Republika e Maqedonisë së Veriut ka marrë 80 milionë euro mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, sot në konferencë për shtyp theksoi se këto mjete përdoren për mbështetje buxhetore në vend. Në konferencën për shtyp, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministrat e Financave Fatmir Besimi, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, në fushën e tyre prezantuan detajet e masave kundër krizës dhe efektet e të njëjtave. Euroambasadori në vend, Dejvid Gir, tregoi se kjo mbështetje financiare do t'i ndihmojë qytetarët që të përballen me kërkesat që u shfaqën si pasojë e krizës energjetike.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria në bashkëpunim me të gjitha institucionet, me ministritë, me vendet e rajonit, si dhe me Bashkimin Evropian, parandaloi rritjet e mëdha të çmimeve, mundësoi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, e rriti prodhimin nga kapacitetet vendore, siguroi stabilitet të çmimit të energjisë elektrike dhe kjo ndikoi drejtpërdrejtë në standardin e qytetarëve, por edhe në stabilizimin e inflacionit. Granti prej 80 milionë eurosh është mbështetje për subvencione për qytetarët për faturat e energjisë elektrike, mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme për të ruajtur vazhdimësinë e biznesit, si dhe investimet shtetërore për tranzicionin energjetik, burimet e ripërtërishme të energjisë dhe efikasitetin energjetik.
“Ulja me 20% e çmimit të energjisë elektrike për 70,000 kompani që janë në tregun e rregulluar dhe mbajtja e çmimit për amvisëritë nivelin e njëjtë, për ata që konsumojnë energji elektrike në mënyrë racionale, është vetëm një konfirmim i politikave korrekte që po bëjmë në kohë të krizës energjetike dhe ky është një shqetësim real për kategoritë më të cenueshme. Të gjitha masat e marra nga Qeveria synojnë për të pasur ngrohje të sigurt dhe të qëndrueshme. Sot ka energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa nuk ka restriksione. Plani po jep rezultate. Prioriteti ynë është tranzicioni energjetik dhe pavarësia energjetike, ndërsa vendi ynë është lider rajonal në tranzicionin energjetik, me një potencial të madh për t'u bërë qendër e gjelbër energjetike”, tha Kryeministri dhe shtoi se Qeveria ka miratuar një pako me masa antikrizë në vlerë prej mbi 760 milionë euro që sipas të dhënave të Bankës Botërore është mbështetja më e lartë buxhetore në rajon për përballimin e krizës në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit tonë.
Euroambasadori Dejvid Gir, theksoi se në fokus të mbështetjes nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut është mbrojtja e qytetarëve.
“Tetorin e kaluar, Kryetarja e Komisionit Evropian Fon der Lajen premtoi këtu në Shkup se BE-ja do t'i japë Maqedonisë së Veriut 80 milionë euro për t'u ballafaquar me krizën energjetike. Tani e realizuam këtë. Në praktikë, kjo mbështetje do t'i ndihmojë qytetarët të përballojnë kërkesat që kanë lindur si pasojë e krizës energjetike. Kjo do të thotë të ndihmohen të gjitha amvisëritë që të plotësojnë nevojat e tyre energjetike themelore. Sidomos më të cenuarit. Kjo nënkupton mirëmbajtjen dhe funksionimin e shkollave dhe spitaleve. Dhe kjo do të thotë të ndihmohen bizneset e vogla për të siguruar prodhimin e produkteve ushqimore bazë”, tha ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir.
