriut, numri i kantinave të verës është rritur në 139 kantina të cilat prodhojnë verë të cilësisë së lartë dhe një kapacitet prej 200 milionë litrash për prodhimin e verës.
Prodhimi mesatar vjetor i verës është rreth 100 milionë litra, që do të thotë se me rritjen e eksportit përmes panaireve të tilla do të mundësohet përmbushja e kapacitetit të plotë prodhues të verës maqedonase me famë botërore.
Ne si Qeveri kemi interes për zhvillimin e këtij sektori dhe për këtë arsye ndër të tjera kemi ofruar mbështetje financiare për kantinat e vogla familjare, për blerjen e pajisjeve të prodhimit, gjë që shkaktoi interes të madh në vendin tonë.
Krahas verës, në këtë panair vizitorët do të mund të provojnë edhe kuzhinën autentike maqedonase përmes prodhuesve ushqimorë që janë të pranishëm këtu. Gjithashtu, ata do të kenë mundësinë të njihen me bukuritë natyrore të Maqedonisë së Veriut, përmes promovimit të objekteve turistike.
Të gjitha këto i prezantojmë sot nën moton “Shijo jetën” dhe themi: shijoni verën maqedonase, shijoni ushqimin maqedonas, shijoni aventurën maqedonase.
Besoj se interesimi do të jetë i madh. Jemi të interesuar të vizitojmë edhe stendat promovuese të përfaqësuesve nga Serbia dhe Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të pranishme këtu.
Meqë ka interes dhe vullnet për bashkëpunim mes nesh, ndërsa treguam se i ka të dyja, atëherë mund të rrisim tregtinë në nivel rajonal, por edhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në konsolidimin e plasmaneve drejt tregjeve evropiane dhe botërore.
Me të gjitha aktivitetet e tilla në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, ne kemi mundësinë të përmirësojmë jetesën e njerëzve që jetojnë në vendet tona, të zhvillojmë seriozisht ekonomitë dhe jam i bindur se po i hapim rrugën Evropës dhe botës.
Në këtë kohë krize globale, më e vështira ndonjëherë, kur të gjitha vendet në botë po përballen me sfidën e sigurimit të jetesës së qytetarëve të tyre, për shkak të pasojave të luftës në Ukrainë dhe pandemisë, vjen në shprehje kuptimi i vërtetë i Ballkanit të Hapur.
Kjo nismë e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, e cila filloi si vizion për bashkëpunim rajonal, në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, sot është edhe mundësia jonë serioze për t'u përballur me të gjitha sfidat së bashku. Prandaj, ne përdorim çdo mundësi për t'u lidhur si një dritare për të siguruar perspektivat tona.
Tani përpara nesh janë rrugët e reja, lidhjet, zhvillimi i rajonit, tani është koha e duhur për të shfrytëzuar mundësinë së bashku dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë, kushte më të mira jetese dhe standarde jetese për vendet dhe qytetarët tanë. Është detyrimi ynë, është një përfitim i përbashkët për të gjitha vendet.
Dua të ndaj me ju diçka shumë personale në vitin 1992 dhe 1993 isha në shkollë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çdo mëngjes mësimi fillonte me një kanal televiziv për shkollat e mesme dhe çdo mëngjes imazhet e para ishin imazhe të Ballkanit, imazhe shkatërrimi. , imazhe lufte dhe imazhe vuajtjesh. Atëherë thash se duhet ta ndryshojmë atë imazh.
Sot, takova një mik këtu në hotel në Beograd, i cili ishte gjithashtu në SHBA në atë kohë dhe ne mbetëm miq të mirë. Sot më pyeti a isha i lumtur, i thashë po, sot jam i lumtur, sepse imazhet që do të transmetohen sot nga të gjitha kanalet televizive të botës do të jenë foto të buzëqeshura, foto miqësie, foto të vendeve që mund të bëjnë më mirë dhe më shumë, sepse janë bashkë dhe sepse janë të hapur. Qoftë në postin e Kryeministrit apo në cilindo post, nuk do të ndalem së punuari për hapjen e kufijve të Ballkanit dhe synimi im përfundimtar është heqja e kufijve mes vendeve tona, sepse qytetarët e meritojnë”, tha Kryeministri Kovaçevski.