Më shumë se 300 ekspozues nga 22 vende prezantuan produktet e tyre, traditën dhe karakteristikat e tyre në Panairin e parë ndërkombëtar për verë, ushqim dhe turizëm "Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur", nën patronazhin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me Republikën e Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë.
Pas hapjes zyrtare të Panairit, liderët e Ballkanit të Hapur, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku me delegacionet e tyre shtetërore vizituan stendat e prodhuesve të verës.
Gjatë shëtitjes, liderët patën mundësinë të mësojnë për traditën e gjatë të prodhimit të rrushit dhe verës, të përfaqësuar nga verërat më të mira të tre shteteve.
Krahas kantinave të verës, në kuadër të panairit të vreshtarisë “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur", liderët vizituan edhe stendat e prodhimit të rakisë, ku ekspozuesit prezantojnë teknologjitë, traditën dhe brendet e tyre të rakisë.
Maqedonia e Veriut në Panair është e përfaqësuar me gjithsej 42 kantina dhe 3 distileri para vizitorëve, ndërsa gjatë Panairit do të prezantohen më shumë se 300 lloje të ndryshme të verërave dhe rakive maqedonase.
Në kuadër të panairit “Vizioni i Verës në Ballkanin e Hapur", vizitorët kanë mundësi të shijojnë verërat dhe në të njëjtën kohë do të mbahet gara “Trofeu i Verës së Ballkanit të Hapur” viti 2022. Ky Panair është një mundësi e shkëlqyer për prezantimin dhe promovimin e verës maqedonase, hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim, sigurimin e eksporteve më të mëdha, blerjet dhe plasmanet e reja, të cilat do të reflektojnë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë së vendit.