Me fjalim zyrtar Kryeministri Dimitar Kovaçevski hapi Forumin e dytë Ekonomik në Shkup, në organizim të Forumit Ekonomik Delfi dhe Asociacionit të Biznesit Grek në Maqedoninë e Veriut.
Në Forum morën pjesë personalite me ndikim nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të jetës politike dhe ekonomike, ndër të cilat, përfaqësuesi i BE-së në vend, Dejvid Gir, Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministra, deputetë, përfaqësues të korit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit.
Gjatë Forumit mbahen një sërë panelesh, në të cilat do të diskutohet për agresionin rus mbi Ukrainën, aderimin e Ballkanit në BE, perspektivën energjetike në rajon, investimet në infrastrukturë, rolin e grave në sigurimin e qëndrueshmërisë, investimet e huaja në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, si dhe për strategjitë për zhvillim ekonomik dhe transformim digjital.
Në vazhdim ju përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski:
“Së pari dua t'i shpreh ngushëllimet e mia Kryeministrit Mitsotakis, popullit grek, familjeve të viktimave për aksidentin tragjik që ndodhi dje në Greqi dhe t'u uroj shërim të shpejtë të mbijetuarve në këtë ngjarje tragjike.
Kam nder dhe kënaqësi të madhe që sot hap Forumin e dytë Ekonomik me radhë, këtu në Shkup, ku jemi nikoqir i një nga tubimet më të mëdha rajonale, i cili u shndërrua në një takim tradicional të palëve më me ndikim në politikë dhe sferat ekonomike në rajon dhe më gjerë. Këtu, në një vend, do t’i dëgjojmë qëndrimet dhe mendimet e palëve të ndryshëm, të cilat shpresoj se do të bëhen pjesë e politikave të vendeve që përfaqësojmë.
Dëshiroj të përgëzoj edhe organizatorët, Forumin Ekonomik nga Delfi, Greqi dhe Asociacionin e Biznesit Grek në Maqedoninë e Veriut, të cilët organizuan këtë mbledhim të rëndësishëm, në partneritet dhe bashkëpunim me kompanitë vendore.
Dëshiroj t'u uroj një mirëseardhje të ngrohtë kolegëve të mi të dashur nga rajoni, z. Kurti dhe z. Abazoviq, të cilët sot do të jenë të pranishëm në Shkup dhe do të marrin pjesë në
Forum, pastaj përshëndes edhe z. Gir, përfaqësuesit e korit diplomatik, si dhe zëvendëskryeministrat, ministrat, deputetët, drejtorët e ndërmarrjeve, si dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit nga vendi dhe nga rajoni.
Forumi i mëparshëm, i parë Ekonomik, u mbajt në kulmin e krizës së koronës dhe tani, dy vjet më vonë, u përballëm me krizën botërore ekonomike dhe energjetike, e cila shkaktoi ngadalësimin e ekonomive dhe rritjen e inflacionit në nivel global. Qeveria arriti të frenojë rritjen e energjisë elektrike dhe të zbusë rritjen e madhe të çmimeve për qytetarët me marrjen e masave në kohë, me mbi 760 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, kemi ndarë mbështetjen më të lartë buxhetore në rajon, madje 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për përballimin e krizës.
Më duhet të përmend se të gjitha masat u sollën në partneritet me palët e prekura, me mbështetjen e vendeve të rajonit, Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë strategjikë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forumin Ekonomik këtë vit e mirëpritëm në një tjetër sfidë të madhe, për të cilën besuam se ngjarje të tilla do të jenë pjesë e historisë dhe do të mbeten aty. Por, për fat të keq, ne po përballemi me agresionin ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, i cili ka ndryshuar plotësisht skenën gjeopolitike, duke lënë pasoja të mëdha me të cilat po luftojmë çdo ditë.
Megjithatë, edhe një përvojë e keqe është një mësim. Të paktën ne, popujt e këtyre zonave, kemi kaluar momente turbulente historike të mbushura me konflikte, përçarje, vrasje.
