Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të gjithë qytetarëve ua uroi Vitin e Ri 2023, duke ju uruar shumë shëndet, sukses dhe momente të bukura të kaluara me më të afërmit. Në urimin deri te qytetarët, Kryeministri shprehet se beson që viti që kemi para do të jetë më i mirë, në të cilin vazhdojmë të punojmë shumë për të forcuar ekonominë, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, për të siguruar prosperitet, të denjë për një vend që është në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, thuhet në urimin e Kovaçevskit.
“Lëmë pas vetes një vit të vështirë të mbushur me shumë sfida dhe shumë të papritura, me momente të vështira dhe kritike të imponuara nga kriza ekonomike dhe energjetike. Ne premtuam se askush nuk do të mbetej vetëm dhe e mbajtëm këtë premtim. Ne parandaluam rritje të mëdha të çmimeve, siguruam energji elektrike të qëndrueshme dhe të lirë të prodhuar në vend për të gjitha familjet dhe kompanitë e vogla, mbështetëm punëtorët, komunitetin e biznesit, pensionistët dhe kategoritë e cenueshme të qytetarëve. Rritëm pagat minimale dhe mesatare, si dhe pagat në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë. Ne kemi mbrojtur standardin e të gjithë qytetarëve, kemi mbajtur kompanitë likuide dhe në këtë mënyrë kemi mbrojtur vendet e punës. Kemi siguruar mjaftueshëm ushqim, energji elektrike dhe ngrohje për të gjithë”.
Në mesazhin e tij të urimit, Kryeministri Kovaçevski u fokusua në fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
“Kemi marrë vendime të vështira, por shtetërore dhe pas tre dekadash kemi filluar bisedimet për anëtarësim të plotë në BE me gjuhë dhe identitet të mbrojtur maqedonas. Sot ne ulemi me krenari në tryezën e madhe në Bruksel dhe marrim pjesë drejtpërdrejt në vendimet që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë evropiane. Në vitin e ri 2023, le të vazhdojmë të gjithë së bashku të ndërtojmë të ardhmen evropiane të vendit. Sepse qytetarët meritojnë të jetojnë në BE, por këtu, në vend, në Maqedoninë e Veriut. Ata meritojnë të jetojnë në një vend që është pjesë e një aleance me demokracinë e lartë, drejtësinë sociale, shtetin ligjor dhe zhvillimin e shpejtë ekonomik. Qytetarët meritojnë të kenë një jetë më të mirë dhe më të pasur”.
Në urimin e Vitit të Ri, Kryeministri tregoi se me mbështetjen e qytetarëve vazhdon puna e përkushtuar për zbatimin e masave, politikave dhe ligjeve aktive për përballimin e krizës, por edhe për përparimin e mëtejshëm të përgjithshëm të vendit.
“Me vizion të qartë dhe punë të palodhur nuk ka qëllim të paarritshëm”, tha Kryeministri Kovaçevski duke ju uruar qytetarëve festat e fundvitit.