Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, së bashku me drejtorin e NP të Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi dhe zëvendësdrejtorin, Bllagojçe Tërpevski, sot kanë inspektuar punët ndërtimore për rehabilitimin e rrugës rajonale Katllanovë - Veles.
Rehabilitimi po zhvillohet në dy faza, deri më tani janë asfaltuar 1.2 kilometra nga faza e parë. Investimi është në vlerën 2.6 milionë euro dhe sipas marrëveshjes rruga duhet të përfundojë deri në fillim të periudhës së verës.
“Kushtet e favorshme klimatike na lejojnë të punojmë aktivisht në rehabilitimin e të gjitha rrugëve, do të përdorim në maksimum të gjitha burimet për të përfunduar më shpejt projektet e nisura. Sot së bashku me drejtorët e NP për Rrugë Shtetërore kemi inspektuar rehabilitimin e rrugës Katllanovë-Veles, në gjatësi totale prej 8,4 kilometrash. Praktikisht kjo është rruga e vjetër nga Katllanova në Veles dhe përmes këtij investimi dëshirojmë të rehabilitojmë rrugën e vjetër, e cila deri më tani ishte në gjendje të keqe. Gjithashtu, kjo është një lidhje rrugore shumë domethënëse, duke pasur parasysh se e lidh Velesin me liqenin e Velesit, ku kemi trafik intensiv dhe vizitë të një numri të madh turistësh. Jam i kënaqur me punën e realizuesit, rehabilitimi është duke ecur me ritmin e planifikuar dhe pres që të përfundojë plotësisht para fillimit të verës së këtij viti”, tha ministri Bllagoj Boçvarski.
Drejtori Rustemi theksoi se rehabilitimi i kësaj rruge është pjesë e ciklit të madh investues të realizuar nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
“Pres që këtë drejtim rrugor ta përfundojmë në afatin e paraparë. Siç jemi informuar nga realizuesi dhe mbikëqyrësi, gjërat po ecin me dinamikë të mirë. Mjetet për rehabilitimin e tij sigurohen nëpërmjet një kredie nga BERZH-i. Këtë vit në buxhet kemi mbi 460 milionë euro për investime në infrastrukturë, që do të thotë se kemi një vit të fuqishëm përpara në ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve shtetërore”, deklaroi drejtori Rustemi.
Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrjetit rrugor është prioritet kryesor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të sigurimit të kushteve më të mira për udhëtimin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.