Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Talin, krahas takimit me homologun e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë, Urmas Reinsalu, realizoi disa takime pune.
Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Estonisë (Riigikogu), Juri Rutas, u konfirmuan marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi i ngushtë, i ndërtuar mbi respekt dhe besim të ndërsjellë në tri dekadat e fundit. Të dy bashkëbiseduesit e theksuan nevojën për dinamizimin e bashkëpunimit parlamentar dhe në këtë kontekst, Ministri Osmani e rikonfirmoi nevojën e formimit të Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut në Parlamentin e Estonisë. Osmani informoi për aktualitetin në lidhje me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin në kuadër të Aleancës, si dhe situatën në Ballkanin Perëndimor nën prizmin e sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit, ashtu si dhe nevojës për dialog për zgjidhje të çështjeve të hapura.
Kryeparlamentari, Rutas shprehu kënaqësi për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe angazhimin për shfrytëzim të potencialit ekzistues. Në kontekst të situatës gjeopolitike pas invazionit rus ndaj Ukrainës dhe sigurisë së rrënuar, Rutas theksoi se është e një rëndësie të jashtëzakonshme forcimi i krahut lindor të NATO-s dhe në këtë kontekst edhe solidariteti dhe uniteti ndërmjet vendeve anëtare dhe partnerëve të Aleancës.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe presidencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, me ç’rast shprehën dhe bindjen se dy vendet do të bashkëpunojnë suksesshëm edhe në këtë drejtim.
Në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të vendosur ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë në fushën e digjitalizimit, Ministri Osmani realizoi takim me Andrea Kivi dhe Eva Maria Limets, përfaqësues të Qendrës Estoneze për Zhvillim Ndërkombëtar. Qëllimi i bisedimeve ishte informimi i ndërsjellë për rrjedhën e projektit aktual, i cili realizohet në bazë të Memorandumit për Bashkëpunim të nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Estonisë dhe SHBA-së, për digjitalizimin e shërbimeve në vendin tonë. Njëherit, në kuadër të digjitalizimit, Ministrit Osmani iu prezantua edhe Qendra Informuese e-Estonia, e cila është themeluar në vitin 2009 dhe e cila është pjesë e Agjencisë për Biznes dhe Inovacione të Estonisë me qëllim promovimin e ekspertizës estoneze në shërbimet digjitale, në mbarë botën.