Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski, sot vizituan Resavën, në rajonin e Tikveshit, ku me krasitjen tradicionale të vreshtës u shënua dita e vreshtarëve, Shën Trifuni.
Duke i uruar vreshtarët dhe prodhuesit e verës për festën, Kryeministri Kovaçevski theksoi masat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e vreshtarisë dhe verëtarisë.
“Për nder të festës së Shën Trifunit, tradicionalisht krasitëm vreshtat me dëshirën dhe shpresën për një vit tjetër më të frytshëm nga i kaluari. Sot festojmë veprën e njerëzve që me cilësinë e verës së tyre na lavdërojnë si vend në mbarë botën, për të cilin, ndër të tjera, jemi të respektuar kudo.
Ne jemi këtu për t'i ndihmuar, për t'i mbështetur, për t'ua vlerësuar punën e tyre të palodhur dhe për t'u dhënë garancinë se këtë vit do t'u ofrojmë kushte cilësore pune, siç bëjmë vazhdimisht dhe pa asnjë rezervë. Në periudhën e kaluar kemi treguar kujdesin dhe përkushtimin tonë për të ndihmuar vreshtarinë dhe verëtarinë dhe për t'i bërë ato edhe më konkurruese për tregun rajonal dhe atë botëror”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Duke potencuar cilësinë e verës sonë në botë, Kryeministri theksoi se sipas shifrave ka një trend rritës të eksportit të verës.
“Vitin e kaluar 2022, eksporti total i verës arriti në 58 milionë euro rekord, që është një rritje prej gati 9 milionë euro krahasuar me eksportet e vitit 2021.
Me rritjen e eksporteve, për të tretin vit radhazi, shënojmë rritje të vazhdueshme të eksportit të verës në shishe, e me këtë edhe rritje të vazhdueshme të fluksit valutor dhe fuqizim të ekonomisë vendase.
Kemi arritur të stabilizojmë prodhimin vendor të rrushit me një prodhim mesatar prej rreth 270 mijë tonë në nivel vjetor. Ndërsa, prodhimi mesatar vjetor i verës është rreth 100 milionë litra.
Së bashku arritëm çmimin më të lartë historik të blerjes së rrushit për vitin 2022”, tha Kryeministri, duke renditur mbështetjen përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi, rritjen e shumës për masën e naftës së gjelbër, si dhe grantet për kantinat e vogla.
Ai bëri të ditur se edhe këtë vit janë planifikuar grante për kantinat e vogla familjare, të cilat me një grant prej 10 mijë eurosh do të mund të investojnë në bizneset e tyre, e përveç kësaj, për herë të parë do të ndihmohen edhe fabrikat e vogla të distilimit, me një grant prej 5000 euro, me të cilin do të mund të blejnë pajisje për prodhim dhe paketim. Kryeministri Kovaçevski njoftoi gjithashtu se është duke u përgatitur ligji i ri për verërat, i cili është në harmonizim me rregulloret e BE-së dhe i cili do të kontribuojë për verë më cilësore.
Gjithashtu, është duke u përgatitur edhe një strategji nacionale për zhvillimin e vreshtarisë dhe verëtarisë, të cilën Qeveria do ta realizojë për një periudhë të paktën 5-vjeçare.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski tha:
“Tregimi i suksesshëm i kantinave të vogla familjare do të vazhdojë edhe këtë vit, me grant deri në 600,000 denarë dhe për herë të parë do të lansohet një Program i ri për mbështetjen e distilerive të vogla. Ligji i ri për verërat hyn në procedurë qeveritare.
Është një tjetër sukses, i cili do të lejojë përdorimin e markave për cilësi të përshtatura me legjislacionin e BE-së. Vreshtat dhe kantinat e verës do të kenë mundësi të formojnë shoqata në të cilat bashkërisht do të merren vesh për cilësinë e rrushit dhe rrjedhimisht për cilësinë e verës. Do të rritet edhe besueshmëria e kultivuesve sepse sipas Ligjit të ri, çmimi i prodhimit të rrushit do të përcaktohet çdo vit deri më 15 korrik, gjë që do të kontribuojë që kultivuesit të kenë çmime dinjitoze të blerjes”.
Goran Jakovlevski, kryetar i Shoqatës së Kantinave Familjare të Tikveshit, falënderoi për mbështetjen financiare nga shteti.
“Në emër të Shoqatës së Kantinave Familjare të Tikveshit, e cila përfshin gjashtëdhjetë prodhues të verës dhe dhjetëra, që nga viti i kaluar, prodhues të regjistruar të rakisë, do të doja t'ju falënderoj për mbështetjen tuaj financiare - grant për blerjen e pajisjeve për kantinat e vogla në shumë prej 10.000 euro, të cilat për herë të parë u ndanë vitin e kaluar.
Kjo ndihmë erdhi në kohën e duhur në vendin e duhur, ku është më e nevojshme nga prodhuesit e vegjël të verës. Urojmë dhe shpresojmë që në të ardhmen të jemi shtylla kryesore e prodhimit të verës në Maqedoni.
Ju inkurajoj që të vazhdoni të mbështesni jo vetëm prodhuesit e verës dhe rakisë, por edhe prodhuesit e tjerë të ushqimit, sepse ne e ruajmë dhe ushqejmë siç duhet traditën maqedonase”, theksoi Jakovlevski.