Zëvendëskryeministri Mariçiq tha se Bashkimi Evropian nuk i ka harruar qytetarët maqedonas dhe është sërish me ne në kohë krize, duke dëshmuar se është shumë më tepër se mbështetja financiare ajo që na ndihmon të përshpejtojmë transformimin e shoqërisë dhe të përgatisim Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në familjen e BE-së. “Bashkimi Evropian është gjithashtu partneri ynë më i madh, i cili është i pari që qëndron me ne në kohë të vështira. Përveç synimit parësor të këtyre 80 milionë eurove, këto fonde të pakthyeshme do të mbështesin edhe reformat strukturore për të lehtësuar tranzicionin energjetik”, theksoi zëvendëskryeministri dhe koordinatori nacional i IPA-s, Mariçiq, duke shtuar se përmes instrumentit të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor në periudhën e kaluar kemi arritur të marrim mbi 52 milionë euro mjete të pakthyeshme për projekte në fushën e energjetikës.
Ministri i Financave Fatmir Besimi theksoi se granti prej 80 milionë euro është vërtetim i korrektësisë së politikave të zbatuara nga Qeveria në rrugën tonë evropiane dhe në përballjen me krizën.
“Kjo u njoh nga aleatët dhe mbështetësit tanë, nga partneri ynë kryesor BE-ja, i cili përveç ndihmës së vazhdueshme financiare për projektet që janë pjesë e agjendës së reformës, na dha edhe mjete grant për përballim me krizën. Në vitin 2020 gjithashtu edhe Republikës së Maqedonisë së Veriut i është ndarë grant prej 40 milionë eurosh përkrahje buxhetore e drejtpërdrejtë për qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të shtetit në përballjen me krizën e shkaktuar nga pandemia KOVID-19”, tha ministri Besimi dhe shtoi se mjetet që BE-ja i ndan për vendin tonë janë një shenjë solidariteti që për ne përfaqëson një përgjegjësi të madhe për shfrytëzimin e tyre sa më efikas.
Për të mbrojtur konsumatorët dhe standardin e tyre të jetesës nga ndikimi i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve të energjencave dhe produkteve ushqimore, si dhe për të rritur konkurrencën e kompanive vendore në tregun ndërkombëtar, Ministria e Ekonomisë së bashku me institucionet e tjera përkatëse, përgatiti Planin Nacional të Veprimit Energjetik të Maqedonisë së Veriut për 2022-2023 për t'u ballafaquar me krizën energjetike.
“Plani Nacional i Veprimit Energjetik parasheh fonde për sjelljen e subvencioneve buxhetore për kompanitë vendore, para së gjithash për sigurimin e aktiviteteve publike, furnizimin me ujë, shëndetësinë dhe arsimin, si dhe për furnizim të pandërprerë me ushqim, qumësht dhe veprimtari të tjera në interes të të gjithë qytetarëve. Krahas kësaj, përfshin masa për të mbështetur qytetarët në përballjen me rritjen e çmimeve të energjencave. E fundit, por gjithashtu e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, Plani Nacional i Veprimit për Energjinë përfshin projekte dhe programe për zbatimin e politikave evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë, për politika dhe masa për efikasitetin e energjisë në objekte dhe për zhvillimin dhe zbatimin e konceptit i blerësve”, tha ministri i Ekonomisë Bekteshi.
Ministrja Jovana Trençevska theksoi se si pjesë e pakos së fundit të masave qeveritare, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka tre muaj që ofron mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike për qytetarët e cenuar ose të përjashtuar nga shoqëria.
“Si pjesë e pakos së fundit të masave të Qeverisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale prej tre muajsh ofron mbështetje financiare për përballimin e krizës energjetike për qytetarët e kategorive të cenueshme.
Mbështetja financiare u ofrohet për një periudhë katër mujore mbi 177,000 qytetarëve të kategorive të cenueshme, përfshirë fëmijët, personat që kanë humbur vendin e punës dhe që përdorin kompensimin e papunësisë dhe shfrytëzuesit e pensionit minimal.
Krahas kësaj, 46,000 shfrytëzues të së drejtës për ndihmë minimale të garantuar dhe sigurime sociale marrin një kompensim në para për energjencë gjatë muajve të dimrit.
Gjithsej janë përfshirë rreth 220,000 shfryrëzues të kategorive të cenueshme dhe janë paguar rreth 21 milionë euro”, tha Trençevska.