Për vitin 2023 u miratua Buxheti i cili mundëson zhvillimin e Armatës, standard më të lartë për ushtarët dhe shtet të sigurt

Kryeministri i Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot e prezantuan Propozim buxhetin e mbrojtjes për vitin 2023, i cili shënon rritje të vazhdueshme dhe mundëson zhvillim të kapaciteteve të mbrojtjes, modernizim, avancim të standardit të pjesëtarëve të Armatës dhe përforcim të sigurisë nacionale dhe kolektive.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se për vitin 2023 është paraparë buxhet për mbrojtjen që do të kontribuojë në zhvillimin dhe modernizimin e mbrojtjes në përputhje me standardet e një vendi anëtar të NATO-s.

“Zhvillimi në mbrojtje do të kontribuojë  për një siguri më moderne në lidhje me kërcënimet që na sjellin sfidat gjeostrategjike, ndërsa për të cilat ne kemi obligim të mbrojmë qytetarët tanë. Për një të tretën buxhet më të lartë në mbrojtje do të thotë  investim në paqen dhe stabilitetin e njerëzve dhe kjo nuk mund të çmohet”, tha Kovaçevski.

“Buxheti për mbrojtjen është investim në shtetin tuaj, në qytetarët tanë dhe në sigurinë tonë të përbashkët”, tha ministrja e Mbrojtjes Petrovska.

Buxheti i mbrojtjes është 274 milionë euro, që është 1.85% e PBB-së dhe është më i lartë se buxheti i vitit 2022 për 24.45 për qind.

“Edhe këtë vit tregojmë se respektojmë detyrimet dhe standardet që i kemi pranuar si vend anëtar i NATO-s. Ne po vazhdojmë me dinamikën e rritjes dhe në vitin 2024 do të realizojmë atë që kemi marrë si detyrim, që në vitin 2024 ndarja për mbrojtjen të jetë 2% e PBB-së. Kam kënaqësinë t’ju ​​informoj se me Buxhetin e propozuar për vitin 2023 kemi ndarë 33% të buxhetit për pajisje dhe modernizim”, theksoi ministrja.

Mjetet për pajisjen dhe modernizimin e Armatës janë rritur për 6% krahasuar me këtë pjesë të buxhetit të vitit 2022. Këto përfshijnë prokurimin e mjeteve të blinduara të lehta JLTV dhe STRYKER, sistemin e mbrojtjes ajrore, prokurimin e pajisjeve të informacionit, pajisjeve të mbrojtjes kibernetike dhe mjeteve të tjera, dhe fokusi kryesor është pajisja dhe përmirësimi i kushteve të punës së Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë, njësia jonë e NATO-s. Ne vazhdojmë të përmbushim të gjitha nevojat aktuale logjistike të Armatës - blerjen e çizmeve, uniformave, pajisjeve sportive dhe alpiniste, burimeve materiale dhe municionit për stërvitje dhe ushtrime.

Në mbrojtje vazhdon rindërtimi i objekteve dhe infrastrukturës së Armatës, informoi ministrja edhe atë me 10 milionë euro më shumë se në vitin 2022.

“Në Buxhet janë paraparë 16 milionë euro për rikonstruimin e objekteve dhe infrastrukturës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën. Ne po fokusohemi në zhvillimin e konceptit të mbrojtjes EKO, gjegjësisht po prezantojmë standarde më të larta mjedisore në mbrojtje. Ne do ta bëjmë këtë duke investuar në tranzicionin energjetik dhe në ndërtesa bashkëkohore dhe me efikasitet energjetik. Synimi ynë kryesor është të bëjmë një ndryshim të plotë në mënyrën e ngrohjes së kazermave dhe në vend të energjive ndotëse të kalojmë në energjitë më pak ndotëse. Gazifikimi i kazermave do të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit”, tha Petrovska.

 

Ministrja theksoi se në vitin 2022 janë përfunduar 15 projekte për rindërtim dhe renovim të objekteve, ndërsa për vitin 2023 janë planifikuar 28 projekte të tilla në një numër më të madh të kazermave në vend dhe në poligonin Krivolak.

Janë parashikuar edhe mjete për përmirësimin e standardit të pjesëtarëve të Armatës- paga më të larta në përputhje me ndryshimet në Ligjin për shërbimin në ushtri, kompensimi mujor i qirasë që plotëson seriozisht buxhetet e brendshme të pjesëtarëve të Armatës si dhe mundësia e  pagesës për  shkurtim nga puna për ushtarët profesionistë pas mbushjes së moshës 45-vjeçare në vlerë prej 20-25 mijë euro.

Në buxhetin e vitit 2023 janë parashikuar mjete për 200 ushtarët e rinj, pranimi i të cilëve do të përfundojë deri në fund të vitit, si dhe për 300 ushtarë të rinj profesionistë, 60 oficerë dhe 120 nënoficerë.

Vitin e ardhshëm është planifikuar pjesëmarrja në disa misione të NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, me gjithsej 226 pjesëtarë të Armatës, ose 111 më shumë se në vitin 2022.

Ministrja e Mbrojtjes Petrovska tha se Maqedonia e Veriut sot ka një armatë moderne dhe të fuqishme të NATO-s, e cila mund të përballet me të gjitha sfidat dhe në të cilën qytetarët mund të mbështeten dhe se investimet në njerëz, pajisje dhe zhvillim të kapaciteteve vazhdojnë.