Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me Mustafa Shentop, Kryetar i Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë,
Në takim u konfirmuan raportet tradicionalisht të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, të cilat po shënojnë avancim. Kjo, siç u konstatua, mund të shihet edhe nga fakti se Turqia është ndër partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë, ndërsa në vend ka një numër të konsiderueshëm investitorësh turq, të cilët tashmë janë duke investuar ose janë të interesuar për të investuar.
Në takim, u përcollën përshëndetjet e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për Kryeministrin Kovaçevski dhe përkrahja e fuqishme e Turqisë për përparimin e vendit në fushën e integrimeve evropiane, pas fillimit të negociatave.
Bashkarisht u konstatua se integrimet evropiane janë të rëndësishme për perspektivat e vendit tonë, por edhe për stabilitetin e tërë rajonit, si dhe të Evropës.
Kryeministri Kovaçevski u falënderua për miqësinë dhe mbështetjen e rëndësishme, të sinqertë, afatgjatë dhe të vazhdueshme nga Turqia për vendin tonë, që nga pavarësia e deri më sot, e cila vazhdon të zhvillohet në kuadër të partneritetit të dy vendeve në NATO.
Në atë drejtim, posaçërisht theksohet bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.
Gjithashtu u diskutua për rëndësinë e mbështetjes nga Turqia dhe bashkëpunimin në fushën e energjetikës.
Në takimin, në prag të festës së nesërme shtetërore për komunitetin turk në vend – Ditës së mësimit të gjuhës turke, kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, si shembull i suksesshëm i demokracisë multi-etnike, funksionale në rajon dhe në Evropë. Në kuadër të këtyre përcaktimeve, tregohet mbështetja për hapjen e paraleleve të reja në gjuhën turke në shkollat e vendit.
Në takim u theksua bashkëpunimi në fushën e kulturës mes dy vendeve, i cili rezultoi me hapjen e qendrave kulturore në Shkup dhe Stamboll, si dhe me realizimin e projekteve tjera, që kanë për qëllim avancimin e bashkëpunimit në këtë drejtim.