Përgatitja e Strategjisë nacionale për zhvillim vazhdoi në takimin konsultues ku u prezantuan kriteret sipas të cilave do të përcaktohen temat me rëndësi prioritare për zhvillim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Fushat në të cilat do të fokusohet Strategjia do të përcaktohen në konsultim me të gjithë aktorët social dhe politik, duke përfshirë komunitetin akademik dhe të biznesit dhe sektorin civil.
Në takim, zëvendëskryetari i Qeverisë, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Metju Lloson dhe i Republikës së Sllovakisë, Henrik Markush, Koordinatorja e Përhershme e KB-së, Rosana Duxhak, dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan, diskutuan për Kornizën për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e fushave tematike për Strategjinë nacionale për zhvillim. Korniza do të përfaqësojë një platformë kyçe në procesin e vendimmarrjes, duke minimizuar paragjykimet e çdo lloji, duke siguruar pjesëmarrjen e grupeve dhe palëve të ndryshme të interesit dhe duke promovuar llogaridhënien dhe transparencën.
Strategjia Nacionale për Zhvillim synon t'i japë shoqërisë një pasqyrë të qartë për pritshmëritë, synimet dhe drejtimet e përbashkëta zhvillimore, realizimi i të cilave kërkon gjithpërfshirjen e publikut dhe të gjithë aktorëve social-politikë. Bartës i procesit të krijimit të Strategjisë nacionale për zhvillim është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa përgatitja e këtij dokumenti strategjik realizohet me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Ambasadës së Britanisë në RMV dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Sllovakisë.
Në periudhën e kaluar, si pjesë e aktiviteteve për përgatitjen e SNZH-së, është punuar në zhvillimin e një qasjeje metodologjike, strukturë operacionale, janë organizuar punëtori të shumta vizionare, janë përgatitur njëzet e tre studime tematike dhe platforma digjitale. www.nrs.mk dhe u zhvillua një fushatë komunikimi. U organizuan edhe prezantime të shumta për njohjen e aktorëve kryesorë me procesin e SNZH-së, ndërsa ASHAM në bazë të analizave ka bërë një analizë përmbledhëse të gjendjes aktuale, kushteve dhe sfidave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.