Në kuadër të vizitës së punës në Sofje, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi takim me liderët e partive kryesore politike, të përfaqësuara në Kuvendin Popullor të Republikës së Bullgarisë: Bojko Borisov nga partia GERB, Kiril Petkov nga “Vazhdojmë me ndryshimin”, Mustafa Karadaj nga “Lëvizja për të Drejta dhe Liri”, Kornelija Ninova nga “Partia Socialiste Bullgare”, Hristo Ivanov nga “Bullgaria Demokratike” dhe Stefan Janev nga “Ngritja Bullgare”.
Në takime u diskutua për tema që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, detyrimet që dalin nga Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, si dhe për mënyrat se si të adresohen çështjet e hapura që i tangojnë dy shtetet fqinje, në interes të qytetarëve tanë dhe të ardhmes evropiane.
“Pavarësisht sfidave, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të vazhdojnë t’i kultivojnë marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin në frymën e vlerave evropiane. Këtë e presin edhe qytetarët e të dyja vendeve, por edhe partnerët dhe aleatët tanë. Përveç aleancës sonë në NATO, ne na pret edhe partneriteti në Bashkimin Evropian, e përveç kësaj, ne para së gjithash jemi fqinjë të mirë dhe ambicia jonë nuk duhet të jetë asgjë më pak se miqësia e qëndrueshme dhe afatgjate”, theksoi Osmani.
Krahas marrëdhënieve bilaterale, në takime u diskutua edhe për sfidat aktuale gjeopolitike dhe aleancën në NATO, ballafaqimin me krizën energjetike, por edhe mbi mundësitë për thellimin e trendit pozitiv në bashkëpunimin ekonomik.