Të mësuar nga ato përçarje dhe mosmarrëveshje, nuk duhet t'i drejtohemi të kaluarës, por të fokusohemi tek e ardhmja, se si të përmirësojmë ekonomitë tona, si t'u ofrojmë qytetarëve tanë një standard më të mirë dhe një cilësi më të mirë jetese.
Në sesionet e sotme do të flasim për këto, si dhe për tema të tjera aktuale me rëndësi për të gjithë ne, krijuesit e politikave në rajon dhe më gjerë.
Çdo takim i ynë të reja sjell një përvojë të re, një shkëmbim të ri idesh që na ndihmojnë të gjithëve në fusha të ndryshme dhe më vjen mirë që ju shoh sërish në Forumin Ekonomik, i cili do të hapë horizontet tona për një të nesërme më të mirë për bashkëqytetarët tanë..
Jam krenar që mund të përcjell konkluzat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut të mbajtur së fundmi, ku Maqedonia e Veriut u njoh si faktor i stabilitetit në Ballkan.
E kam thënë deri tani, por do të theksoj sërish, nuk është më çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së.
Forumin Ekonomik e shoh si vazhdimësi, pra një plotësim të nismave të përbashkëta rajonale, përfshirë Ballkanin e Hapur, ku përmes projekteve të ndryshme lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën e qytetarëve.
Maqedonia e Veriut është një vend anëtar i NATO-s, një vend që filloi bisedimet me BE-në, një vend pjesëmarrës në Procesin e Berlinit dhe një vend që, duke filluar nga ky vit, mori kryesimin e OSBE-së. Ne jemi një vend që çështjet e hapura në nivel dypalësh, rajonal apo ndërkombëtar i zgjidhim në mënyrë diplomatike, jo me dhunë.
Prandaj, për ne, agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, një akt që shkel të gjitha normat dhe rregullat ndërkombëtare, të transferuara në marrëveshjet ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut po bën hapa të fuqshëm drejt BE-së. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj partnerët tanë strategjikë, SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së, të cilët në periudhën e kaluar dhanë dhe vazhdojnë të japin mbështetje të parezervë për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për proceset reformuese përgjatë kësaj rruge.
Vendi ynë së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë tashmë funksionon si Bashkimi Evropian i vogël. Së fundmi, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi vendimet ligjore që rezultuan nga nisma e Ballkanit të Hapur.
Me këtë, nuk ka më kufij mes këtyre tre vendeve. Ballkani i Hapur është një realitet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, të cilët do të mund të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Kjo liberalizon tregun rajonal të punës.
Bëhet fjalë për ndihmë dhe lehtësim të madh për kompanitë për të hapur më lehtë vende të reja pune dhe për të punësuar më lehtë punonjës dhe për t'u siguruar atyre paga të mira dhe kushte të mira pune.
Ne shohim përfitimet nga hapja e pikave të përbashkëta kufitare dhe çfarë përfitimi kanë nga kjo qytetarët tanë, të cilëve u është bërë më e lehtë dhe më e shkurtër lëvizja përmes kufijve.
Për më tepër, me rëndësi vendimtare për shkëmbimin tregtar në rajon dhe më gjerë, janë "korridoret e gjelbra", për të cilët do të duhet të punojmë së bashku për të përmirësuar dhe zgjeruar funksionimin e tyre në vendet anëtare të BE-së. Me këtë, ne do të ndikojmë dhe do të kontribuojmë në një imazh më të mirë të ekonomive dhe vendeve tona.
Me këtë rast dua të theksoj se ekonomia jonë edhe në kushtet e krizës më të madhe është e qëndrueshme dhe do të rritet.
Është falë vendimeve të guximshme që marrim, për ta kthyer krizën në një mundësi.
Janë bërë arritje të rëndësishme dhe me këtë rast do të veçoj vetëm disa:
Vitin e kaluar, 2022, një nga vitet më të krizës në Evropë, kemi një numër rekord të investimeve të huaja direkte - 430 milionë euro në zonat e zhvillimit teknologjike-industrial. U krijuan 2300 vende të reja pune, me paga më të larta se mesatarja shtetërore.
