Në seancën e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u bë prezantimi i asistentit të parë digjital në sektorin publik të vendit tonë, ADA, i dizajnuar për nevojat e programeve të ndihmës shtetërore, përmes demo-simulimit.
Aplikuesi “Codwell Unlimited”, i cili në thirrjen publike të publikuar është vlerësuar në konkurrencë të tre projekteve si ideja më inovative për asistent digjital AI për realizimin e të cilit shteti përmes Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik siguroi 9 milionë denarë nga buxheti i FIZHT-ës, ka kryer një simulim se si në praktikë do të operojë Ada, bazuar në inteligjencën artificiale, e cila për mbledhjen e informacionit ka komunikuar me disa nga institucionet që paraqiten si dhënës të ndihmës shtetërore, siç janë: Kabineti i Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Agjencia për investime të huaja dhe promovimin e eksportit, Drejtoria për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale dhe Fondi i Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik.
Nëpërmjet asistentit digjital, qytetarët dhe investitorët e huaj të interesuar do të mund të marrin të gjitha informacionet relevante dhe të njoftohen me programet e disponueshme dhe thirrjet e hapura, si dhe garanton transparencë të madhe, marrje efikase dhe efektive të të dhënave të biznesit në kohë reale.
Me prezantimin e asistentit digjital AI, deri në 80% të të gjitha ndërveprimeve me përdoruesit do të automatizohen, gjë që do të kontribuojë në një kursim të madh të burimeve, komunikim proaktiv me qytetarët, uljen e mbingarkesës në institucione, si dhe procese më efikase dhe efektive, shërbime dhe rritje të produktivitetit të të punësuarve.
Ada do të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe investitorëve të huaj të interesuar 24/7 dhe do të jetë në gjendje t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të shpeshta në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky mjet digjital do të ketë për detyrë të lehtësojë komunikimin dhe qasjen në informacione për kompanitë dhe investitorët vendorë dhe të huaj. Asistenti digjital është i aftë për mësim të shpejtë, do të mundësojë komunikim me përdoruesit përmes mesazheve tekstuale, do të përshtatë gjuhën dhe tonin e tij në bazë të kontekstit, do të kuptojë dhe përgjigjet në maqedonisht, shqip dhe anglisht dhe do të përditësohet lehtësisht në kohë reale.
Gjithashtu, përmes asistentit, përdoruesit do të mund të kontrollojnë edhe përshtatshmërinë e ndërmarrjes së tyre për disa nga thirrjet e hapura, ndërsa ndërmarrjet që janë të interesuara për një nga programet do të mund të informohen nga asistenti dhe të aplikojnë për të duke lënë të dhënat e nevojshme.
Për të tërhequr një numër më të madh të investimeve të huaja në vend, asistenti do të trajnohet për të paraqitur vendin tonë si një destinacion të volitshëm investimi, duke ofruar një qasje të personalizuar gjatë komunikimit me investitorët e huaj potencialë.
Ada mund të drejtojë investitorët e mundshëm të huaj dhe vendorë hap pas hapi përmes procesit të zgjedhjes së masave të mbështetjes financiare që i përshtaten më mirë nevojave të tyre të biznesit dhe pritet të bëjë revolucion në punët e zyrës.
Përndryshe, frymëzim për dizajnimin e këtij mjeti është Ada Lovlejs, e cila konsiderohet si programuese e parë në botë.
Në periudhën që pason edhe institucionet tjera qeveritare do të hyjnë në procesin e përshtatjes dhe mësimit të “ADA”-së për të zgjeruar kapacitetet e saj në mënyrë që ajo të ofrojë më shumë shërbime për qytetarët.
Në të ardhmen, asistenti digjital “ADA” do të jetë pika kryesore e kontaktit për shërbimet e qytetarëve, e cila do të digjitalizohet plotësisht.