Me qëllim që ne si shtet të ndihmojmë kompanitë dhe në përputhje me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, në vitin 2022 kemi paguar ndihmë shtetërore rekorde prej 23 milionë euro për 410 kompani, të cilat punësojnë mbi 27 mijë punëtorë. Vitin e kaluar janë nënshkruar 277 kontrata të reja, që është numri më i madh i kontratave të nënshkruara që nga miratimi i Ligjit.
Javën e kaluar, një nga investitorët tanë më të mëdhenj të huaj në zonat teknologjike-industriale, kompania gjermane Gereshajmer, ku prodhohen produkte mjekësore për nevojat e kompanive të njohura farmaceutike botërore, hapi një fabrikë të re, të dytë në vendin tonë, e cila është investimi më i madh ndonjëherë në zonat e lira dhe në vetë kompaninë në të gjitha operacionet e tyre në mbarë botën që i kanë.
Vala e investimeve të reja të huaja do të vazhdojë edhe këtë vit. Kjo për shkak të avantazheve që ne si shtet i ofrojmë investitorëve të huaj të cilët e shohin Maqedoninë e Veriut si destinacion të sigurt për investime.
Prandaj, dëshiroj t'i stimuloj të gjithë investitorët potencial që të mos hezitojnë, por të investojnë mjetet e tyre, duke ndjekur shembullin e investitorëve që aktualisht investojnë në vendin tonë, duke ofruar paga evropiane për kushtet maqedonase.
Qytetarët tanë, si dhe qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, meritojnë kushte evropiane të punës dhe paga evropiane.
Ne kemi shënuar rekorde edhe në eksporte. Eksporti i kompanive në zonat arriti nivelin më të lartë prej 3,7 miliardë euro, gjegjësisht 25% mbi pikën më të lartë që arritëm në vitin 2021. Llogaritjet tregojnë se për çdo denarë të paguar në mbështetje nga shteti, 4 denarë kthehen në Buxhet.
Të nderuar,
Për ne, viti 2023 është një vit i mundësive të reja.
Këtë vit, si vitet para nesh, ne duam të fokusohemi në realizimin e planeve tona për ndërlidhje të plotë rajonale rrugore, hekurudhore, infrastrukturore dhe energjetike.
Po punojmë për finalizimin e rrjetit rrugor të korridoreve 8 dhe 10, i cili do të na ndërlidhë me fqinjët tanë, rajonin dhe më gjerë, i cili do të hapë shumë mundësi të pakufizuara për të gjithë ne në të gjitha fushat.
Ndërtimi i këtyre korridoreve do të reflektojë politikat tona të fqinjësisë së mirë, ndërtimit të besimit dhe miqësisë reciproke.
Por, është po aq e rëndësishme për ne që këtë vit të fokusohemi në shfrytëzimin e potencialit tonë si vend, në drejtim të transformimit të gjelbër të shtetit, i cili do t'i mundësojë shtetit tonë të ketë pavarësi nacionale energjitike dhe të na japë siguri për një zhvillim të parashikueshëm të ekonomisë.
Planifikojmë investime të zgjeruara, mbështetje dhe ndërlidhje energjetike të rajonit. Transformimi i gjelbër lëviz në tre drejtime. E para është lidhja dhe diversifikimi i burimeve energjetike për shtetin.
Maqedonia e Veriut aktualisht ka vetëm një burim gazi, që është përmes Republikës së Bullgarisë. Është në zhvillim e sipër investimi i një gazsjellësi të ri nga Republika e Greqisë, si dhe i një gazsjellësi tjetër nga Republika e Bullgarisë. Segmenti i dytë i investimeve janë burimet e ripërtërishme të energjisë.
Përveç mbështetjes që japim për fotovoltaikët, të cilët janë investimi dominues i kompanive, ne investojmë edhe në hidrocentrale të vogla, në termocentrale të erës dhe në centrale të biogazit.
Në vitin 2022 u ndërtuan termocentrale të reja me mbi 152 MWh kapacitet të instaluar që prodhojnë energji elektrike nga burimet e ripërtërishme të energjisë.
Vitin e kaluar Komisioni Rregullator i Energjetikës ka lëshuar 267 leje për prodhimin e energjisë elektrike të gjelbër.
Këto investime kanë një kontribut të rëndësishëm në transformimin dhe pavarësinë energjetike.
Këto termocentrale të reja që prodhojnë energji elektrike nga dielli, era, uji dhe biogazi, të cilat janë ndërtuar në një vit, janë të barabarta me kapacitetet energjetike që janë ndërtuar prej vitesh, si HEC Kozjak, HEC Sveta Petka dhe parku i erës Bogdanci. Me kapacitetin e instaluar, i cili është ndërtuar në vetëm një vit, mund të plotësohen nevojat e 65700 amvisërive me konsum mesatar të energjisë elektrike. Me fjalë të tjera, nevojat e amvisërive nga gjashtë qytete të vendit mund të plotësohen nga këto kapacitete nga BURIME TË RITËRISHME: Ohri, Tetova, Kratova, Krusheva, Kriva Pallanka dhe Sveti Nikolla.
Kompanitë investojnë më së shumti në termocentrale fotovoltaike, por bie në sy instalimi i 36 megavat termocentrale të erës, 7.2 megavat hidrocentrale të vegjël dhe 2.5 megavat biogaz.
Rëndësi kyçe për rritjen ekonomike të vendit kanë pjesa e tretë e investimeve, të cilat i referohen përmirësimit të rrjetit të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë elektrike nëpërmjet ndërlidhjes kufitare me të gjitha vendet e rajonit.
Përcaktim strategjik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është përmirësimi i diversifikimit në furnizimin me gaz natyror, për të cilin në qershor të këtij viti pritet të fillojë realizimi i interkoneksionit me Republikën e Greqisë, ndërtimi i të cilit është pritet të përfundojë në vitin 2025. Dy ndërlidhjet e mbetura, me Serbinë dhe me Kosovën, janë në fazën e hartimit të dokumentacionit të projektit.
Mbështetja e vendeve të rajonit ishte e rëndësishme në kushtet e krizës energjetike botërore dhe jemi të lumtur që ata shohin interes për të investuar në vendin tonë.
Në këtë kontekst, kompania greke “Mitilineos” në Shkup ka shprehur dëshirën dhe ka dorëzuar dokumentacionin për ndërtimin e një termocentrali të gazit që do të prodhojë energji elektrike në vlerë prej 211 milionë euro dhe Qeveria e miratoi investimin si strategjik.
Dua të përmend gjithashtu se kompania shtetërore greke "PPS" ka parashtruar një ofertë në procedurën për ndërtimin e objektit tonë më të rëndësishëm energjetik HEC Çebren, i cili aktualisht është duke u vlerësuar. Në HEC-in Çebren do të prodhohen të paktën 333 megavat energji elektrike.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një termocentral reverzibil, do të ketë një rëndësi të madhe për balancimin e sistemit energjetik dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme energjetike.
Gjithashtu, duke rritur kapacitetin aktual të gazsjellësit me Bullgarinë, u bë i mundur diversifikimi i burimeve tona të furnizimit, si dhe përdorimi i të gjitha burimeve që janë aktualisht të pranishme në tregun e gazit natyror në rajon. Me këtë marrëveshje zvogëlohet varësia nga gazi rus që ka pasur vendi në dekadat e fundit.
Synimi ynë i deklaruar është gazifikimi i plotë i shtetit dhe lidhja e tij me fqinjët, në të cilin do të fokusohemi në periudhën e ardhshme.
Gjithashtu, prioriteti ynë është transformimi energjetik dhe pavarësia energjetike, ndërsa vendi ynë është lider rajonal në transformimin energjetik, me një potencial të madh për t'u bërë një qendër e energjisë së gjelbër.
Në fund, më lejoni të përshëndes edhe një herë mbajtjen e Forumit Ekonomik, i cili, siç thashë, shpresoj të kthehet në një mbledhim tradicional.
Këto takime tona synojnë të na ndihmojnë të krijojmë strategjitë dhe vizionet tona dhe të na ndihmojnë të gjithëve në formimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë.
I uroj Forumit punë të suksesshme!”